“Sjellja zbukuron çdokënd” nga Drita Gjaci Topjana

“Sjellja zbukuron çdokënd” është shkrimi letrar i mësueses Drita Gjaci Topjana, me të cilin ajo merr pjesë në konkursin “Antologji kujtimesh”, i mundësuar nga Albas.

“Sjellja zbukuron çdokënd” është shkrimi letrar i mësueses Drita Gjaci Topjana, me të cilin ajo merr pjesë në konkursin “Antologji kujtimesh”, i mundësuar nga Albas.


Në orën dhjetë pa pesë minuta, nxënësit duhej të ishin në klasë duke nxjerrë librat për fillimin e orës. Gjithashtu, edhe unë duhej të isha në klasë duke këshilluar fëmijët, për përgatitjen e orës tjetër, megjithëse ishte dhe mësuesja e klasës, meqë isha në stazh por lajmi më erdhi me vonesë, se do të zëvendësoja dy orët e fundit një mësuese. Mora çantën dhe po ecja korridorit të gjatë të shkollës dhe, kur po ngjitja shkallët, në një cep korridori dy “kapadainjtë” e “X” klase, po shtynin një vajzë, duke e kapur nga përparësja e shkollës. Apo s’ishte edhe një vajzë e vockël, e dobët fizikisht. 


- Turp të keni, - u thashë, - duhet të jeni më të sjellshëm me shoqet e klasës, duhet t`i konsideroni si motra.


U bëra me shenjë se do t’i dërgoj në drejtori. E lëshuan dhe u nisën me vrap në klasën e tyre. Do të kisha shkuar drejt e te mësuesja kujdestare, por nuk më premtonte koha, se klasa tjetër ishte vetëm dhe mendova se mos marrin çantat dhe largoheshin për në shtëpi, apo dalin jashtë. Kështu janë bërë disa fëmijë sot, në momentin që nuk kanë mësuesen në klasë, hidhen përpjetë me lojëra të ndryshme sipas mënyrës së tyre, dalin nga klasa, pa e respektuar rregulloren e shkollës, se ka një orar të përcaktuar.  


Kur shkova në klasë dhe hyra brenda, isha dy-tri minuta me vonesë. Mirëpo, jo vetëm që i gjeta nxënësit në klasë pa zhurmë, por disa prej tyre as kokën nuk e ngritën. U thashë “si jeni?”. Se po t`i përshëndesja “Mirëdita!”, do të ngriheshin në këmbë të gjithë, dhe m`u duk sikur do t`u prishja qetësinë. Mësuesja u kishte lënë një detyrë në tabelë dhe po punonin në heshtje. Kaluan dhjetë minuta dhe ishte një qetësi absolute, thua se as miza nuk pipëtinte në atë klasë. Kisha dëshirë t`i “ngacmoja” me ndonjë fjalë, që t`i dëgjoja duke folur, po më dukej çudi. Si kaloi dhe një pesëminutësh tjetër, dikush foli: 


- Mësuese i mbarova detyrat, të lutem a mund ta vendos fletoren mbi tavolinë? 


Pohova me kokë. Ishte një djalë i shëndoshë dhe bukurosh, çapkën, i veshur i rregullt dhe me uniformën e shkollës sipër trikos. Ai ishte i pari në lëndën e matematikës, kështu më thanë kur i pyeta më vonë. Ndërkohë që po ecte drejt tavolinës së mësuesit, ai bëri një ecje dhe një sjellje shembullore. Hapat e tij ishin aq të lehtë dhe të brishtë njëkohësisht. Nuk e kishte nga frika, jo, por e kishte nga kultura e tij. E vendosi fletoren sipër tryezës ngadalë, por të mbyllur. 


- Lëre të hapur fletoren, - e këshillova, - kështu veproni dhe ju të tjerët. 

- Në rregull, - tha dhe u ul në vend qetë-qetë. 

Si ai vepruan dhe shumë të tjerë, asnjë nuk eci me hapa të rëndë, me shpejtësi apo duke rrëshqitur, siç bëjnë rëndom disa fëmijë nëpër klasa të ndryshme, saqë dhe veshët ia hanë mësueses apo shokëve të tyre duke rrëshqitur nëpër pllaka, derisa dorëzojnë fletoren në tavolinën e mësuesit, apo kryejnë ndonjë detyrë a punë tjetër. Te fletorja e parë nga sipër, meqë ishte e hapur iu hodha një sy ushtrimeve me shumëzim. Aty kishte gabuar dikush. Kur e pyeta me zë se sa bëjnë, e dinte. 

