IN MEMORIAM

Petrit Ruka: Po sikur poetët e mirë të jepnin ca orë letërsie, mundësisht në çdo shkollë të këtij vendi…

Në një nga intervistat që ka dhenë dikur poeti tashmë i ndjerë Petrit Ruka, pikas ajo në të cilën ai shprehej se besonte që letërsia është dhe duhet të jetë lënda bazike në një shkollë të mesme dhe se të kesh një mësues poet është patjetër fat. Le ta kujtojmë këtë artist të madh nëpërmjet kësaj interviste.

Intervistoi: Bujar Hudhri, 29 dhjetor 2019



Ju këtë vit keni pasur një përvjetor të rëndësishëm, 65 vjetorin e lindjes. A mund të na tregoni për fillimet tuaja në letërsi?


Pyetja për fillimet e mia është e vështirë për mua. Sepse nuk di kur ka filluar poezia tek unë. Nuk e gjej dot. Ndonjëherë dyshoj se poezia ime e parë mund të jetë shkruar duke fishkëllyer si fëmijë pas ndonjë fryrje zemre nga gëzimi a mallëngjimi në ndonjë udhë të fshatit ku linda. Mbase në ndonjë dasmë, apo vdekje të rëndë ku ne fëmijët morëm “mësimin” e parë se si çlirohet një zemër e rënduar nga një lëmsh ndjenjash të përziera. Por mbaj mend që aty nga mosha dhjetë vjeç fillova të shkruaja ca vargje që më dukeshin këngë. Atëherë as fjalën poezi nuk besoj se e pata dëgjuar ndonjëherë. Ishin ca imitime nga ato që kisha lexuar apo dëgjuar nëpër këngët e shumta të dasmave apo rasteve kur këndohej thjesht në dimër rreth zjarrit. Përreth gjëmonte një përrua i madh këngësh folklorike. Nuk e kam kuptuar dot as sot kthjelltësisht pse këndohej aq shumë në atë jetë varfanjake?! Mbase për ta kompesuar tërë atë dhembje që notonte përreth. Dhe nga që lexoja si një i uritur gjithfarë librash, që gjendeshin me zor, fillova të dehem nga fjalët, nga magjia e tyre. Shkruaja fshehuras marrëzirat e mia duke besuar se isha dhe unë një nga “ata” poetët që lexoja në librat e shkollës. Derisa një ditë, nuk e di prej çfarë rastësie fatlume, më botuan një vjershë në gazetën “Pionieri.” Them se atë ditë bota u anua e m’u tund e tëra prej gëzimit. Ajo ditë duhet të ketë qenë “dënimi” i gjithë jetës; të shkoja në këtë udhë, pas letërsisë. Është një lloj “infeksioni” që nuk ka asnjë mënyrë për ta shënuar më deri në fund të jetës. Dhe ja, letërsia bëhet gëzimi më i madh i jetës tënde. E po kështu, një mundim i bukur që fillon ta duash gjithmonë e më shumë.



Keni qenë mësues i letërsisë në shkollë të mesme. Sa e rëndësishme është për gjimnazistët të kenë një poet që t’u flasë për letërsinë. Po për ju si poet?


Ca vite punova fshatrave të Tepelenës. Megjithëse i lodhur nga klasat e ftohta dhe mensat e tmerrshme të kooperativave të mbuluara me eternit, ato ndoshta kanë qenë vitet më të bukura të jetës sime. Nuk ndjeja kurrfarë vuajtjeje. Mësuesia më jepte aq shumë kohë të lirë për të lexuar e shkruar, sa gjithmonë më është dukur puna më e bukur në botë. Pastaj në gjimnaz, më shumë se sa mësues unë dhe shokët e mi poetë si Ilirian Zhupa e Qazim Shemaj padashur u bëmë ca predikues të magjisë së letërsisë. Shpesh tani mendoj se më shumë se sa mësues kam qenë një lloj prifti, që jepja “mesha” lavdërimi të gjata për vepra dhe shkrimtarë që i doja shumë, (Noli qe një ndër ata që i bëja përshpirtje të vluara adhurimi) pa u qëndruar shumë besnik programeve të ngrira që kishim përpara. Të jesh i ri, ta duash letërsinë plot pasion djaloshar dhe të besosh tek ajo si tek një fe e re që sapo e ke zbuluar, patjetër që kjo më bën të besoj se kam qenë një mësues i mirë. Akoma besoj se letërsia është dhe duhet të jetë lënda bazike në një shkollë të mesme. Akoma besoj se është ajo që i jep formë shpirtit të një adoleshenti, që u zbulon atyre kuptime jete, ëndrra të mëdha, kode që nuk i harrojnë më kurrë. Dhe që të kesh një mësues poet është patjetër një fat e kjo as që vihet në dyshim. Jo pse ta thonë më vonë qindra nxënës që janë burra të mençur e dinë çfarë thonë, por kështu është. Ata ndikojnë me gjithë qenien e tyre në klasë. Duken që së largu që kanë në sy flakën e saj, magjinë e fjalës. Le të jenë si të duan programet, autorët që mësohen. Poetët dinë se si të nxjerrin flori nga ajo që shpjegojnë. Janë një përzierje e çuditshme midis mësuesit, aktorit dhe klerikut të fesë së tyre, poezisë. Po të mundja e të isha shtetar do t’i detyroja me një ligj të veçantë arsimor tërë poetët e mirë të Shqipërisë të jepnin ca orë letërsie, mundësisht në çdo shkollë të këtij vendi… Duket si një gjë e marrë? E po shpesh marrëzi të tilla vlejnë shumë ndonjëherë.



