Intervistë

Regjisorja Ermela Ruri: "Testamenti i Ri" nga gjimnazistët e "Ismail Qemalit", një performancë që tejkaloi garën!

Intervistë me regjisoren Ermela Ruri për shfaqjen "Testamenti i Ri" me gjimnazistët e "Ismail Qemalit", Tiranë. Ajo rrëfen rrugëtimin artistik, provat dhe emocionet e skenës, si dhe fuqinë e teatrit në formimin e të rinjve përtej klasës, si mjet edukimi dhe frymëzimi.

Ka duartrokitje që zgjasin vetëm pak minuta dhe ka përjetime që mbeten gjatë në kujtesë. Për tetë gjimnazistët e shkollës "Ismail Qemali", ngjitja në skenën e Teatrit Kombëtar në kuadër të Festivalit të 9-të të Teatrove të Shkollave të Mesme të Tiranës ishte shumë më tepër sesa interpretimi i një shfaqjeje. Ishte një rrugëtim i mbushur me prova, emocione, lodhje, të qeshura, pasiguri dhe fitore personale.


Pas këtij suksesi qëndron puna e regjisores Ermela Ruri, e cila zgjodhi t'u besojë të rinjve "Testamentin e Ri" të Sacha Guitry-t dhe t'i udhëheqë në një përvojë që, siç thotë edhe vetë, shkon shumë përtej skenës. Në këtë intervistë për Portalin Shkollor Albas, ajo rrëfen si lindi ky bashkëpunim, çfarë zbuloi te këta të rinj gjatë muajve të provave, çfarë e emocionoi më shumë në natën e shfaqjes dhe pse beson se teatri mbetet një nga mjetet më të fuqishme për të edukuar, formuar dhe frymëzuar brezat e rinj.



Intervistoi: Nanila Allkja Biçaku 



Festivali i 9-të i Teatrove të Shkollave të Mesme të Tiranës ka pak javë që ka përfunduar dhe shfaqja “Testamenti i Ri” i Sacha Guitry-t, me regji nga Ermela Ruri dhe interpretim nga gjimnazistët e “Ismail Qemalit”, ishte pjesë e tij. Si, dhe kur e nisët këtë udhëtim me nxënësit e gjimnazit "Ismail Qemali" dhe çfarë ju bindi ju si regjisore se "Testamenti i Ri" ishte vepra e duhur për ta?


Udhëtimi me nxënësit e gjimnazit "Ismail Qemali" nisi rreth muajit prill, sigurisht me audicionet e nevojshme, sepse unë pak a shumë kisha disa vepra që mendoja t'i vija, duke iu përshtatur aktualitetit, dhe më shërbyen audicionet për të vendosur se cila vepër u përshtatej nxënësve me të cilët do të vihej vepra në skenë. Mendova që ajo ishte pjesa e duhur, duke e njohur shumë mirë, sepse e kam luajtur në Akademinë e Arteve kur kam qenë vetë studente. Gjithashtu, është një përkthim shumë i mirë nga pedagogia ime, Sesilja Plasari.




Për ata që nuk e ndoqën shfaqjen, çfarë historie rrëfen “Testamenti i Ri” dhe cilat janë temat që e bëjnë aktuale edhe për të rinjtë e sotëm?


“Testamenti i Ri” rrëfen historinë e njerëzve që përballen me dilema morale, konflikte familjare e shoqërore dhe me zgjedhje që vënë në provë bindjet dhe karakterin e tyre. Përmes këtyre përballjeve, shfaqja trajton tema universale si liria e mendimit dhe e veprimit, përgjegjësia individuale, e vërteta, dashuria, besimi dhe falja. Një nga mesazhet më të forta të veprës është edhe falsiteti i marrëdhënieve që ndërtohen mbi interesa, hipokrizi ose mungesë sinqeriteti, marrëdhënie që nuk arrijnë t'i rezistojnë kohës dhe sfidave. Pikërisht këto tema e bëjnë shfaqjen aktuale edhe për të rinjtë e sotëm, pasi i nxisin të reflektojnë mbi identitetin e tyre, mbi lirinë për të menduar e vepruar sipas bindjeve personale dhe mbi rëndësinë e krijimit të marrëdhënieve të vërteta, të bazuara në besim, respekt dhe autenticitet.

Regjisorja Ermela Ruri 


Në një kohë kur të rinjtë shpesh akuzohen se janë larg artit dhe librit, ju patët përballë një grup nxënësish që pranuan të kalonin orë të tëra në prova. Si i “fituat” ata për teatrin?


Është pak e vështirë, në fakt, por unë pata fatin të punoj me nxënës vërtet shumë të mirë, që e donin librin, e promovonin atë dhe, për mua, puna nuk ishte fare e vështirë. Pra, dalim në përfundimin që: jo të gjithë janë njësoj.



Çfarë keni zbuluar te këta të rinj gjatë muajve të punës që ndoshta nuk do ta kishit zbuluar në një klasë apo aktivitet të zakonshëm shkollor?


Ata ishin nxënës vërtet shumë të mirë, sigurisht me moshën e tyre: dëshirat, punët, angazhimet. Gjeta disa nxënës që e donin teatrin dhe e frekuentonin, madje disa donin të konkurronin në Universitetin e Arteve. Do të më vinte shumë mirë po t'i shihja në skenë dhe të luaja në një të ardhme me ta.



