Dedikim

"Unë gjithmonë do të jem mësuesja juaj dhe do ju kujtoj me mall, respekt dhe dashuri"

Me mall, respekt dhe dashuri, mësuesja Bukurie Hajdarmataj i drejtohet maturantëve të shkollës "Hoxhë Zogu" në Tropojë, duke vlerësuar rrugëtimin e tyre si një brez i urtë, i ndershëm dhe i përkushtuar që do të mbetet gjithmonë në zemrën e saj.

Të dashur maturantë të vitit shkollor 2024-2025!


Ju përshëndes me dashuri për këtë ndarje simbolike nga bankat e shkollës dhe jo nga dijet që do të merrni përsëri në fushat e jetës që ju do të zgjidhni. 


Kujtimet dhe mësimet që kemi ndarë bashkë, diskutimet dhe shëtitjet detyrat dhe detyrimet më lanë përshtypjen mua dhe kolegëve që ju mësuan se ju keni qenë një brez i veçantë me personalitet, përpjekje dhe përkushtim, një brez krenar për mënyrën se si u rritët të urtë me kulturë dhe të ndershëm që dëgjonit kritikat dhe reflektonit çdo ditë dhe më shumë kulturën dhe edukatën e familjeve tuaja. 


Në çdo orë mësimi, në çdo fjalë gjuhe, letërsie dhe arte kam parë te ju, sy që shikonin me kureshtje dhe kërkonin dije, zemra që ndienin thellë dhe mendje që gjykonin drejtë. Ju ishit vlerë e shkollës sonë në çdo aktivitet dhe do të na mungojë shumë interpretimi juaj.


Rrugët e jetës që ju presin do të kenë shumë sfida, por ju jeni të fortë sepse vini nga një vend i fortë, Zogaj, ku mali flet me krenari dhe njeriu ecën me zemër. Kudo që të shkoni mos harroni kush jeni, mos harroni të jeni të mirë sepse njeriu matet me vlera, punë, sjellje dhe respekt. 



Unë do të jem gjithmonë mësuesja juaj dhe ju fëmijët e mi të cilët më bëjnë krenar kur arrijnë virtyte të larta njerëzore. Do ju kujtoj gjithë jetën me mall, krenari dhe dashuri. Sa herë që të ju marrë malli për shkollën ku u rritët derën e keni të hapur, të vini ashtu si brezat para jush të na takoni duke treguar për arritjet tuaja.

Me gjithë mirënjohjen dhe bekimet e mija mësuesja juaj, Bukurie Hajdarmataj, 

mësuese AML, shkolla "Hoxhë Zogu"Tropojë. 



© Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

322 Lexime
2 javë më parë