Keni tërhequr vëmendjen e lexuesit që me librin e parë (1978) dhe të kritikës më 1982 kur u vlerësuat me çmimin “libri më i mirë poetik i vitit 1983” me vëllimin “Atdheu fillon tek zemrat”. Dhe më pas libri juaj i tretë “ Mirupafshim, hënë e vendlindjes!” vëllim, poezi, 1990. Si i shihni sot këto tre libra?


Po, librin e parë unë e botova relativisht i ri, isha 24 vjeç. Sot më vjen ta harroj dhe s’e kam hapur kurrë më në jetë. Nuk më pëlqen fare, sot më ngjan i zbehtë me përjashtim të nja dy-tri poezive. Po libri i dytë “Atdheu fillon tek zemrat” ka disa poezi nga të cilat nuk turpërohem as sot dhe shpesh i kam ribotuar. Ishte një libër me fat që më hapi rrugët, madje ish ai që më çoi drejt Kinostudios për të nisur rrugën e një kineasti. Megjithëse atëherë botohej me dhimbje, me peripeci, kthim libri për ta punuar këtë apo atë poezi, mungesë tematike etj. Megjithatë nuk hyj tek ata që dua të ankohem, përkundrazi. Kur mendoj se sa peshë kish një libër i mirë në atë kohë. A mund të mendohet sot që një libër mund të të ndryshojë tërë jetën, gjeografinë, miqtë, vetë jetën tënde dhe profesionin?

Libri i tretë u botua në një stinë tjetër të pazakontë, hyri në shtyp me “vapën” socialiste dhe doli nga shtypi në dimër, kur shteti po shprishej dhe i kishin dalë zorrët përjashta. Nëpër të kish ca poezi që guxonin të mërmërisnin nëpër dhëmbë zemërimin për një jetë astmatike që po na merrte shpirtin. I dua këto dy libra. Më saktë i respektoj, sepse asnjë libër i botuar nuk është më i dashur. Me të gjithë ke një mëri që nuk shërohet kurrë, një pendim që e vuan gjatë. Libri më i dashur është ai që do shkruash dhe që nuk është botuar akoma… Pa këtë dyshim e pakënaqësi të pashërueshme nuk ka letërsi e poezi të mirë asnjëherë.



Pas ’90 humbësi më i madh, në fushën tonë, sipas mendimit tim si botues, janë shkrimtarët shqiptarë. Madje, do të veçoja poetët e kanë pasur edhe më të vështirë. Si e keni përjetuar këtë kufi kohor në jetën tuaj krijuese?


Rëndë. Shumë më rëndë se sa ju botuesit, që tek e fundja gjetët ca çengela shpëtimi tek letërsia e madhe botërore e munguar. Tek kryeveprat e saj dhe shkrimtarët “borgjezë” që në socializëm kishim mallkimin e ndalimit tek ne. Për poezinë duket sikur nuk kish më lexues. I kish përpirë dheu. Aq sa ndonjëherë të kapte lemeria për ta braktisur njëherë e mirë poezinë.

