Shtëpia Botuese “Albas” rrëmben tri vlerësime në Fondin e Krijimtarisë Letrare për të Rinj 2025

Shtëpia botuese “Albas” u vlerësua me tri çmime në Fondin e Krijimtarisë Letrare për të Rinj 2025 nga QKLL, përfshirë një vepër fituese dhe dy dorëshkrime që do të mbështeten për botim.

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit (QKLL) ndau sot çmimet për fituesit e Fondit të Krijimtarisë Letrare për të Rinj për vitin 2025, një nismë që synon të nxjerrë në pah zërat e rinj të letërsisë shqipe dhe të mbështesë botimin e dorëshkrimeve premtuese nga autorë të rinj. Juria, e përbërë nga shkrimtari Ylljet Alicka (kryetar), pedagogia e letërsisë Dhurata Shehri dhe gazetarja e kulturës Arta Marku, përzgjodhi tre fitues dhe vendosi të mbështesë për botim edhe tre dorëshkrime të tjerë.


Në këtë edicion, vëmendjen më të madhe e tërhoqi shtëpia botuese “Albas”, e cila u vlerësua me tri çmime, duke përfshirë një nga çmimet kryesore dhe dy dorëshkrime që do të mbështeten për botim.


Fituesit e çmimeve kryesore janë:


  • Ena Bulku për romanin “Pallati i dëshpërimit”, botuar nga Ombra GVG, me motivacionin: “Një roman që eksploron në mënyrë fine fatin e individit, botën e tij të brendshme duke përzier erudicionin, poezinë dhe meditimin mbi kohën dhe kujtesën.”
  • Arbër Selmani për vëllimin me tregime “Testosteron”, botuar nga Albas, me motivacionin: “Proza që shkëlqejnë me intuitë dhe stil në zbulimin e të vërtetave të artit.”
  • Elvin Nuri për vëllimin poetik “Shpikja e skandalit në idil”, botuar nga Berk, me motivacionin: “Poezi e vetmisë urbane, që figurën e bën zgjedhje jo dekorative.”


Me propozimin e jurisë, do të mbështeten për botim edhe tre dorëshkrime të autorëve të rinj:


  • Liza Brozi me dorëshkrimin “Vdekja e kukullës”, nga shtëpia botuese Albas;
  • Antonio Çikollari me dorëshkrimin “Pesë vdekje”, nga shtëpia botuese Albas;
  • Xhensila Dautllari me dorëshkrimin “Anahera: E fshehta në godinën e pestë”, nga shtëpia botuese Toena;


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

121 Lexime
13 orë më parë