Përvjetor lindje

Profesor Xhevat Lloshi, njëri nga personalitetet e gjuhësisë shqiptare, mbush sot 85 vjeç

Për njërin nga personalitet e gjuhësisë shqiptare, Xhevat Lloshin,sot është një ditë e spikatur: ai mbush plot 85 vjeç. Shtëpia Botuese "Albas", e cila me gjuhëtarin Lloshi ka pasur bashkëpunime shumë të mira, i uron jetë të gjatë dhe mbarësi për të na sjellë edhe shumë vepra të tjera të çmueshme!

Për gjuhëtarin shqiptar, Xhevat Lloshi sot është një ngjarje e spikatur, data e lindjes. Njëri nga autoritetet në fushën e gjuhësisë mbush sot 85 vjeç. 


Roli i tij në shkencën e studimet shqiptare është i jashtëzakonshëm. Profesor Xhevati e ka pasuruar edhe vazhdon ta pasurojë historinë dhe kulturën e shqiptarëve, si me studimet e tij shkencore, gjuhësore, ashtu edhe me përkthimet në shqip. Ndër botimet e tij spikasin edhe dy librat studimorë botuar nga Shtëpia Botuese "Albas": “Shqipja qysh u është dukur?” dhe “Stilistika e gjuhës shqipe dhe pragmatika”. Është bashkautor i disa teksteve shkollore të gjuhës shqipe të "Albas" për Kosovën. Një bashkëpunim tjetër përzgjedhës me Prof.dr. Xhevat Lloshi është edhe ai për "Abetaren Mbarëkombëtare" Albas. Gjithashtu ai është një bashkëpunëtor shumë i mirë i "Albasit" sa u përket konsultimeve për problematika gjuhësore që akoma nuk kanë gjetur një zgjidhje të gjithëpranuar shkencore. 


Stafi i "Albasit" i bashkohet sot urimeve për këtë ditë të veçantë për profesorin Xhevat Lloshi, duke i uruar jetë të gjatë dhe mbarësi për të na sjellë edhe shumë vepra të çmueshme për gjuhën shqipe e për gjuhësinë shqiptare! 



Xhevat Lloshi


Prof. dr. Xhevat Lloshi ka lindur në Fier më 28 janar 1938. Është njëri nga personalitet e gjuhësisë shqiptare, gjithashtu njëri nga gjuhëtarët më në zë të shkencës shqiptare të albanologjisë, i shquar në veçanti në fushën e Stilistikës, Pragmatikës dh Leksikologjisë. Është diplomuar në degën e Gjuhës dhe Letërsisë Ruse në Universitetin e Tiranës. Duke qenë i pasionuar pas gjuhëve të huaja, ka përvetësuar disa gjuhë dhe sot ai flet e shkruan gjuhët: anglisht, italisht, frëngjisht, rusisht e serbisht. Ai ka qenë punonjës shkencor në Sektorin e Leksikografisë, në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë dhe në Akademinë e Shkencave (Tiranë 1961-1980). Më 1985 mori gradën doktor i shkencave me temën "Analiza stilistike e leksikut të shqipes“. Si drejtor i Qendrës së Enciklopedisë Shqiptare në vitet 1982-1999, ka organizuar punën për hartimin, për herë të parë, të veprës madhore akademike me titull: “Fjalori enciklopedik shqiptar“, 1985, ku ka qenë dhe redaktor përgjegjës i veprës. Në vitet 1992-1996 ka qenë deputet në Kuvendin e Shqipërisë.



Botimet me ALBAS 


“Shqipja qysh u është dukur?”

Në librin e tij të kohëve të fundit “Shqipja qysh u është dukur?”, autori bën një pasqyrë të ndjesive që kanë pasur dhe vlerësimeve që i kanë bërë shqipes më së pari shqiptarët vetë, por edhe të huajt gjatë shekujve, që kur është shkruar gjuha jonë: 1460 – datë që lidhet me heroin tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotin – deri në vitin 2015, me një thënie të marrë nga gazeta sllovene “Delo”, ku thuhet: “Gjuha shqipe është e mrekullueshme. Ajo është gjuhë e vjetër ilire, që nuk ngjason me asnjë gjuhë tjetër. Ka disa fjalë, që për ne tingëllojnë të njëjta, si ‘plazh” e ‘autoshkollë’. Fjalët që i dëgjon shpesh janë ‘faleminderit’ dhe ‘mirupafshim’. Përveç kësaj, libri i prof.Xhevat Lloshit u vlen studiuesve dhe për të mbështetur me citime e karakterizime për shqipen, gjatë trajtesave të ndryshme shkencore.


“Stilistika e gjuhës shqipe dhe pragmatika”


Që nga viti 1977 në degën e letërsisë e të gjuhës shqipe të Fakultetit të Historisë e Filologjisë ka nisur të jepet si lëndë më vete stilistia e shqipes. Për këtë u përgatit dhe teksti përkatës me titullin “Njohuri për stilistikën e gjuhës shqipe”, që u botua më 1987 nga Universiteti i Tiranës dhe u ribotua më 1988 në Prishtinë nga RILINDJA. Përpara tij ishte përgatitur edhe një tekst me degën e gazetarisë në Fakultetin e Shkencave Politike-juridike, që ishte botuar më 1977 me titullin “Gjuha, stili dhe redaktimi në shtyp”, pasi kishte që më 1971 të jëpëj kjo lëndë mësimore. Ndërsa më 1997-1998 krahas stilistikës u shtua edhe një kurs i shkurtër i pragmatikës. Ndëkaq edhe teksti i mëparshëm prej kohësh nuk gjendej prej studentëve, prandaj ishte i nevojshëm një botim i ri. Libri që përfshin të dy disiplinat gjuhësore dhe, natyrisht, me ndryshime kundrejt botimit të vitit 1987, u botua me titullin “Stilistika dhe pragmatika” më 1999.



Nanila Allkja Biçaku

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

388 Lexime
1 muaj më parë