Ishte vërtetë një zi jo dyzet ditëshe për letërsinë e sidomos poezinë po e gjatë si një zi dyzet vjetëshe. Dhe jo vetëm unë, po edhe shumë shokë të tjerë gati e braktisëm atë, nuk shkruam për vite tëra. Kjo ishte arsye që me mendjelehtësi u dorëzuam, nuk botuam për vite të tëra. Ishte ky dëshpërim që më detyroj ta botoj librin tjetër “Në zemër bie shi…” pas 13 vjetësh në vitin 2003. Dhe po kështu tjetrin, pas 15 vitesh më tej, këtë vit.

Natyrisht ishte një gabim, duhet ta kishim mposhtur tërë këtë trishtim të pafund po se mos e ka në dorë arsyeja këtë gjendje apo vendim kur është fjala për poezinë. Me sa duket është një gjë më e komplikuar për t’u shpjeguar qartë e me pak fjalë.



Librin e radhës e keni botuar pas dhjetë vjetësh (“Vërtitu, Kokë e prerë!” 2000). Përse pritët një dekadë? Aq më tepër që pikërisht në këtë dhjetë vjet ka qenë lehtësia më e madhe për të botuar dhe vërshuan me dhjetëra poetë me botimet e tyre të para e të njëpasnjëshme.


“Vërtitu, Kokë e prerë!” është një libër i vogël një poemë baladeske që lindi në vitin e zi 1997. Atëherë kur shteti shqiptar ra me kokëposhtë. Nuk e di pse në atë hutim e dëshpërim biblik më rrinte në kokë një psherëtimë e përjetshme etërish (edhe e babait tim) që fillonte e mbaronte me këto fjalë; po si nuk doli një burrë ta bëj Shqipërinë?” Është një pyetje sa naive aq edhe therëse deri thellë në zemër. Më kujtohet kur isha fëmijë, në fshatin tim një burrë këndonte një këngë të çuditshme që se kam parë kurrë të botuar në asnjë përmbledhje folklorike. Këndonte lart, me një zë koke këto vargje: “Vdes me zemër të helmuar/ vallë do bënet Shqipëria” Mbaj mend se ajo këngë më bënte për të qarë kur e dëgjoja. Madje dhe tani këtë ndjesi më jep sa herë mbyll sytë dhe e shikoj atë plakun që e këndonte në dasma…)

Këtë desh të shkruaja dhe gjeta si këndvështrim një ëndërr me Ali Pashë Tepelenën që më fanepset natën mua, poetit, t’i rrëmbente kokën nga Stambolli e ta binte në Tepelenë. Se ishim një vend pa kokë. Dhe ja atë bëra në një baladë të gjatë, solla kokën e tij në Tepelenë bashkë me Thanas Vajën dhe Marko Boçarin. Një çetë e pazakontë hajdutësh që ecin nëpër natë me një kokë të vjedhur. Shkurt desha të shkruaja 97-tën në mënyrën time. Më vonë kjo poemë-balade u inskenua në Teatrin Kombëtar si një teatër poetik dhe u prit mjaft mirë.

Ndërsa për librin tuaj të fundit “Shami të zeza qiellore”, i cili shënon dhe kulmin e krijimtarisë tuaj, pritët 15 vjet.

Po, plot 15 vjet. Dhe sikur të mos kish qenë miku im i dashur Pëllumb Kulla, i cili këmbënguli fort do ta mbaja akoma. Nuk kisha kurrfarë nxitimi. Vjen një moshë pjekurie në poezi, (në se ajo vjen!) dhe nuk ke kurrfarë ngutje të botosh. Dyshimi nëse një libër është bërë, është pjekur, bëhet një zakon, një frikë e bukur e patjetërsueshme. Kam ndenjur gjatë mbi të. Dhe është koha ajo që vendos se kur një libër botohet, ajo dikton. Libri besoj që u prit shumë mirë në se duhet t’i besoj edhe dëshmisë që u shit shpejt i gjithi, brenda një muaji. Miq dhe shokë të mirë më japin kurajën e mjaftueshme ta besoj se kam shkruar një libër të bukur. Ashtu qoftë! Ndoshta! Fjala “ndoshta” për një krijues është madhështore dhe shpëtimtare.



Shumë kolegë tuaj, poetë të njohur, ndërkohë kanë shkruar edhe romane. Keni pasur një tundim të tillë? A është kjo diçka e natyrshme që të shkruhen romane nga poetët, apo kjo shihet si orvatje për të tërhequr vëmendjen e lexuesit, duke e ditur që poezia e ka rrugën më të vështirë sot të shkojë tek lexuesi?


