“Shahu, gjimnastika e mendjes”, prindërit vlerësojnë rolin edukativ në formimin e nxënësve
“Shahu, gjimnastika e mendjes”, prindërit nga Durrësi vlerësojnë rolin edukativ të lojës në zhvillimin e nxënësve dhe punën e mësueses Denisa Gajda në formimin e tyre intelektual e emocional.
“Shahu është gjimnastikë për mendjen”, nga Blaise Pascal
Një grup prindërish
Në një kohë kur edukimi dhe formimi i fëmijëve kërkon më shumë sesa njohuri teorike, loja e shahut dëshmon se është një mjet i fuqishëm për zhvillimin emocional, shpirtëror dhe intelektual të tyre. Përmes saj, fëmijët mësojnë përqendrimin, durimin, vendimmarrjen dhe mbi të gjitha ndershmërinë në garë, virtytekëto, që i shoqërojnë gjatë gjithë jetës.
Një shembull i shkëlqyer i këtij misioni edukativ është puna e palodhur e mësueses së Edukimit Fizik, Denisa Gajda, trajneres së shahut në shkollat “Marie Kaçulini” dhe “14 Nëntori” në Durrës. Me një disiplinë të admirueshme etike dhe profesionalizëm të lartë, ajo trajnon nxënës nga klasa e dytë deri në të nëntën, duke i udhëhequr drejt dashurisë për këtë lojë fisnike.
Në orët e saj të trajnimit, shahu nuk është thjesht një lojë, sepse ajo bën të pamundurën që çdo seancë të kthehet në një laborator mendimi, ku çdo lëvizje të shndërrohet në një ushtrim arsyetimi dhe çdo ndeshje në një mësim jete.
Nën kujdesin e saj, nxënësit mësojnë të respektojnë kundërshtarin, të pranojnë humbjen me dinjitet dhe të festojnë fitoren me modesti. Përmes këtij procesi, zhvillohet jo vetëm logjika matematikore, por edhe vetëkontrolli dhe integriteti personal, tipare identiteti shumë të rëndësishme për tu kultivuar që në moshë të re.
E papërtuar dhe gjithmonë e komunikueshme, mësuese Denisa ndërton ura të forta bashkëpunimi jo vetëm me nxënësit, por edhe me ne prindërit. Ajo është gjithnjë e pranishme, e kujdesshme në komunikim dhe e drejtë në vlerësim, duke krijuar një mjedis të shëndetshëm dhe motivues për të gjithë. Nëse ndodh që fëmijët tanë të jenë të sëmurë e të jenë këshilluar nga mjeku i familjes për regjim shtrati, kur vjen puna për seancat e shahut, këshilla e tij nuk përfillet! Kënaqësia që marrin në seancat e shahut ia kalon çdolloj rekomandimi mjekësor për t’u ndier më mirë!
Përkushtimi dhe dashuria e saj për ekipin nuk kanë kaluar pa u vënë re. Falë punës së saj të vazhdueshme, njëra nga shkollat, pati nderin të mirëpresë edhe presidentin e Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, Zotin Fidel Ylli, i cili vlerësoi përpjekjet për ta ngritur shahun në nivele më të larta dhe për ta kthyer në një sport elitar për të rinjtë.
Në prani të Presidentit të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli, dhe Presidentit të Federatës Shqiptare të Shahut, Erald Dervishi, me datë 23 shkurt 2026, nisi procesi i dorëzimit të materialeve të nevojshme për praktikimin dhe ushtrimin e shahut në shkollën “Marie Kaçulini”.
Sipas tij, për herë të parë këtë vit, shahu bëhet pjesë e projektit “Ekipet Sportive në Shkolla”, i shtrirë në 30 shkolla në 7 qarqe të vendit, duke zgjeruar më tej hartën e sportit në sistemin arsimor.
Presidenti Fidel Ylli e cilësoi këtë si një hap të rëndësishëm për forcimin e edukimit të fëmijëve përmes sportit, duke theksuar rolin e shahut në zhvillimin e mendimit strategjik, përqendrimit dhe disiplinës.Për të, ky mbetet një investim konkret për të ardhmen dhe për një brez të ri më të përgatitur.
Në një botë gjithnjë e më të shpejtë, të shqetësuar e të shpërqendruar, figura si zonja e nderuar Denisa Gajda dëshmojnë se përkushtimi, pasioni dhe profesionalizmi mund të formojnë jo vetëm shahistë të mirë, por edhe qytetarë të denjë për të ardhmen.
Fëmijët e qytetit të Durrësit, duhet të ndihen me fat që kanë mundësinë të punojnë nën shembullin dhe përkushtimin e saj!
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Gazeta Digjitale e Nxënësve, zëri i ri i kreativitetit në shkollën "Avni Rustemi" Kukës
Evans Drishti: Olimpiada Kombëtare e Letërsisë, mungesë transparence dhe sfida për nxënësit elitarë
Manushaqe Hoxha Laçi: Mësuesi, amortizatori i heshtur i përplasjeve të shoqërisë