Reflektimi i një prindi: Vlerësoni talentin e fëmijëve, jo lidhjet...

Portali Shkollor sjell për lexuesit këtë letër të një prindi që preferon të mbetet anonim. Është një reflektim i hapur për rëndësinë e vlerësimit të talentit të fëmijëve, përkushtimin dhe ëndrrat e tyre, pa paragjykime nga emri i prindit apo lidhje të tjera.

(Letra e mbërritur në adresat e Portalit Shkollor nga një prind që zgjodhi të mbetet anonim)


Para disa ditësh pashë revoltën në rrjetet sociale nga artistë, gazetarë dhe organizatorë spektaklesh, që ngritën zërin për mosvlerësimin e Shqipërisë në Eurovision Junior. U tha se votat nuk u shpërndanë si duhet, se Shqipëria u anashkalua, se rezultatet u ndikuan nga arsye gjeopolitike.


Deri këtu, jam plotësisht dakord. Shqipëria u përfaqësua me një këngë të jashtëzakonshme, me një performancë profesionale, emocionuese dhe të përkushtuar. Të bënte krenar për talentet shqiptare që ngjitën në atë skenë.


Por si prind, nuk mund të hesht ndaj një hipokrizie të madhe: ata që kritikuan jurinë e Eurovision Junior, po i gjejmë tani duke votuar në Festivalin e 64-t të Këngës në RTSH, dhe kritikohen nga të njëjtët artistë për të njëjtat gjëra.


Ju që quani veten artistë, gazetarë, analistë, skenaristë apo organizatorë spektaklesh: a jeni po ju ata që shpërndani çmime para se fëmija të dalë në skenë? A jeni ata që vlerësoni mbiemrin, lidhjen, mikun apo sponsorin, e jo talentin? A i lini fëmijët e talentuar në hije sepse nuk janë nip i dikujt, vajzë e dikujt apo një emër i njohur në art, politikë apo biznes?


Nëse vazhdohet kështu, shumë shpejt Shqipëria do të ketë pak talente të reja. Jo për mungesë dhuntie, por sepse mosvlerësimi vret dëshirën për të ngjitur skenën. Vret ëndrrën. Vret guximin. Dhe më pas pyetni pse shkollat e artit janë bosh, pse fëmijët nuk tregojnë interes, pse skenat nuk prodhojnë emra të rinj.


Mos i gjykoni fëmijët nga emri i prindit. Emri ynë është sakrifica: net pa gjumë, orë stërvitje, lodhje, shpresa, frikë dhe besim i palëkundur tek fëmija ynë.


Boll me klikime fallco dhe gjykime hipokrite. Sot thoni “u bë hile”, “u votua gjeopolitikisht”, “nuk e meritoi çmimin ai, por ky”. Po të njëjtën gjë bëni ju çdo ditë në skenat shqiptare, kur fëmijët me talent performojnë dhe i matni jo sipas zërit, punës dhe përkushtimit, por sipas mbiemrit që mbajnë.


A duhet vallë fëmijët të jenë “nipi i filanit” apo “vajza e filanes” për t’u vlerësuar? Me këtë sjellje nuk po krijoni artistë. Po shkatërroni ëndrra që ndërtohen me punë, disiplinë dhe dashuri të pastër për artin.


Sot pashë një gjë që nuk do ta doja kurrë: jo mosvlerësim të talentit, por vlerësim të mikut, të njohurit, të interesit, dhe kjo është e dhimbshme jo vetëm për mua si prind, por edhe për çdo fëmijë të talentuar në lulëzim.


Nesër, fëmija im do të ngjisë shkallët për të hyrë në skenën artistike. Por ato shkallë nuk do të jenë shqiptare. Do të jenë botërore, sepse aty ku vërtet vlerësohet talenti, emri i prindit nuk ka rëndësi. Ka rëndësi puna, zëri, përkushtimi dhe shpirti artistik.


Fëmija im ju sheh si idhuj: si ata që duhet të frymëzojnë. Por ju siguroj: nesër do jeni ju ata që do ta shikoni talentin e saj nga ekrani dhe do ta adhuroni.


Vlerësoni talentin sot, jo nesër. Mos prisni të tregoni krenari për talentet shqiptare, kur ato mund të jenë larguar tashmë nga Shqipëria për të gjetur vendin ku do të vlerësohen siç meritojnë.



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

128 Lexime
3 orë më parë