TOMAS NJUKOMENI

Tomas Njukomeni, shpikës i motorit të parë komercial (1663 - 1729)

Nëse Revolucioni Industrial ndryshoi botën, atëherë njeriu që e mundësoi këtë me burimin e vet të energjisë, duhet të vlerësohet në veçanti. Ky njeri është Tomas Njukomeni, shkencëtari anglez, shpikësi i motorit të parë komercial

Kronologji

Lindi në vitin 1639 në Dartmuth, në Devon të Anglisë.

• Në vitin 1705 fillon punën për ndërtimin e makinës me avull.

• Në vitin 1712 ndërton me sukses dhe vë në punë makinën e vet me avull.

• Në vitin 1729 vdes në Londër.


Nëse Revolucioni Industrial ndryshoi botën, atëherë njeriu që e mundësoi këtë me burimin e vet të energjisë, duhet të vlerësohet në veçanti. Ky njeri është Tomas Njukomeni, shkencëtari anglez, shpikësi i motorit të parë komercial të suksesshëm me avull me presion të ulët. Sigurisht Njukomeni nuk pati si qëllim transformimin dramatik të botës. Ai e filloi jetën si farkëtar i varfër dhe bravandreqës në vendlindjen e vet në Dartmuth të Devonit, ku punoi me sukses për shpikjen e tij epokale. Ishte pikërisht zanati i tij, që e përballi me probleme të ndryshme, nga u frymëzua për shpikjet e veta.



PROBLEMI

Disa nga klientët më të rëndësishëm të Njukomenit ishin pronarët e minierave. Ata i paraqisnin atij problemet me të cilat ballafaqoheshin kur gërmonin në thellësi të tokës për të nxjerrë minerale, si qymyrgur, kallaj dhe xeherorët e hekurit. Sa më thellë futeshin nëpër galeri, aq më shumë u vështirësohej puna, për shkak të përmbytjeve. Nxjerrja e ujit nga galeritë, me krahë apo edhe me fuqinë e kuajve ishte shumë e shtrenjtë dhe e ngadalë. Atëherë zgjidhja ishte: uji nga miniera të nxirrej me pompa.


PËRPJEKJET E DËSHTUARA

Inxhinierët, edhe para Njukomenit, e dinin se mund të shfrytëzohej shtypja atmosferike për realizimin e punës ritmike mekanike, siç është pompimi i ujit. Ishte e provuar se ajri, sapo të krijohej zbrazëti, menjëherë shfrytëzon rastin dhe futet në të me të gjithë forcën. Por askush këtë zbulim nuk e kishte provuar që ta shndërronte praktikisht në burim energjie. Në vitin 1698 e provoi inxhinieri anglez Tomas Saveri (1650 – 1715) dhe, sipas skicës që kishte vizatuar, ai ndërtoi pompën me avull me presion të lartë, të quajtur “miku i minatorit” dhe mori patentën e shpikjes. Por për shkak të kufizimeve teknologjike dhe praktike, ajo nuk punoi asnjëherë si duhet.


ZGJIDHJA

Në këtë atmosferë, në vitin 1705 Njukomeni filloi të punonte për ndërtimin e makinës me avull në bazë të presionit atmosferik. Ai e ndërtoi pajisjen në vitin 1712 dhe e përdori për nxjerrjen e ujit në minierën e Stafordshajërit të Jugut. Në këtë pajisje uji nxehej poshtë, nën pistonin e madh të vendosur në cilindër. Avulli që krijohej e shtynte pistonin lart. Atëherë nga jashtë drejtohej në cilindër një sasi uji. Ftohja e menjëhershme e avullit shkaktonte kondensimin, duke krijuar një vakum të pjesshëm, të cilit i kundërvihej shtypja atmosferike, që shtynte pistonin poshtë. Në piston ishte montuar një levë me dy koka, njëra  prej të cilave ishte lidhur te pompa në brendësi të minierës. Gjatë lëvizjes lart-poshtë të pistonit, edhe leva lëvizte njësoj, edhe te pompa që ishte në minierë, ku prodhohej lëvizje periodike, e cila e nxirrte ujin nga miniera e përmbytur. Motori i parë mundi të hiqte rreth 500 litra në minutë, duke bërë gjatë kësaj kohe dymbëdhjetë cikle, dhe kishte 5,5 kuaj fuqi. Kjo makineri nuk ishte edhe aq e fuqishme apo produktive, si dhe harxhonte sasi të madhe qymyri, por punonte 24 orë në ditë pa ndërprerje dhe ishte shumë më e mirë se zgjidhjet e mëparshme. Për shkak të gjithë kësaj, këto pajisje, edhe pse ndërtimi i tyre nuk ishte i lirë (diku te 1 000 paundë), për tregun konsideroheshin shumë të suksesshme. Kështu që deri në vdekjen e Njukomenit, në vitin 1729, janë instaluar më tepër se njëqind të tilla, më së shumti në minierat dhe fabrikat angleze. Shitja e tyre ka vazhduar në Angli dhe Europë përgjatë një shekulli. Madje, edhe pasi janë prodhuar makina edhe më produktive, ndërmjet tyre edhe ajo që shpiku Xhejms Vati (1736–1819), thjeshtësia relative e makinës së Njukomenit, besueshmëria dhe çmimi i ulët në krahasim me ato të konkurrentëve, kanë bërë që ajo të përdorej edhe në shekullin e njëzetë. Deri në këtë kohë shpikja e Njukomenit e kishte ndryshuar jashtëzakonisht botën, duke mbetur për një kohë të gjatë perla e Revolucionit Industrial.


GJENIU I HARRUAR

Edhe pse makina me avull e Njukomenit në fillim u mendua vetëm për nxjerrjen e ujit nga minierat, ajo pati një përdorim të gjerë dhe u bë gurthemeli i Revolucionit Industrial. Shumë shpejt Xhejms Vati dhe Riçard Trevithiku e zhvilluan më tej këtë zbulim, duke krijuar lokomotivën me avull, që mundësoi përfundimisht ndërtimin e gjigantëve prej çeliku, të cilët shkurtuan në mënyrë drastike udhëtimet në Angli dhe jashtë saj. Sot shumë shpesh si shpikës i makinës me avull përmendet Xhejms Vati, ndërsa emri i Tomas Njukomenit ka rënë në errësirën e harresës. Por edhe pse Njukomeni me shumë siguri ka ndryshuar botën, asnjëherë askush nuk ka gjetur dot një foto të tij.



Materiali është shkëputur nga libri "100 shkencëtarët që ndryshuan botën", i përkthyer nga Latif Ajrullai


(Portali Shkollor)

4,878 Lexime
4 vjet më parë