Sfilata që mori jetë nga vizatimet e fëmijëve

Gjuha e shenjave, buzëqeshja, sytë e ngazëlluar, por edhe sfilata e tyre të cilat u duartrokitën gjatë na përlotën dhe na treguan se dhe ata vlejnë!

Gjuha e shenjave, buzëqeshja, sytë e ngazëlluar, por edhe sfilata e tyre të cilat u duartrokitën gjatë na përlotën dhe na treguan se dhe ata vlejnë! Revista Living në bashkëpunim me dizajneren Mirela Nurçe dhe UNDP Albania prezantuan mbrëmë projektin “Veshur me Pafajësi”.

Vizatimet e fëmijëve të Institutit të Nxënësve që nuk dëgjojnë erdhën përmes një sfilate të hedhur në veshje dhe aksesorë nga Mirela Nurçe, duke krijuar një linjë që mbart një mesazh të fuqishëm.

Pas imazhit të modeles me famë botërore, Emina Cunmulaj, dhjetëra personalitete të artit, politikës dhe përfaqësues të ambasadave, u bënë pjesë e kësaj nisme e para në llojin e saj e ideuar nga Genti Minga.

Emra të njohur të ekranit dhe medias si Ulpiana Neziri, Alba Malltezi, Daniela Kostandini, Klodiana Shala, Stela Kotri, Xhani Shqerra, Hueyda El Saied , Rezarta Skifteri apo Blendi Salaj, i dhanë tjetër kuptim kësaj mbrëmje krah këtyre fëmijëve, veshjet e skalitura nga duart e tyre u shpalosën njëra pas tjetrës.

Synimi

“Veshur me Pafajësi” synon të rrisë ndërgjegjësimin për të drejtat dhe nevojat e fëmijëve e të rinjve që nuk flasin e nuk dëgjojnë, të cilët kanë aftësi të spikatura, që shpesh nuk i njohim ose i anashkalojmë, sepse përqendrohemi vetëm te kufizimet e tyre. Nxënësit shurdhmemecë zhvillojnë një aftësi vizuale të madhe; për ta ngjyrat, format, imazhet luajnë rol të rëndësishëm në përpjekjen për t’u integruar. Objektivi kryesor i këtij projekti është t’i përcjellë një audience më të gjerë mesazhet e tyre; qëllimi i dytë, po aq i rëndësishëm, është t’i kushtojë rëndësi artit të fëmijëve. Deri sot punët e tyre janë shfaqur brenda ambienteve të shkollës dhe menjëherë pas kësaj, janë harruar apo lënë mënjanë, por Living e Nurçe Couture, nëpërmjet këtij projekti, do t’i bëjë këto punime artistike më jetëgjata e të vlefshme. 

“VISHU ME PAFAJËSI” edhe ti!

Duke blerë një veshje ose aksesor nga ky koleksion, ti kontribuon në dy mënyra për të përmirësuar jetën e fëmijëve të Institutit Të Nxënësve Që Nuk Dëgjojnë: së pari, 20 % e vlerës së shitjes së çdo produkti shkon për Institutin; së dyti, duke përcjellë te këta fëmijë mesazhin se arti i tyre vlen. Porositë për veshjet e aksesorët bëhen në muajt nëntor-dhjetor, kurse shpërndarja e tyre në periudhën janar-shkurt. Kini parasysh se ky është një projekt bamirësie e produktet janë të personalizuara, për këtë arsye kalon shumë kohë që nga porositja deri te realizimi i tyre.

926 Lexime
3 vjet më parë