Autorët e rinj

QKLL shpalli fituesit e Fondit për Krijimtarinë Letrare për Fëmijë, vendi i parë shkoi për Sevi Agollin me librin “Hajdutja e buzëqeshjeve”

Sevi Agolli është shpallur nga QKLL fituese e vendit të parë e Fondit për Krijimtarinë Letrare për Fëmijë për vitin 2022 me librin me tregime “Hajdutja e buzëqeshjeve”. Ajo ka një përvojë të gjatë si redaktore përgjegjëse e një liste të gjatë tekstesh shkollore dhe artistike librash për fëmijë.

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit për të tretin vit radhazi organizoi ceremoninë e shpalljes së fituesve të Fondit për Krijimtarinë Letrare për Fëmijë. Juria, e kryesuar nga shkrimtarja e letërsisë për fëmijë, zonja Natasha Poroçani Shuteriqi, si dhe anëtarët e saj, Rovena Rrozhani, shkrimtare e letërsisë për fëmijë, Erion Kristo, studiues dhe përkthyes, vlerësuan 18 aplikimet e mbërritura në këtë fond, nga të cilët u shpallën fitues Sevi Agolli me librin “Hajdutja e buzëqeshjeve”, Fatmir Gjestila me librin “Lotët e Marit” dhe Zimo Krutaj me librin “Jona dhe deti”. 



Vendi i parë shkoi për autoren e re të librave për fëmijë, por me një përvojë të gjatë si redaktore përgjegjëse e një liste të gjatë tekstesh shkollore dhe artistike librash për fëmijë, Sevi Agolli, për librin me tregime “Hajdutja e buzëqeshjeve”, me motivacionin: “Për njohjen e mirë të botës së fëmijëve, për përshtatjen e bukur të gjuhës së tyre, për interpretimet letrare, për aktivizimin e imagjinatës dhe edukimin estetik të moshave me këshilla të vyera”.



Ky është libri i tretë i saj si autore. Duke u marrë prej vitesh me librat për fëmijë pranë shtëpisë botuese Albas dhe pas një pune rreth dyvjeçare me të, “Hajdutja e buzëqeshjeve” vlerësohet me çmimin e parë nga juria. Në qendër të këtij libri është jeta e përditshme e fëmijëve, me bëmat e tyre fëmijërore, me kokëfortësitë e tyre disa herë, si dhe me ngjarje apo dukuri që sjellin frikë dhe pasiguri te ta. Në shtatë tregimet e librit, autorja sjell shtatë ngjarje që mund të ndodhin ose ndodhin në jetën e përditshme të fëmijëve dhe jo vetëm. Bota e tyre fëmijërore disa herë përbëhet nga pasiguri dhe frikëra të ndryshme, por nëpërmjet këtyre tregimeve, me një gjuhë artistike dhe mjaft të këndshme, autorja jep udhëzime se si ta mbrojnë veten dhe ta luftojnë frikën kur përballen me dukuri e ngjarje që sjellin frikë e pasiguri. 



Temat e shtatë tregimeve janë kaq aktuale dhe të ndjeshme, si rënia e një zjarri, aksidentet rrugore që mund të ndodhin nga pakujdesi të ndryshme, dukuri natyrore si tërmetet, pandemi botërore si “Koronavirusi” apo edhe ngacmimet e ndryshme kudo ku mund të ndodhen, në rrugë, shkollë, lagje etj. Të gjitha këto ngjarje vihen në gojën e një vogëlusheje 10-vjeçare, që është dhe personazhi kryesor, duke e bërë kështu më të afërt komunikimin dhe përcjelljen e mesazheve të shumta edukative te bashkëmoshatarët e saj. Një aspekt i rëndësishëm edukativ dhe didaktik i këtij libri është se, edhe pse çdo tregim përcjell një mesazh të rëndësishëm, brenda vetë atij tregimi gjen plot mesazhe të tjera edukative.


 

Tregimet kanë një stil të këndshëm dhe të veçantë rrëfimi. Në to shpaloset bota fëmijërore me të gjitha dimensionet e saj. Ky libër nuk vjen si një manual rregullash për fëmijët, por këto rregulla që ata duhet të ndjekin në jetën e përditshme, jepen me një gjuhë të bukur dhe artistike për fëmijët, duke i marrë ato në mënyrë argëtuese dhe jo si manuale të lodhshme për fëmijët. Çdo tregim mbyllet me rregullat më kryesore ndaj ngjarjes që rrëfen, të dhëna qartë, shkurt dhe me gjuhën e fëmijëve.



Ky libër nuk është i domosdoshëm vetëm për fëmijët, por edhe për çdo prind, mësues apo i rritur që jeton, rrethohet apo punon me fëmijët.



©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,219 Lexime
1 vit më parë