Pyetje e vështirë për mua. Nuk e di! Sido që t’i përgjigjesh shpjegimi mbetet evaziv dhe mund të të keqkuptojnë me të drejtë të gjitha palët, “fanatikët” e poezisë apo të tjerët. Dihet që proza është më shpëtimtare për çdo krijues sepse të lehtëson tërë ato rrugë e sidomos hapësirën e të shprehurit. Poezia si një matricë arti doemos është më e vështirë, më sfilitëse dhe po kështu më pak e lexuar. Duke qenë më elitare dhe me më pak lexues ajo nuk e ka kurrë njohjen e prozës, lexuesit e saj të shumtë. Poezia ka pas gjithmonë një “popull” shumë të vogël, në se lexuesit e saj janë një popull. Por le ta themi pa pikë droje, është një popull i zgjedhur prej zotit, i shënuar të jetë gjithmonë më i miri dhe i lakmuari.

Thonë që poezia ka pak lexues në Shqipëri. E vërtetë, po jo dhe e saktë sa për t’u dëshpëruar. Unë e ndjej nga lexuesit e mi se Shqipëria i ka të paktën nja dymijë “të marrë” që lexojnë poezi, janë sëmurur prej virusit të saj. Pse pak janë? Kaq kanë dhe kombet e mëdhenj. Gati e njëjta përqindje lexuesish lëviz gjithandej për poezinë, paçka se ne jemi një vend i vogël në raport me të tjerët.



Ndërkohë, profesioni apo vokacioni tjetër i juaji është skenari. Që me filmin e parë “Eja”, ju sollët një temë krejt të pazakontë për atë kohë. Trishtimi dhe dhimbja në atë film kontraston me kinse harenë dhe lumturinë e filmave me temën e ditës. Sepse ishit poet, a mos ndoshta kjo ju veçoi nga skenaristët e tjerë?


Kinemaja ishte një “aksident” i bukur në jetën time. Nuk ishte se kisha ndonjë pasion të veçantë për të më parë. Por ajo ndodhi në jetën time. Dhe unë u dashurova me të. Se dihet, ndonjëherë dhe dashuria “mësohet.” Unë e dua shumë filmin dhe shkrova një numër të madh skenarësh për të gjitha gjinitë filmike, gati pesëdhjetë e kryesisht për filma dokumentarë. Në filmin “Eja” që ish skenari im i parë artistik vërtet unë dhe tërë ekipi guxuam të themi ca të vërteta të jetës. Po ishim dhe me pak fat. Ishte viti ’87 dhe ndjenim më pak frikë tek po shikonin se si shteti po anohej si Kulla e Pizës. Ishte koha e tij “hiq e mos këput” derisa pas tre-katër vitesh ra me rrapëllimën e llamarinave të propagandës. Pastaj në këtë kohë deledash për kinemanë, fillova të xhiroj dhe vetë si regjisor dy-tre filma artistikë, po sidomos një numër jo të vogël dokumentarësh. Por me kinemanë unë nuk pata fat. Kur unë fillova punën si kineast, ajo kish marrë të tatëpjetën si tërë shteti, që ish producenti i saj. Pas 7-8 vjetësh, pikërisht kur unë u ndjeva i sigurt me të dhe mund të xhiroja mbase filma të mirë, ajo pushoi së qeni. U mbyll pothuajse njëherë e mirë dera e saj. Se kjo mbajtja e saj gjallë kështu me projekte (tendera artistikë) ku merr ca buxhete qesharakë, filma pothuajse qesharakë do të sjellë në ekran. Sidoqoftë ndjehem mirë që kam bërë një dokumentar shumë të mirë dhe të vetmin për Kadri Roshin, për historinë drithëruese të Himnit të Flamurit , vëllezërit Manaki, Viktor Gjikën, Mumtaz Dhramin etj, duke arkivuar ca emra të mëdhenj të kulturës shqiptare. Akoma nuk kam hequr dorë nga filmi. Po më shumë prej inati dhe sedre se sa prej mundësish reale.



Ne botojmë një shkrimtare të re argjentinase, Samanta Schweblin e cila ka studiuar për skenariste. Tregimet e saj kanë një veçori që kritika e shpjegon me përvojën e saj si skenariste. A gjeni ndonjë paralelizëm në ndikimin që në skenarët tuaj të shumtë ndjehet poeti?


