Leximi i librave

Sa i duam librat?

Nga statistikat më të fundit zyrtare të bëra publike nga INSTAT thuhet se 1 milion shqiptarë nuk kanë lexuar as edhe një libër të vetëm. A po u largohen shqiptarët librave të shtypur? A e dinë ata vlerën dhe përfitimet e vërteta që vijnë nga leximi i librave?

“Pajisjet në ndihmë të leximit nuk përbëjnë rrezik për letërsinë, i vetmi rrezik për letërsinë janë njerëzit. Për shembull, rrezik janë ata njerëz që nuk lexojnë”, - ka thënë romancieri dhe skenaristi hungarez, László Krasznahorkai.

Statistikat në vendin tonë, por ndjeshëm edhe në botë, tregojnë nga viti në vit një rënie të ndjeshme të numrit të lexuesve. Teknologjia nuk është shkaku kryesor, përkundrazi, falë shitjeve online të librave elektronikë, apo të librave në version audio, njerëzit kanë çdo formë të mundshme për të qenë më pranë dijes. 


Pse ndodh kjo zbehje? 


Modernizmi po dembelos çdo fushë të jetës. Lajmet mbi aktualitetin merren me një të shtypur të ekranit. Për një pjesë të popullatës kjo mjafton. Të rinjtë dhe studentët mund të lexojnë dhe të futen në brendinë e mesazheve dhe përmbledhjeve të librave, pa i lexuar ata, thjesht duke i marrë të gatshme në portalet online. 


Sa dëme shkakton kjo metodikë?


Shifrat flasin qartë. Në anketimin e fundit të bërë në vendin tonë nga INSTAT-i, rezulton se:

  • Në vitin 2018 raportohen se 1 milion shqiptarë nuk kanë lexuar as edhe një libër të vetëm.
  • Rreth 44 mijë shqiptarë raportohen të kenë lexuar më shumë se 10 libra.
  • Rreth 583 mijë shqiptarë lexojnë gazeta dhe lexime online çdo ditë. 
  • Numrat e frekuentimeve në Bibliotekën Kombëtare kanë rënë nga 150 mijë në 88 mijë që nga viti 2017 e më tutje. 
  • Në platformat online shënjohen mbi 20 mijë dëgjues të përditshëm dhe aktivë të librave dhe artikujve elektronikë. 


Orientimet e shoqërisë sonë janë drejt dembelizmit, drejt informacioneve të shkurtra dhe të përmbledhura nga aktualiteti. Të rinjtë preferojnë të shpenzojnë kohën e lirë në portale dhe rrjete sociale për të komentuar apo argëtuar, duke devijuar nga formimi kulturor dhe letrar. Kjo prirje dëmtuese po krijon breza të rinj me preferenca të ulëta, drejt rënies pre e informimit të pasaktë.  


Nga krijimi i Amazon-it në 2007 e gjer më sot, tregu i librave ka lulëzuar. Ndërkaq, në botë shifrat tregojnë rritje, kur flitet mbi librat elektronikë. “Libri elektronik” i quajtur ndryshe “e-book” është kthyer në simbol të botës digjitale, veçanërisht gjatë izolimit nga pandemia, ku njerëzit kishin kohë të lirë për t’iu kthyer leximit, pa pasur nevojë të dilnin jashtë mureve të shtëpisë. Në SHBA, nga statistika shikohet se numri i lexuesve të librave elektronikë ka arritur në 80 milionë nga viti 2014-2020. 


A po u largohen shqiptarët librave të shtypur?


Si shembull shërbejnë gazetat. Sot shikohet që prirja e njerëzve është përgjithësisht e orientuar online, e më pak nga shtypi i shkruar. Gazetat  e shtypura blihen çdo ditë e më pak, thuajse vetëm nga brezi i moshuar, të cilët e kanë më të vështirë përdorimin e pajisjeve elektronike. Lajmet transmetohen nga televizori, nga portalet online, blogjet, rrjetet sociale. Pas disa vitesh, gazetat mund të mos gjenden më në formatin letër, duke parë preferencat në ulje të tregut. E, pas disa dekadash, gjasat janë që brezat e ardhshëm të gjejnë gazeta vetëm nëpër arkiva e muze. 


Çfarë përfitojmë nga leximi? 


Të mirat e leximit me librin janë të pafundme. Lexuesi dhe libri përbëjnë një lidhje të shenjtë, formuese, terapeutike, medituese, ndihmuese, zhvilluese, intelektuale, emocionale, gazmore dhe harmonike. Fëmijët rriten më të shëndetshëm me librat nëpër duar. Të rinjtë zhvillohen për nga mendësia dhe kultura me libra nëpër duar. Të rriturit mund të çlodhen dhe të plotësohen,  kur lexojnë libra. Shoqëria që aspirojmë si idealen, rrënjët duhet t’i ketë gjithmonë te leximi dhe libri. 


Nga statistikat:


  • Librat i ndihmojnë fëmijët 50% më shumë në shprehjen e fjalëve krahasuar me televizorin.
  • Leximi redukton stresin në 68%, më shumë se të dëgjuarit muzikë, të pirët e  një filxhani çaji, apo të ecurit në natyrë. 
  • 50% e njerëzve që lexojnë përpara se të flenë, raportohen se bëjnë gjumë më të shëndetshëm krahasuar me ata që nuk lexojnë. 
  • Lexuesit afatgjatë kanë shanse më të ulëta të diagnostikimit me Alzheimer dhe forma të tjera të demencës në krahasim me bashkëmoshatarët e tyre. 


Sa i duam librat? 

Si shoqëri, librat i përqafojmë rrallë. Si lexues, librat duhet t’i duam me forcën e ruajtjes. Të jemi luftëtarë sikurse të parët tanë kanë luftuar për të mbrojtur dhe promovuar fuqinë e shkrimit dhe të leximit. Libri është rruga drejtë njohjes së vetes, tjetrit, shoqërisë, dashurisë, logjikës, artit dhe kulturës. 


“Lexova një libër një ditë dhe e gjithë jeta ime ndryshoi.”- Orhan Pamuk. 



Përgatiti Xhoana Jaku 

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

1,504 Lexime
2 vjet më parë