Botimi i ri

Poezitë e Rita Petros edhe në gjermanisht

Një mbrëmje e veçantë për botimin e librit “Vrima” në gjermanisht fundjavën që shkoi, mblodhi bashkë shumë dashamirës të poezisë, shqiptarë e gjermanë në Shtëpinë e Lessing-ut. Në vijim disa imazhe dhe pak nga emocionet e asaj mbrëmjeje jo vetëm letrare por me mesazhe të forta emancipuese për shoqërinë.

Një mbrëmje e veçantë për botimin e librit “Vrima” në gjermanisht fundjavën që shkoi, mblodhi bashkë shumë dashamirës të poezisë, shqiptarë e gjermanë në Shtëpinë e Lessing-ut (tashmë kthyer në një bibliotekë), që ndodhet në një nga lagjet e vjetra  turistike të Berlinit, Nikolaiviertel. 


Organizatore e takimit ishte botuesja e Anthea Verlag, Margarita Stein, e cila e hapi mbrëmjen duke e quajtur të veçantë jo vetëm botimin e këtij libri, por dhe praninë e poetes Rita Petro. 

Këtë mbrëmje e përshëndeti Ambasadorja e Shqipërisë në Berlin, Zj. Adia Sakiqi, e cila tha se ndonëse në Shqipëri ka mjaft manifestime të mentalitetit patriarkal, gratë e lira  po e sfidojnë atë çdo ditë e më shumë, një prej të cilave është Rita Petro, e cila me artin e saj dhe me praninë mediatike për tema sociale, ka një kontribut të rëndësishëm për emancipimin e shoqërisë shqiptare.

Në takim ishte i pranishëm dhe Ambasadori i  Maqedonisë së Veriut, Z. Ylber Sela, si dhe përfaqësues nga Ambasada e Kosovës. 

Moderimi i aktivitetit u realizua nga pedagogia e Universitetit të Shtutgartit, Loreta Schillock, e cila së bashku me Rita Petron zhvilloi një bashkëbisedim mjaft interesant për të pranishmit mbi lirinë e artistit, raportin e tij me censurën dhe autocensurën, dallimin mes letërsisë dhe asaj me mesazh të hapur feminist etj. 

Poetja Rita Petro iu përgjigj pyetjeve kureshtare të lexuesve gjermanë e shqiptarë në lidhje me frymëzimin për librin “Vrima”, guximin për ta shprehur hapur erotizmin, lirinë fizike e shpirtërore të gruas për të dashuruar, guximin dhe ashpërsinë ndaj çdo sjelljeje mashkullore autoritare apo vulgare. 


Shumë emocione i solli mbrëmjes dhe interpretimi i disa poezive në gjermanisht nga aktorja e mirënjohur dhe e ftuara speciale Ariella Hirshfeld dhe David Jazay. Po kështu, bazuar në vargjet e Rita Petros, Reiner Philipp interpretoi me kitarë këngët e tij. 

Përkthimi në gjermanisht u realizua nga David Jazay dhe Sofiana Filipi; ilustrimet e librit nga piktori Artur Alija.

Ky botim vjen pas publikimeve të librit “Vrima” në frëngjisht nga L’Harmattan; në rumanisht nga Corint dhe në greqisht nga Saikspirikon.


©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

227 Lexime
1 muaj më parë