Zilja e fundit!

Pushimet verore, zgjidhni librat tuaj të preferuar

Të dashur nxënës tani është momenti që ju të zgjidhni librin apo librat tuaj të preferuar për të lexuar gjatë kësaj periudhe pushimesh. Nuk e di se cila do të jetë zgjedhja juaj, por ju sugjeroj disa nga botimet Albas.

Sot u përmbyll viti akademik 2017-2018. Zilja e fundit ra për të gjithë nxënësit e sistemit arsimor parauniversitar. Sigurisht maturantët dhe nxënësit e klasave të 9-ta do të jenë duke u përgatitur për provimet e fundit, por për pjesën tjetër sot zyrtarisht nisën pushimet verore.


Unë e di që ju do vijoni të jeni shumë aktiv në rrjetet sociale ku do ndani me miqtë tuaj virtual momentet më të bukura të pushimeve verore duke postuar foto apo video. Prandaj, ju ftoj të jeni aktiv edhe në Portalin Shkollor duke na shkruar vërejtje, sugjerime apo punimet tuaja më të mira të vitit shkollor që sapo përfundoi dhe dërgojini në info@portalishkollor.al ose në albinahoxhaj@yahoo.com 


Ju kujtoj se tani është momenti që ju të zgjidhni librin apo librat tuaj të preferuar për të lexuar gjatë kësaj periudhe pushimesh. Nuk e di se cila do të jetë zgjedhja juaj, por ju sugjeroj disa nga botimet Albas: Seria “Më quajnë...” për dy vite me radhë ka rrëmbyer çmimin si libri më i mirë në Panairin e Librit me dy tituj: “Më quajnë Aleksandër Moisiu” dhe “Më quajnë Musine Kokalari”. Së fundmi kjo seri u pasua me një titull të ri “Më quajnë Arkitekt Sinani”. Kjo seri librash është e përshtatshme për fëmijë të moshës mbi 9 vjeç.


“Rrjeta e kafazit në një kopsht zoologjik: nga njëra anë një ujk me një sy, nga tjetra një djalë me një sy të mbyllur. Në syrin e ujkut shfaqet Veriu i Madh, aventura, përndjekja e vazhdueshme nga njerëzit; ndërsa në syrin e djalit të vogël, Afrika, zjarri, leopardi, antilopa, deveja...” për më tepër lexoni librin “Syri i ujkut” i cili vjen në shqip nga Amantia Kapo. 


Letërsia italiane për fëmijë është e pasur dhe e gjërë. Personazhet në librat më të mirë flasin shqip dhe vijnë për ju me këta tituj: “Historia e pabesueshme e Lavinjës”, “Një jashtëtokësor në familje”, “Shtrigushja ime”, “Matia dhe gjyshi”, “Gjyshi im ishte një pemë qershie” dhe “Stralisku”. Zgjidhni të preferuarin tuaj dhe bëhuni pjesë e historive fantastike, udhëtoni me personazhet dhe zbuloni botën e madhe të tyre. 


Mos harroni “Klasikët për fëmijë” të cilët janë një mik shumë i mirë për të gjithë ju. Me siguri që e keni parë si film “Hajdin” apo “Nils Holgersonin” por emocionet që vijnë nëpërmjet librit janë krejtësisht ndryshe. Në këtë seri librash janë tre tituj të rinj: “Hajdi”, “Udhëtimi i mrekullueshëm i Nils Holgersonit nëpër Suedi” dhe “Poliana”.


“Klasikët për të vegjël” dhe “Një familje e paparë” e cila pasurohet me katër tituj të rinj: “Pieri ndërron profesion”, “Futbolli nuk është vetëm për djem”, “Ema e ka mendjen veç të hajë” dhe “Në shtëpinë e Zhanës është tmerr” janë titujt që do t'i bëjnë më të bukura pushimet tuaja verore.


Këto janë vetëm disa nga gama e gjerë e librave që ju mund të zgjidhni për t’i lexuar, e nëse dëshironi më shumë tituj ju mund t'i gjeni duke klikuar në www.librarialbas.al ose në Librari Albas në rrjtin social Facebook. 


Portali Shkollor ju uron pushime të mbara dhe mos harroni libri është miku juaj më i mirë në çdo kohë!


(Albina Hoxhaj, Portali Shkollor)

1,633 Lexime
1 vit më parë