Këshilla

“Si nuk i ngjave një çikë motrës?”

Studimet tregojnë se cilat janë 9 frazat që prindërit nuk duhet t’ua thonë fëmijëve, për shkak të efektit negativ që këto shprehje kanë në procesin e rritjes dhe të zhvillimit të tyre.

Në marrëdhënien prind-fëmijë është e vështirë të arrihet ekuilibri ideal. Herë-herë prindërit tregohen të rreptë, herë sillen si miq duke dashur që fëmija i tyre të jetë më  i miri nga të gjithë. E kur nuk ia dalin, e humbasin durimin dhe përdorin fraza të tilla si: “Boll se do fillosh të qash me vërtet më duket”, “Mos qaj”, “Më lër rehat”, “Si nuk i ngjave një çikë motrës?”... Studiuesit tregojnë se cilat janë disa nga frazat që ndikojnë negativisht tek fëmijët dhe nuk duhen përdorur.


1. “Më lër rehat”

Është normale që prindi të marrë gjysmë ore pushim nga fëmija për t’u shplodhur, por kur i thoni fëmijës shumë shpesh “më lër rehat”, ata fillojnë të mendojnë se nuk ka kuptim t’iu drejtohen më dhe se ju u bëni gjithmonë dalje. Gjeni mënyrat e duhura për të marrë pushimin tuaj. 


 2. “Je shumë….”

Fëmijët e vegjël besojnë çdo gjë që dëgjojnë ndaj kur ju i etiketoni ata si për shembull “ky është i turpshmi im”, fëmija fillon ta besojë atë vlerësim për veten dhe fillon të shfaqet ashtu.


3. “Mos qaj”

Është normale të duash ta mbrosh fëmijën tënd nga ndjesitë e këqija, por duke i thënë “mos u ndjej ashtu” ju nuk e ndihmoni atë, madje i jepni mesazhin që nuk është mirë të shprehë ndjenjat e veta dhe se ato janë të papranueshme. 


4. “Si nuk i ngjave një çikë motrës?”

Mund t’iu duket se po i nxitni kur i krahasoni me motrën, vëllain, shokun apo komshiun, por krahasimet gjithmonë janë një boomerang. Çdo fëmijë ka ritmin dhe personalitetin e tij dhe kur e krahasoni, i jepni mesazhin se dëshironi që fëmija juaj të ishte ndryshe. 


5. “Ti di më shumë se kaq”

Njësoj si krahasimet, këto shprehje lëndojnë fëmijën në mënyra që prindërit nuk i imagjinojnë. Së pari, fëmija mbase aq di ose fëmija gjendet në një situatë të re ku nuk e aplikon dot menjëherë atë që ka mësuar. 


6. “Boll se do fillosh të qash me vërtet më duket”

Kërcënimet, që janë shpesh rezultat i frustrimit të prindit, rrallë herë funksionojnë. Sa më të vegjël të jenë fëmijët, aq më shumë kohë duhet që të mësojnë një mirësjellje të caktuar. “Studimet tregojnë se shanset që fëmija dy-vjeçar ta përsëritë një gabim gjatë ditës janë 80%, pavarësisht mënyrës suaj të disiplinimit”,  - thotë Murray Straus, Ph.D.


7. “Prit sa të vijë babi”

Për të qenë efektive, situata duhet të kontrollohet në moment nga vetë ju. Disiplinimi që shtyhet nuk lidh pasojat me veprimet që ka bërë fëmija. Derisa të kthehet babi nga puna, ajo situatë është harruar dhe ka gjasa që kur i përcillet prindit tjetër të përfundojë në ndëshkime të panevojshme. 


8. “Shpejt! Shpejt! Shpejt!”

Të gjithë prindërit e kanë thënë këtë të paktën një herë gjatë mëngjeseve. Ka një tendencë që kur prindërit ndjehen në nxitim e sipër, i bëjnë fëmijët të ndjehen në faj që po ndjehen në nxitim. Ky lloj faji i bën ata të ndjehen keq, por nuk është se i bën të lëvizin më shpejt.


(Portali Shkollor)

2,485 Lexime
6 vjet më parë