Besoj se mekanizmi i ndërlikuar i skenarit e ndihmon shumë një krijues të shkruaj tregime. Sepse i mëson kursimin e domosdoshëm që ka tregimi me fjalën, përshkrimin e ngjeshur dhe situatat. Skenari është një shkollë e madhe lakonizmi për tregimin. E sa për poezinë; skenari të mëson shumë shijen për një poezi të imazhit. Poezia e imazhit është ndër më të bukurat dhe që nuk harrohet kurrë sapo ta kesh lexuar njëherë. Imazhi ka një fuqi tronditëse kur tretet mirë në poezi dhe krijon emocione të fuqishme. Vetë poezia është një film që sapo e ke parë në pak vargje. Mua gjithmonë më ka tronditur për fuqinë e imazhit p.sh poeti i madh grek Janis Ricos. Tërë poezia e madhe botërore e ka të pranishëm imazhin, madje ndonjëherë është pikërisht ai që krijon big bang-un emocional më shumë se sa mesazhi që sjell tërë poezia. Shokët dhe miqtë e mi të afërt ma thonë shpesh që në poezinë time filmi ka pasur ndikimin e tij. Mbase… Ndonjëherë thjesht duhet ta besojmë një gjë edhe pa qenë të bindur.



Meqenëse keni botuar në dy periudha, a mund t’ju pyes për diçka që ka të bëjë me atmosferën krijuese? Si e shihni sot dallimin dhe a ka ndikuar kjo në ecurinë letërsisë shqipe? Ose më thjesht: a janë të përçarë, të vetmuar, të pashoqërueshëm me njeri tjetrin krijuesit shqiptarë? Mungesa e një klubi shkrimtarësh, sikundër ishte dikur, si do të ndikonte?


Oh, jo, sot atmosfera krijuese është rralluar si ajri në planetet pa atmosfeë, Nuk e di pse ndodhi. Dihej që struktura e dikurshme do troshitej, po jo deri në këtë shkallë. Nuk ka asnjë mekanizëm të tillë bashkimi të artistëve tashmë në Shqipëri që të funksionojë. Gjithçka i është lënë rrjedhës, spontanitetit. Nuk di të them nëse kjo është një gjë që duhet përjetuar si një dramë, por që të mos ketë asnjë klimë bashkëpunimi as kjo nuk është për të gëzuar. Se artistët kanë nevojë për një klimë, sidomos të rinjtë, se pas të dyzetave shkrimtari do e kërkojë vetë murgërinë, tërheqjen, manastirin. Por mund ta themi pa frikë se po, sot shkrimtarët janë të përçarë, të vetmuar. Deri këtu nuk ka ndonjë gjë për t’u trishtuar shumë. Madje për t’u trishtuar është shpesh e kundërta, kur bashkohen herë- herë në ca klane të improvizuar mbi një “manifest” që ka qëllime të këqija përfitimesh imorale, për ca ndarje çmimesh të sajuara në emër të ministrisë së kulturës dhe ku çmimet i marrin me radhë një e nga një anëtarët e klanit. E me që na dolën para çmimet, tek ne shpesh i marrin përjetësisht njerëzit e “fisit” politik pranë pushteteve, me ca lidhje tejet të pista interesash jashtë-letrare. Mos kujtoni se nuk kemi ende ca lista si ato të tmerrshmet,t ë socializmit ku pesë gjashtë emra nuk i lëvizte kurrë askush për dyzet vite me radhë. Janë dhe sot listat e rreme, por ato kanë vlerë vetëm për ata që nuk lexojnë. Lexuesit kanë listën e tyre në kokë, ndryshe nga ajo e shtetit, bordeve të jurive e të tjera gjëra si këto. Po ç’dreqin duhet që të flasim për këtë gjë kaq të parëndësishme dhe kalimtare!



Tani që jeni më i lirë nga detyrimet e përditshme, a mund ta dimë se cilat janë planet tuaj në të ardhmen?


Nuk kam plane të qarta. Kam vetëm ca sinjale të vagullta për ato që dua të shkruaj. Ka kohë që jam marrosur pas baladave dhe legjendave të moçme shqiptare. Është kuturisje e madhe të merresh me to, por po ashtu si fëmijët, poetët e kanë qejf zjarrin që djeg. Mbase së afërmi do botoj një libër me balada. Mbase! Por këtu duhet heshtur se ku i dihet se ç’trille luan edhe për letërsinë fati.


Të faleminderit!


© Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,226 Lexime
2 vjet më parë