Sarda, vlerë e paçmuar natyrore dhe historike
Një ndër vendet e këshillueshme për t’u vizituar në Shqipëri dhe që karakterizohet nga vlera të mëdha ekoturistike është edhe qyteti mesjetar i Sardës.
Turistët e huaj, Shqipërinë, tashmë nuk e vizitojnë vetëm për bukuritë e natyrës dhe plazhet e mrekullueshme. Harta e vizitave ka ndryshuar dukshëm dhe një vend të veçantë zë turizmi kulturor, ku në krye të preferencave qëndrojnë objektet me vlera historike dhe arkeologjike.
Një ndër vendet e këshillueshme për t’u vizituar dhe që karakterizohet nga vlera të mëdha eko turistike është edhe qyteti mesjetar i Sardës.
Sarda, që sot njihet si Kalaja e Shurdhahut, ndodhet në një ishull të liqenit të Vaut të Dejës, rreth 35 km larg nga qyteti i Shkodrës.
Zona përreth kësaj qendre kulturore është një nga vendet më të rëndësishme arkeologjike dhe historike. Në të gjenden rrënojat e një kalaje antike romake dhe një numër objektesh të tjera me vlerë për t’u vizituar, që i përkasin shek. të11-të.
Për këtë qytezë kanë shkruar shumë studiues të huaj si Ippen, De Grandi, J. G. Hahn, si dhe studiues e arkeologë shqiptarë, të cilët e kanë vlerësuar si një mbartëse të kulturës Ilire. Vetë emri i saj i transformuar në Shurdhah ka origjinë Ilire nga qyteti i Sardis.
Sarda ka qenë një stacion pushimi në rrugën e vjetër të Dardanisë. Në vitin 877 ka qenë qendër e krahinës së Polatit. Sarda, dikur një qytezë përbri Drinit, si një gadishull strategjik dhe si një pikë ndërlidhëse me rrugën e vjetër Gjakovë-Shkodër-Ulqin, ishte vendbanim i familjes së madhe feudale të Dukagjinëve ku ata ndërtuan pallatin mbretëror.
Sot një qytezë e pabanuar e rrethuar me kurorën e bukur të ujit të kristaltë të Drinit, Sarda është kthyer në një ishull interesant dhe në një pikë të rëndësishme turistike.
Gjuha shqipe, ndër tre gjuhët më të vjetra në botë
“Planeti X do të shkatërrojë Tokën?”
Vendi që ushqen 120 milionë studentë në ditë