Simpozium

Simpozium në UET “Sfidat e medias dhe transformimi digjital”/ Platforma Portali Shkollor Albas e-libër i parapriu të mësuarit aktiv përmes librave digjital

Në UET u zhvillua simpoziumi “Sfidat e medias dhe transformimi digjital”. Mbi 10 vjet Platforma Portali Shkollor Albas e-libër i ka paraprirë të mësuarit aktiv përmes teksteve digjitale, klasës digjitale dhe jo vetëm. Botuesja Rita Petro ka ndarë përvojën e suksesit të kësaj platforme e medie për arsimin.

Fakulteti i Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale, nën drejtimin e dekanes Prof. Asoc. Dr. Belina Budini, zhvilloi simpoziumin me temë “Sfidat e medias dhe transformimi digjital”. Partneriteti dhe ndërdisiplinariteti ishin kryefjalë e këtij takimi, që mblodhi partnerë të rëndësishëm të UET, anëtarë të Bordit të Punës, pedagogë dhe studentë, të cilët prezantuan gjetjet e tyre më të fundit mbi ndikimin e digjitalizimit në fushat përkatëse, por sidomos në sektorin e medias.

Prof. Asoc. Dr. Belina Budini, dekane e Fakultetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale në UET 

Asistent profesorja në Tufts University, Virgina Tech University, Phd Mirjeta Pasha; përfaqësuesja e AMA-s pedagogia Mirela Oktrova; përfaqësuesja e Credisn Bank, Dr. Valbona Dhjaku; drejtuesi i Departamentit të Produksionit në Digitalb, Genci Gjikaj; botuesja Rita Petro; profesorët Prof.Asoc.Dr. Tomi Treska Dr. Zenel Sina dhe kryeredaktori i Panorama Online, Fatjon Binjaku ishin disa nga pjesëmarrësit e këtij simpoziumi që solli tema interesante, sugjerime të qenësishme dhe të nevojshme për universitetin dhe mediat.


Botuesja dhe drejtuesja e Shtëpisë Botuese Albas, Rita Petro, gjatë simpoziumit u ndal te eksperienca 10 vjeçare e funksionimit të Platformës Shkollore Albas e-libër, platformë e cila ka rezultuar t’i paraprijë të mësuarit aktiv të nxënësve me shërbimin që ajo ofron përmes teksteve digjitale, klasave digjitale etj. Veçanërisht mësimdhënësit shqiptar kudo ndodhen e dinë tashmë se ku gjenë materiale plus për të zhvilluar orët e tyre të mësimit. 


Rita Petro, botuese dhe drejtuese e Shtëpisë Botuese Albas 

“Para 10 vjetësh ishim të parët që realizuam tekstet digjitale, të cilat janë të ngarkuara në platformën digjitale të Portalit Shkollor Albas. Duke lënë mënjanë modestinë, them se i kemi paraprirë të mësuarit aktiv të nxënësit, duke kombinuar librin fizik me atë digjital, ku përfshihen video, audio, foto, grafika, informacione plus, teste, pyetësorë, zgjidhje ushtrimesh etj. Kjo realizohet përmes lidhjes me çdo sistem operativ: Windows OS, Android, iPad, MacOS. Duke pasur parasysh që në atë kohë vështirësitë e aksesit në internet, ndërtuam një platformë të tillë, ku mësuesi dhe nxënësi mund ta shkarkojnë tekstin dhe ta përdorin më pas, pa pasur nevojën e internetit. Nëpërmjet llogarisë personale bëhet sinkronizimi i materialeve që përdor mësuesi në klasë me materialet e kompjuterit në shtëpi. Po kështu, Klasa Digjitale krijon mundësinë e lidhjes së mësuesit me nxënësit që janë të sëmurë apo të pamundur për të ardhur në shkollë, apo lidhjen e prindërve me mësuesit për çdo problem, notat, sjelljen e nxënësve etj”, është shprehur Rita Petro gjatë këtij simpoziumi.


Sakaq, Petro ka theksuar se përmes kësaj platforme gjendet një ekuilibër mes përvetësimit të dijeve dhe mbështetjes së teknologjisë si një mjet jo i rrezikshëm, por i rëndësishëm për procesin e të nxënit.


“Meqenëse përmes investimit tonë kemi qenë një hap para, tashmë jemi shumë më të avancuar për të përballuar sfidat e teknologjisë për një të mësuar ndërdisiplinor të nxënësve. Dhe më e rëndësishmja, përmes kësaj platforme gjendet një ekuilibër mes përvetësimit të dijeve dhe mbështetjes së teknologjisë si një mjet jo i rrezikshëm, por i rëndësishëm për procesin e të nxënit”.


Prof.Asoc.Dr. Tomi Treska, njëkohësisht edhe drejtues i Departamentit të Edukimit, Psikologjisë dhe Sporteve në UET, gjatë fjalës së tij mbi çështjet e edukimit të lidhura me “Sfidat e mediave dhe trasformimit digjital" u ndal te “Shkolla digjitale” dhe “Dixhitalizimi", si një dimension, shërbim dhe tregues i ndersiplinaritetit. 

Prof.Asoc.Dr. Tomi Treska, drejtues i Departamentit të Edukimit, Psikologjisë dhe Sporteve në UET

Gjatë simpoziumit u bë edhe prezantimi i profilit më të ri të studimeve në UET, “Gazetaria e të dhënave digjitale”, i cili ofrohet si master profesional në programin Media dhe Komunikimi Digjital. Dekania Belina Budini sqaroi se ky profil nisi si projekt i WEBJOU i Ermasus+, financuar nga BE dhe më tej u zgjerua partneriteti me Euroneës Albania për praktikat studentore dhe këtë vit është akorduar një felloëship nga READ, program i AADF. Ky partneritet ka përfshirë studiues të huaj nga diaspora por edhe nga SHBA, të cilët do të sjellin një perspektivë të re për studentët shqiptarë.




Përgatiti Nanila Allkja Biçaku 

Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

314 Lexime
3 javë më parë