Profesioni dhe praktika

Praktikat profesionale të nxënësve shqiptarë jashtë vendit

Nxënësit e Shërbimeve Sociale Shëndetësore të Shkollës "Shën Jozefi", Rrëshen kanë nisur praktikën profesionale 1-mujore në Itali. Kjo është një mundësi e mirë për shkëmbimin e përvojave dhe eksperiencave si edhe aftësimin e tyre profesional.

Shkolla e Mesme Profesionale "Shën Jozefi Punëtor" prej 16 vitesh operon në qytetin e Rrëshenit duke u dhënë mundësinë nxënësve nga i gjithë veriu i Shqipërisë, por edhe më gjerë që të arsimohen dhe të marrin njohuri profesionale në një nga drejtimet: Elektroteknik, Hidraukik, Mekanik, Shërbime Sociale Shëndetësore, Hoteleri-Turizëm si edhe TIK.


Prej 3 vitesh është hapur dega e Shërbimeve Sociale Shëndetësore, e cila ka ngjallur mjaft interes për frekuentimin e saj kryesisht nga vajzat por edhe djemtë, duke luajtur një rol të rëndësishëm për përfshirjen e vajzave në arsimin e mesëm profesional.


Në kuadër të bashkëpunimit me partnerë ndërkombëtare është mundësuar edhe aftësimi profesional i nxënësve të kësaj shkolle si nga specialistë gjerman ashtu edhe italian nëpërmjet praktikave dhe trajnimeve profesionale si në ambientet e shkollës ashtu edhe jashtë vendit.


Nxënësit e profilit të Shërbimeve Sociale Shëndetësore të kësaj shkolle kanë nisur këtë jave praktikën profesionale në shkollën “Opera Armida Barelli” në Rovereto në Itali.


Sipas burimeve zyrtare nga shkolla "Shën Jozefi Punëtor" bëhet e ditur se nxënësit do të kryejnë 1 muaj praktikë profesionale në Itali,  sipas një programi të caktuar, nën kujdesin dhe vëzhgimin e profesorëve të shkollës “Opera Armida Barelli” dhe instruktores së shkollës “Shën Jozefi”. 

Kjo është një mundësi e mirë për shkëmbimin e përvojave dhe eksperiencave si edhe aftësimin e tyre profesional.

Nga Lindita Kokaj 

©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

1,430 Lexime
1 vit më parë