- A do që ta rishohësh dhe një herë, se ke bërë gabime shpejtësie dhe ato të ulin notë? 

- Po, faleminderit! - u përgjigj. 


- Dhe ju të tjerët, sa herë bëni teste apo detyra, mos e dorëzoni pa e vetëkorrigjuar. Nga shpejtësia, mund të gaboni! Kështu më ka ndodhur edhe me fëmijën tim, kur e pyeste mësuesja, në përgjigjet me gojë merrte nëntë ose dhjetë, ndërsa në teste, shtatë ose tetë. Natyrisht, mësuesja ishte mërzitur nga notat e tij. Kur i thashë mësueses së tij, që të mos ia merr fletën pa e vetëkorigjuar, ai filloi që të merrte dhjeta.


E gjithë klasa kishte uniformë, ishte klasë që ta kishte ënda ta sodisje për minuta të tëra. Me atë uniformën shkollore ngjyrë vishnje të ëmbël, po më dukej vetja sikur kisha hyrë në një kopsht me trëndafila të sapoçelur e jo në një klasë me nxënës të klasës së katërt. Në realitet, nxënësit dhe fëmijët trëndafila janë, janë lule, janë aromë, janë jetë, por duhet të dish çfarë t`u kërkosh dhe çfarë t`u mësosh, si dhe t`i mirëmenaxhosh sipas aftësisë së tyre. Në fillim duhet sjellja, pastaj testet dhe dija. T`u bësh test fëmijëve të klasës së parë, që nuk dinë akoma se cilin libër të hapin, është absurde. T`i rëndosh dhe, mbi të gjitha, t`i stresosh se “mos e kam shkruar gabim, jo aty ku duhet”. Jashtë shtetit, në disa vende nuk i vlerësojnë deri në klasë të dytë, a më lart, në mënyrë që fëmija të mos lëndohet e të mos ndihet keq. 


Nxënësit e klasës së katërt pyetën: 

- Mësuese, të nxjerrim librin e edukatës ne që kemi mbaruar? 

Kur po hapnin librin tjetër, u çlodhën një pesëminutësh, por, kur vazhdoi leximi, ishte qetësi absolute. Ata ndiqnin me gisht dhe vazhdonin leximin zinxhir, pa fyer tjetrin se nuk dinte të shprehej qartë, apo që të ngrinin zërin. Dinin ta ndanin pushimin nga mësimi. Kjo ishte klasa e katërt, në katin e tretë të shkollës, viti shkollor 2017-2018. Silleshin mirë, me rregulla dhe norma.


Nejse, në lëndën e Qytetarisë e kuptuam dhe e sqaruam mësimin, derisa arritën te tabela. Pikat pesë dhe gjashtë të tabelës do të plotësoheshin nga nxënësit. Meqë festa më e afërt ishte Shpallja e Pavarësisë, si ngjarje fëmijët zgjodhën “Festa e Flamurit”. Folën për ndjenjat që na përshkojnë në këtë festë: gëzimi, emocioni, atdhedashuria. Për organizimin e aktiviteteve të ndryshme, dikush të vizatonte një flamur, për ndonjë projekt etj. Ndërsa te sjellja dhe veshja, nxënësit nuk po e kapnin thelbin. 


- Patjetër që e dini, se jeni të zgjuar. Kam shumë dëshirë ta dëgjoj përgjigjen nga ndonjëri prej jush. Më thoni diçka të bukur, që ta mbaj mend, - u thashë. 

- Mësuese, bëje ti diçka të bukur ndryshe, që ta mbajmë mend ne, - e ngriti zërin një djalë çapkën nga fundi i klasës. 

Ishte humoristi i klasës, kështu e quanin nxënësit. Ndërkohë që i buzëqesha, thashë se do t`ua them, 

- Është veshja, ngjyrat karakteristike tonat, - tha një kaçurrelse bukuroshe, nga mesi i klasës. 

- Ja, më në fund e tha shoqja jote. Kur mundoheni dhe jeni dëshirë, e gjeni zgjidhjen e duhur. Si vishet Shqipëria në Festën e Flamurit? 

- Kuqezi, - përgjigjen njëzëri nxënësit. 

Një nxënës tjetër nxori nga poshtë bankës një flamur të punuar vetë, shqiponjën e kishte bërë me një copë si të leshtë në ngjyrë të zezë. Kishte këputur fijen e trashë të perit me gërshërë dhe e kishte mbledhur shuk. Kishte dalë shumë bukur. 

