Kalaja e Petrelës

Piknik në Kalanë e Petrelës, vetëm 18 km larg kryeqytetit

Brenda një territori të vogël, ka mundësi përzgjedhjeje; turizëm kulturor, kulinari, gjelbërim dhe turizmi agrar. Që të gjitha shkrihen mes tyre, duke mbetur ndër trevat më të vizituara në periferi të Tiranës.

Fundjava i gjen të gjithë kryeqytetasit me një dëshirë të madhe për t’u arratisur nga pluhuri dhe zhurma drejt një vendi ndryshe i cili t’u falë qetësi. Por cilat janë mundësitë? Të shumtë janë ata që zgjedhin të kalojnë fundjavën në Kalanë e Petrelës e cila ndodhet vetëm 18 km larg kryeqytetit.

Brenda një territori të vogël, ka mundësi përzgjedhjeje; turizëm kulturor, kulinari,gjelbërim dhe turizmi agrar. Që të gjitha shkrihen mes tyre, duke mbetur ndër trevat më të vizituara në periferi të Tiranës.

Kalaja e Petrelës ngrihet mbi një kodër shkëmbore sipër fshatit me të njëjtin emër, ka trajtë trekëndore me dy kulla vrojuese. Ndërtimi i parë i saj i përket periudhës së antikitetit, ndërsa forma e sotme daton në shekullin e XV.

Nëse kthehemi pas në kohë do shikojmë që Kalaja e Petrelës bënte pjesë në sistemin sinjalizues dhe mbrojtës të kalasë së Krujës. Kjo kala ishte nën komandën e motrës së Skënderbeut, Mamica Kastriotit.

Në ambientet e kalasë, ashtu siç ndodh në të gjitha kalatë në Shqipëri ka shërbim restoranti. Prej andej përpara shfaqet një pamje mjaft e bukur drejt luginës së Erzenit, kodrave me ullinj dhe maleve përreth.

Por nuk është vetëm bukuria natyrore ajo që tërheq vizitorë të shumtë nga vendi dhe bota, historia është një tjetër pikë e fortë e saj. Ata që dëgjojnë historinë e kalasë mbeten të mahnitur dhe nxitojnë të klikojnë në internet për të gjetur më shumë të dhëna duke dashur të ndërtojnë një tablo më të qartë të asaj që shohin gërshetuar me të shkuarën.

Roli i ceceronit në këtë rast është i domosdoshëm, por në fakt në këtë kala nuk ka një të tillë. Vendasit i orientojnë turistët, edhe të huajt, por ka raste që hasin vështirësi në komunikim dhe kjo bën që shpesh herë kalaja përpara turistëve të huaj të duket vetëm një perlë e bukur natyrore. 

Historia

Petrela njihet si vendbanim i hershëm 2000 vjet p.e.s me emrin Persqop. Petrela dhe banorët e saj ishin pjesë e fisit të Taulantëve. Për herë të parë, ky vend thirret Petrela nga Ana Komnena. Zbulimet tregojnë se Kalaja e Petrelës është ndërtuar në shekullin e VI pas Krishtit.

Kalaja u ngrit kryesisht për qëllime ushtarake, pasi nga Petrela mund të shihej Kruja si dhe sistemi i fortifikimeve mbrojtëse përreth Durrësit, pjesë e së cilës isht edhe Petrela. Kalaja e Petrelës kontrollonte rrugën Egnatia, dega Durrës-Tiranë-Elbasan, e cila për kohën kishte rëndësi të veçantë.

3,662 Lexime
7 vjet më parë