Gjimnazi "Ismail Qemali" ka një traditë të gjatë në arsim. Si e përjetuat bashkëpunimin me shkollën dhe sa mbështetje gjetët për këtë projekt?


Traditën e reflekton, sepse kam gjetur shumë mbështetje, duke filluar që nga roja i shkollës, te mësueset, drejtoresha, nëndrejtoresha dhe duhet t'i falënderoj pa masë, se ka qenë çdo gjë shumë e thjeshtë për mua. Gjeta njerëz që komunikojnë me shumë edukatë dhe gati për të ndihmuar në çdo moment.

Prindërit flasin për sakrifica, net të gjata pune dhe emocione të forta. Po për ju si regjisore e kësaj shfaqjeje cili ka qenë momenti më i vështirë i këtij rrugëtimi?


Momenti im më i vështirë ka qenë kur dolën në skenë, sepse unë e di shumë mirë sa e vështirë është dhe fakti që nuk jam aty për t'i ndihmuar, por duhet të qëndroj lart për të drejtuar shfaqjen. Më dukej sikur i kisha lënë vetëm. Edhe kur janë në skenë, sepse nuk e kanë eksperiencën e duhur për ta kaluar një moment që mund të ngelen për tekst. Ky ka qenë ankthi që më ka lënë pa gjumë mua. Por ata ia dolën të gjitha vështirësive skenike.


Po nga ana tjetër, cili ka qenë momenti kur keni menduar: “Po, ia kemi dalë”?


Po, ia kemi dalë kur shihja ndarjen e personazheve, që u rrinin shumë mirë secilit, dhe kur ndihmonin njëri-tjetrin në skenë. Kuptuan artin ansambël që ka teatri.



 Çfarë emocionesh patët kur i patë të ngjiteshin në skenën e Teatrit Kombëtar, përballë publikut dhe jurisë së festivalit?


E vetmja gjë që kam menduar ishte: janë shumë të talentuar, korrektë dhe të edukuar. Isha e sigurt që do t'ia dilnin.



Çfarë i bëri të veçantë të rinjtë (Luisin, Aidën, Besartin, Megin, Kristin, Anën, Gerdin, Erlën) që sollën në skenë “Testamentin e Ri”?


Janë disa të rinj që duan të njohin, të eksplorojnë veten në forma të ndryshme, gjithashtu edhe sfidojnë. Këtë eksperiencë, që disave ndoshta nuk do t'u duhet më në jetë, besoj që do ta shfrytëzojnë në forma të tjera. Ky grup dinte si t'i kanalizonte aftësitë dhe për këtë i kam vlerësuar gjithmonë. Kjo i ka bërë shumë të veçantë për sytë e mi.



Shpesh suksesi i një shkolle matet me rezultatet akademike, por ju sapo keni përjetuar një proces që shkon përtej notave. Çfarë fituan këta të rinj nga kjo eksperiencë dhe pse mendoni se arti dhe teatri janë po aq të rëndësishëm sa mësimi në klasë?

Arti është shumëdimensional, sidomos teatri. E para fillon që te ndarja e roleve, arritja ditë pas dite në prova, pastaj skena ka vlerësimin e vet me publikun, sepse ai nuk gënjen kurrë dhe thotë gjithmonë të vërtetën. Teatri është art ansambël, të socializon, të bën të studiosh histori, duke nxjerrë informacionet e nevojshme të kohës kur është shkruar vepra, të mëson të flasësh, të artikulosh, të komunikosh, të mëson inteligjencën emocionale etj., etj.



Sa ndikojnë festivale si "TK Rin Art" në zbulimin e talenteve të reja dhe në afrimin e të rinjve me artin?


Shumë, shumë, shumë! Sepse mosha është shumë e përshtatshme dhe fakti që bashkëpunojnë shumë shkolla është ideal, që përfshijnë njëra-tjetrën dhe regjisorët, aktorët kanë mundësi t'i shohin dhe t'i drejtojnë. Të krijojnë marrëdhënie dhe kështu edukohen breza që do ta kenë domosdoshmëri artin si ushqim shpirtëror.



Shpesh flasim për fitues dhe çmime. Për ju, cila është fitorja më e madhe e këtyre nxënësve?


Për mua ishte sfida që ata morën përsipër dhe ia dolën.



Dhe në fund, çfarë do të dëshironit të mbetej në kujtesën e nxënësve shumë vite më vonë, kur të kujtojnë "Testamentin e Ri"?


Provat! Provat, po të xhiroheshin, do të tregonin që janë më të bukura se shfaqja. E them këtë për ata që nuk kanë marrë pjesë ndonjëherë. Kemi qarë dhe kemi qeshur, kemi krijuar marrëdhënie me njëri-tjetrin shumë të mira. I kam falënderuar prindërit që kanë fëmijë kaq të mirë, kam takuar qytetarë që do t'i bëjnë shumë mirë vendit tonë. Besoj që ata do të mbajnë mend që kemi punuar dhe jemi kënaqur shumë.




© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

118 Lexime
1 orë më parë