KUMTESË

Roli i teknologjisë së informacionit në mësimëdhënie

Robert Toska mësues i shkollës "5 Dëshmorët" Suk i Poshtëm, Fier, rendit arsyet pse teknologjia zë vend në mësimdhënie. Përdorimi i mirë i TIK dhe në mënyrën e duhur shërbën si një lehtësi në procesin e të nxënit.

Roli i teknologjisë së informacionit në mësimëdhënie dhe rëndësia e një stafi pedagogjik të aftë për ta përdorur atë.

Ka shumë vite që teknologjia e informacionit ka marrë një hov shumë të madh në të gjitha aspektet e jetës së përditshme.

Këtu nuk bën përjashtim edhe fusha e arsimit në vendin tonë, ku vitet e fundit është futur akoma edhe më shumë në Kurrikulat e shkollave. Me fillimin e implementimit të Kurrikulës në Bazë të Kompetencave përdorimi i TIK është futur edhe më shumë në programet që zhvillohen në shkolla. Këtu vlen të përmendim dhe faktin që tashmë kjo lëndë mësimore fillon të aplikohet në shkollat tona duke filluar nga klasa IV (katër) për të vazhduar më tej në të gjitha klasat e Arsimit Parauniversitar.


Duke u nisur thjesht nga ky fakt, pra fillimi i marrjes së njohurive të TIK qysh në klasat e Arsimit Fillor lind natyrshëm nevoja që edhe mësuesit e këtyre klasave duhet në radhë të parë të jenë të aftë në përdorimin e TIK. Për këtë gjë kanë patur vlerë, jo vetem kurset apo trajnimet private të zhvilluara nga ana e mësuesve në etapa të ndryshme të shkollimit të tyre, por edhe trajnimet e shumta që janë realizuar nga ana e institucioneve në varësi të Ministrisë së Arsimit Sportit dhe Rinisë.


Dikush mund të pyes: Pse është kaq e rëndësishme që mësuesit të jenë të aftë në përdorimin e TIK gjatë mësimëdhënies?

Këtu mund të përmendim një serë arsyesh që janë pro një stafi pedagogjik të aftë në përdorimin e TIK. Ndër to mund të përmendim:


1. Në të gjithë tekstet që përdoren sot në shkallë të ndryshme të Arsimit Parauniversitar jepen detyra të ndryshme hulumtuese apo të formave të ndryshme ku duhet që pjesë të ndryshme të njohurive apo të informacioneve të merren duke shfrytëzuar internetin apo burime të ndryshme alternative.

Por, përpara se një mësues të japë një detyre të tillë duhet që vet ai të jetë i sigurtë për llojin e informacionit që qarkullon në internet, për faqet elektronike e shpërndajnë atë dhe për sigurinë që transmeton ai informacion (besueshmëria e tij)


2. Në klasa të ndryshme të Arsimin Parauniversitar një pjesë e detyrave mund të jepen dhe të kërkohen në formë elektronike gjë që mundëson marrjen e detyrave në kohë reale nga mësuesi apo edhe të vlerësimin nga ana e nxënësit. Po kështu kjo mënyrë ju vjen në ndihmë edhe nxënësve që për arsye të ndryshmë shëndetësore nuk mund të jenë fizikisht prezent në orën e mësimit. Nga ana e MASR janë iniciuar disa projekte që kanë në fokus mësimin me anë të metodës “E-learning” e cila gjen aplikim në shkolla të ndryshme të vendit tonë.

3. Formatimi i evidencave personale që mësuesi mban për të evidentuar apo dokumentuar shkallën e përvetësimit të njohurive apo të kompetencave nga ana e nxënësve është në dorën e tij. Pra, ai ka lirinë që ta formatojë atë në mënyrë që ai e gjykon më të arsyeshme duke ruajtur logjikën e formimit për të nxënë. Kjo e fundit mund të jetë edhe në formë elektronike në mënyrë që të ruhet për një afat kohor më të gjatë nëse duhet qoftë edhe për qëllime statistikore. (psh ecuria e nxënësit në klasa të ndryshme brenda nivelit).


4. Gjithmonë e më tepër informacioni për vlerësimin e përmbushjes së kompetencave pra përparimin e nxënsve apo dhe frekuentimin e tij po jepen ne kohë reale. Shkolla të ndryshme të cilat kanë kapacitetet dhe mjetet e duhura kanë përshatur strukturën e tyre që prindërit të njihen në kohë reale(brenda ditës) me përparimin e fëmijës së tyre, është paraqitur në shkollë apo jo, ka realizuar në kohë detyrat e dhëna apo dhe problematika të tjera ë mund të ketë fëmija i tyre gjatë kohës që ai është pranë ambjenteve shkollore. Kjo realizohet nga plotësimi në kohë reale i të dhënave nga mësuesit e shkollës.

5. Të përdorurit e TIK është një domosdoshmëri edhe për zhvillim profesional të vet mësuesit. Sot qarkullojnë një serë teknikash dhe metodash mësimëdhënie të cilat mund të aplikohen shumë mirë dhe lehtë në orë të ndryshme mësimore. Në këtë mënyrë një mësues i aftë në përdorim e TIK mund të njihet në kohë reale me to. Një avanzh tjetër janë edhe rrjetet e diskutimit që mund të krijohen në rrjete të ndryshme sociale apo edhe “blogje” të ndryshme online ku mësuesit mund të shkëmbejnë eksperienca, njohuri dhe raste të ndryshme specifike të cilat shfaqin interes dhe shërbejnë për t’u marrë si modele në të ardhmen. Pikërisht kjo mënyrë e zhvillimit profesional pasqyrohet edhe në Udhëzimin Nr. 1, datë 20.01.2017 “Për fuksonimin e sistemit të zhvillimit të vazhueshem profesional të punojësve arsimor”, kreu XII “Rrjetet profesionale”. Neni 38 pika 2.


6. Përdorimi i TIK një mësuesi i shërben edhe për komunikimin zyrtar me drejtues të shkollës apo struktura të tjera të cilat janë të autorizuara për marrje dhe përpunim informacioni brenda ligjeve dhe rregullave të konfidencialitetit. Mund të dërgohen të dhëna në mënyrë që përpunimi i tyre të realizohet me lehtë dhe më shpejt me anë të programeve të ndryshme. Komunikimi elektronik është më i shpejtë dhe e lehtëson një mësues në punën e tij pasi mund ta kryej atë kur ai është në lëvizje apo dhe nga mjedise të tjera si psh: banesa e tij


Këto arsye janë disa prej shumë të tjerave të cilat i shërbejnë një mësuesi që të jetë i aftë në përdorimin e TIK gjatë procesit të tij të punës. Përdorimi i mirë i TIK dhe në mënyrën e duhur shërbën si një lehtësi në procesin e të nxënit.

(Portali Shkollor)

397 Lexime
2 javë më parë