Kriza e të lexuarit

Thirrja për të rinjtë: Lexoni libra!

Institucionet përkatëse, si bibliotekat dhe shkollat duhet të jenë më koherente në raport me synimin e të rinjve drejt librave dhe të hartojnë praktika të thjeshta që mundësojnë këtë gjë.

Në ditët e sotme, interesi për librin është gjithnjë e më shumë në zbehje totale, ku krahas trysnisë së teknologjisë, ka luajtur një rol edhe kurrikula mësimore, e cila është shumë e ngarkuar me aspektet e saj shkencore dhe nuk ka një qasje të duhur në krijimin e një të lexuari që tërheq dhe imponon fëmijët dhe adoleshentët drejt shijes artistike, por përkundrazi, ka nxitur braktisjen ndaj të lexuarit.


Leximi për shumëkënd nuk është vetëm një çelës që të çon drejt një suksesi akademik, por dhe mbi të gjitha përbën një nga burimet më të mëdha të kënaqësisë që mund të përjetojë një qenie njerëzore.


E megjithatë, shumë të rinj e kanë shumë të vështirë që ta lidhin aktin e të lexuarit me kënaqësinë, në epokën e “internetit”.


Rrjetet sociale përdoren jo vetëm gjatë kohës së lirë por edhe në praninë e njerëzve të tjerë, në autobuz, në kafe, në takime të rëndësishme etj.


Adoleshentët shqiptarë duket se nuk e kanë fort dëshirë të lexuarin në përgjithësi. Ndonëse njohin mirë markat më të reja të celularëve, makinat më të shtrenjta apo tendencat e modës, po t’i pyesësh për autorë librash, që moshatarët e tyre të dikurshëm i dinin në majë të gishtave, zor se të kthejnë përgjigje. Një pjesë e mirë e prindërve bëjnë ç’të mundin duke i këshilluar, të tjerë i lënë të lirë. Por ajo çka dihet me siguri është se pasojat e kësaj “krize” në marrëdhënien me librin dhe leximin në tërësi, kanë prekur të gjithë brezin. Ato janë të pakthyeshme sa i përket formimit të adoleshentëve, të cilët, pas pak vitesh, do të duhet të jenë të denjë për të mbajtur një pozicion pune.


Fenomeni i braktisjes së librave po zgjerohet. Të prirur rreth jetës së qejfit, të rinjtë po orientohen rreth gjerave më të thjeshta, duke mos preferuar më librat jashtëshkollorë. Madje, shumë prej tyre, mjafton të bëjnë një kërkim në internet rreth një autori apo vepre të caktuar, aty mund të gjejnë informacione pa fund mbi veprën. Tashmë moshat e reja kanë një fluks informacionesh në adresa dhe forume të ndryshme. Ndonëse ndjesia që të fal leximi i një vepre “bestseller” është më i madh, të rinjtë e sotëm preferojnë rrugën më të shkurtër – atë të të marrit gjërat gati. Për shkak të raportit me teknologjinë si mjet i gatshëm  dhe “dembelizmit“ të tyre ndaj të lexuarit, të rinjtë e sotëm kanë një mungesë të theksuar fjalori apo fiksioni.


Nisur nga kjo premisë, mendoj se duhet hartuar një strategji afatgjatë, e kombinuar me shumë aktorë dhe faktorë, të cilët do të projektojnë rrugën e afrimit të lexuesit me librin, si dhe do të ndërtojnë një vizion që i shërben përmirësimit të dukshëm të marrëdhënies lexues-libër. Institucionet përkatëse, si bibliotekat dhe shkollat duhet të jenë më fleksibile në raport me këtë synim dhe të hartojnë praktika të thjeshta që mundësojnë kapërcimin e kësaj krize.


Nga Denda DAPELLARI, shkolla “Sevasti Qiriazi”


©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.  

967 Lexime
5 muaj më parë