Studime

Prindër, kur jeni me fëmijën hiqeni telefonin nga dora!

Në një studim të vitit 2010 në Boston ku morën pjesë 55 të rritur që hanin në një restorant me fëmijën, u vu re se 40 prej tyre u morën më shumë me telefonin gjatë vaktit dhe e neglizhuan pothuajse fare prezencën e fëmijës.

Prindërit në kohët e sotme kalojnë më shumë kohë me fëmijët e tyre krahasuar me vitin 1960, por cilësia e marrëdhënies prind-fëmijë ka rënë. Sot, prindërit janë fizikisht shumë pranë me fëmijët, por emocionalisht janë larg. Telefonat janë arsyeja kryesore e rrënimit të kësaj marrëdhënie dhe këtu nuk flitet vetëm për përdorimin e tyre nga fëmijët, por po ashtu, po aq intensivisht edhe nga prindërit. Prindërit janë vazhdimisht me “vëmendje të pjesshme” ndaj fëmijës. Ky stil i ri ndërveprimi prind-fëmijë dëmton sistemin emocional të komunikimit që është baza e të nxënit te qëniet njerëzore. Ekspertët e zhvillimit tregojnë se sinjalet komunikative që shkëmbehen mes të rriturve dhe fëmijëve ndërtojnë arkitekturën e trurit.


Studime kanë treguar se me rritjen e përdorimit të telefonëve nga prindërit, fëmijët kanë ngadalësuar të nxënin si dhe kanë vizituar më shpesh mjekun. Për shkak të shpërqëndrimit të prindërve duke kthyer një përgjigje në whatsaap apo duke kontrolluar facebook, fëmijët kanë më shumë ndërprerje të lojës apo dëmtime fizike. 


Në një studim të vitit 2010 në Boston ku morën pjesë 55 të rritur që hanin në një restorant me fëmijën, u vu re se 40 prej tyre u morën më shumë me telefonin gjatë vaktit dhe e neglizhuan pothuajse fare prezencën e fëmijës. Në një studim tjetër në Filadelfia u vu re se nënat që shpërqëndroheshin shpesh duke folur në telefon u mësonin më pak fjalë të reja fëmijëve të tyre 2-vjeçarë.


Mungesa e vëmendjes ndaj fëmijës është normale kur ndodh ndonjëherë, por nëse ndodh shpesh për shkak të smartfonëve, është e dëmshme. Përdorimi i smartfonëve nga të rriturit mund të kthehet në varësi dhe sa herë që të rriturit duhet të qëndrojnë larg telefonit bëhen nervozë dhe i perceptojnë gjërat negativisht. Si pasojë, ata janë gjithë kohës të irrituar me fëmijën dhe mendojnë se fëmija po i manipulon ndërkohë që ai është thjesht duke kërkuar vëmendje. Shkëputja e prindit nga fëmija sepse ka për të shkuar diku apo ka për të kryer një detyrë nuk është e dëmshme, por qëndrimi me fëmijën duke parë celularin dhe duke iu përgjigjur mesazheve është i dëmshëm dhe zhvlerëson fëmijën.


Nëse prindërit nuk reflektojnë në mënyrën si i përkushtohen dhe si ia japin vëmendjen fëmijës, fëmijët do ta bëjnë atë me mënyrat e tyre të ndryshme dhe në të shumtën e rasteve me ato që bëjnë një prind që ta lëshojë menjëherë telefonin nga dora; sjellje devijante, të qara, siç edhe raportojnë të gjithë mësuesit për nxënësit e tyre në këto kohë. Sigurisht që prindërit sot zgjedhin një jetë shumë aktive dhe duhet t’u përgjigjen të gjithë njerëzve, të kontrollojnë lajmet, të bëjnë pazare online etj, por këshilla është që në atë gjysmë orën që keni vendosur ta kaloni me fëmijën, zhdukeni telefonin.


(Portali Shkollor)

728 Lexime
3 muaj më parë