U shkëmbyen buzëqeshje dhe në nder të flamurit u këndua “Himni Kombëtar”.


***


Është kënaqësi të japësh mësim, t`i mësosh, t`i dëgjosh dhe të të dëgjojnë. E gjitha varet nga familja. Prindërit nuk duhet t`i pyesin fëmijët: Çfarë note more? Çfarë të tha mësuesja? Më thuaj mua, po të bërtiti! Njëherë duhet t`i pyesin se si u solle sot? A i bëre zhurmë mësueses? E bezdise mësuesen? E mërzite shumë? Kam rritur dhe po rris fëmijë, nuk i kam pasur të dhjetës absolute, por në shkollë kurrë nuk u kam kërkuar notë mësuesve dhe as nuk ua kërkoj. Fëmija duhet të vlerësohet me aq sa di. 


Te vlerësimi duhet të llogaritet edhe sjellja e fëmijëve. Ka disa nxënës që janë të dhjetës, por kur mbarojnë detyrën e vet në klasë, hidhen përpjetë dhe shpërqendron gjithë klasën. Fillon pushimi dhe derisa të mbarojë pushimi, shkruajnë emrat e shokëve në tabelë, ky po bën zhurmë, ai po lëviz. 


U kënaqa shumë që takova nxënës të tillë, që dinin të ndanin orën e mësimit nga pushimi, që s`rrëshqisnin nëpër klasë, siç bëjnë rëndom disa nxënës. Ju dhe fletoret kur i dorëzuat, përveçse kërkuat leje, ecët dhe vepruat me një sjellje shembullore. Kur kërkonit diçka përdornit fjalën “të lutem” dhe “faleminderit”, kur largoheshit. Ju thashë më thoni dhe diçka të bukur që ta mbaj mend, ndërsa ju më befasuat me përgjigjen. “Mësuese, bëje ti, diçka të bukur ndryshe, që ta mbajmë mend ne”.


Që atë ditë, kam bërë këtë shkrim për sjelljen tuaj. E krahasova klasën tuaj me një kopsht me trëndafila, sepse ashtu dukeshit vërtet nga uniforma ngjyrë vishnje e shkollës. Dhe ku ka më bukur se kur u kushton kohë dhe vëmendje fëmijëve. Koha që prindërit dhe mësuesit u kushtojnë fëmijëve/nxënësve të tyre, është dhurata më e bukur për ta. 


Pas dy vitesh u emërova mësuese definitive në shkollën tuaj dhe shpesh mundohesha të bëja lidhjen se si ishit në klasë të katërt dhe sa të bukur u bëtë në klasë të nëntë. Sa herë ju shikoja, më kujtohej sjellja juaj e bukur në ato dy orë që zëvendësova mësuesen tuaj. Një ditë në orën time të fizkulturës erdhët si klasë te fusha. Ju dhashë topin e klasës sime, që ju të luanit. Ju ishit jo vetëm të sjellshëm e të edukuar, por edhe lojtarët dhe kërcimtarët më të mirë në çdo aktivitet artistik.  



Drita Gjaci Topjana


Lindur në Fanë të Mirditës, më 23.05.1975. Shkollën fillore e mbaroi në fshatin e saj, në Petoq, 8-vjeçaren dhe gjimnazin në Fanë të Mirditës, në shkollën “Ndrec Ndue Gjoka”. Pas gjimnazit, meqë kishte rezultate të larta, u emërua mësuese e Cklit të Ulët në Petoç. Njëkohësisht, vazhdoi studimet e larta part time, në ILB Tiranë, Ekonomist Agrobiznesi, ku edhe u diplomua.  Është diplomuar më pas në “Mësuesi Arsimi Fillor”, në programin e studimit Bachelor, me kohë të plotë, pranë Universitetit “Albanian University”. Diplomuar në programin e studimit “Master Profesional”, me kohë të plotë në “Pedagogji”, profili “Didaktikë”. Është certifikuar 27.04.2017, në trajnimin “Shkrim Akademik dhe Mendim Kritik”, tek Instituti i Lidershipit”. Botuese e dy librave me poezi për fëmijë si dhe e disa artikujve te Portali Shkollor. Aktualisht, mësuese e Arsimit Fillor në shkollën “28 Nëntori”, Tiranë.




© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,435 Lexime
11 muaj më parë