Virion Graçi: Novela të Martin Camajt mes njëmendësisë e legjendës

Një lexim i thellë i novelave të Martin Camajt, mes njëmendësisë dhe legjendës, ku jeta, miti dhe simbolika bashkëjetojnë natyrshëm. Virion Graçi ndalet te vlerat estetike, gjuha poetike dhe problematikat e receptimit të veprës së Camajt në Shqipëri.

Ndryshe nga shkrimtarë të tjerë të ndaluar në vendin amë të cilët e kishin mbyllur ciklin krijues ose i kishin shkruar veprat më të mira, M. Camaj u largua i ri, anonim, një mësues fshati që kapërcen kufirin në arrati, në shenjë mospajtimi me rendin e ri politiko-shoqëror, për një jetë më të mirë shpirtërore, ekonomike, arsimore, do të thoshim ende sot; diplomohet në Beograd, ish Jugosllavi, realizohet si krijues e kërkues shkencor po jashtë vendit. Bëhet pionier i poezisë moderne shqipe në Kosovë dhe albanolog me emër në Itali e Gjermaninë Perëndimore. Kur rrethanat politike ndryshojnë ndjeshëm në vendin amë, pavarësisht mallit të supozuar për vendin e origjinës, nuk riatdhesohet si njeri, nuk ka më kohë të ndikojë/kujdeset drejtpërsëdrejti për botimin sistematik të veprës së vet në Shqipëri; këtu nisin përpjekjet atdhesuese të njerëzve që e njihnin më parë, më mirë dhe e çmonin. Këtu nisin dhe problematikat, dalja nga e natyrshmja, nga normaliteti, për mendimin tonë: në fillim të viteve ’90, kur nisi atakimi i hapur me idhujt dhe modelet politike e ata të sferës letrare-artistike që zotëronin tërësisht, prej dekadash skenën tonë kulturore e shpirtërore. Emri i Martin Camajt, dhe krijime të zgjedhura të tij, të shërbyera në shtypin ditor, u përdorën si argument social, si model intelektual, si shembull prirës, ngjashëm me rithirrjen në skenën e ngjarjeve ditore të klasikëve të mirënjohur, mohuar e anatemuar gjatë regjimit.


Në çdo rast, si në periudhën kur faktet jetësore i jepnin krahë imagjinatës të përfytyronim një letërsi “krejt ndryshe”, në kushtet kur nuk mund ta takonin drejtpërsëdrejti atë, edhe në periudhën e deritashme, kur e kemi veprën e plotë të botuar, përvetësimi dhe jeta normale e letërsisë artistike të M. Camajt është cenuar. Në fazën e parë ishin vendimet politike ato që e kushtëzonin publikun të ishin të pa dijshëm, ose të paragjykonin keq për të, në fazën aktuale, janë të tjera autoritete, ato të filologjisë dhe studimeve letrare që e kanë barrën profesionale t’i bëjnë vend kësaj vepre në shoqëri, pra, të bindin për vlerat e saj të larta estetike-artistike. Si emigrimi i autorit dikur dhe mos-komunikimi i tij me lexuesin natyral, edhe angazhimi promovues/akademik kanë qenë në rend të kundërt me rendin normal të marrëdhënieve letërsi-receptim publik e, më pas, arsyetim shkencor e kritik.


I.1. “Pishtarët e natës”


Pishtarët e natës është tregim për Nikën dhe Lenën, tregim për dashurinë e tyre në jetën martesore, për mungesën&përmbushjen e jetës seksuale mes tyre. Ikja e Nikës nga banesa e familjes, jeta e tij e mëvetëshme larg gruas dhe fëmijëve sepse është duke synuar tokë e pasuri, e bën të mungojë për gruan e cila vuan mendimin se i shoqi shkon me shtojzovalle, fle me gra që u bie rruga nga territoret e reja të zotëruara nga Nika. Lena e dëshiron seksualisht, pa dashur riprodhimin si qëllim në vetvete; i kanë gjashtë fëmijë dhe ajo pezmatohet prej mendimit se nuk e ka parë kurrë zhveshur të shoqin dhe prej kujtimit të periudhës së parë të jetës së toku kur është ndier e vuajtur prej fuqisë së tij mashkullore. Për t’u bashkuar netëve për punët e shtratit me të shoqin, ajo shkon te ai periodikisht, ja viziton banesën, sikurse dhe Nika, me raste, kthehet në banesën ku jeton gruaja dhe fëmijët. Burrë e grua, të gjendur në largësi, të përfshirë nga epshi  seksual, komunikojnë me shenja zjarri.


Prirja e Nikës për t’u shtuar me toka, me kullota, nuk mund t’i japë historisë statusin e një rritjes dhe rënies ekonomike të një pronari malësor; autori, këtë prirje të zakontë të çdo njeriu, me sherrnajat pasuese, e ka përdorur për të arsyetuar ndarjen fizike mes burrit e gruas, pa qenë nevoja për prishje kurore e pengesa të tjera. Nikën toka nuk e pranon, thuhet në fund të historisë, trupin e tij të vdekur e vjell toka, por e nderon familja. Nga vëllazëria me bishat, për shkak se janë përgjakur mes veti në ndeshjet e gjuetisë, Nika ndahet armiqësisht me to duke u masakruar prej tyre: njeriu i natyrës shndërrohet në frymë të fundit në njeri të familjes tradicionale, në njeri të shtëpisë, si kufomë.


I.2.“Shkundullima”


Subjekti te “Shkundullima” nuk dallon për gjetje origjinale, po të kihet parasysh fabula: një i ri, Vitoi kthehet në vendin e tij të origjinës, (katund arbëresh), nuk i pëlqen gjendja aty, dëshiron të bëjë rolin e reformatorit urban dhe të shpëtimtarit, të nxjerrësit nga prapambetja e izolimi, hyn në marrëdhënie dashurore duke ngatërruar disi rendin moral ekzistues. Pra, fabul e kryer në letërsinë e mëparshme shqipe dhe në letërsinë europiane, të cilat M. Camaj, sigurisht i ka njohur.


E reja që sillet në novelë është rrëfimi për shkundullimën si e tillë. Shkundullima në vetvete, jo pasojat, përshkruhet nga autori në nëntë faqe, 173-182, investim i madh narrativ për një dukuri si tërmeti që zgjat veç pak sekonda, ndërkohë që me personat veprues nuk tregohet kaq dorëlëshuar për nga hollësitë përshkruese. Shkundullima jepet me gjuhë poetike, me figura të zgjedhura letrare, prozë poetike e një dukurie apokaliptike në tekst: fluturime zogjsh, vrapi i kuajve, ritmi i valëve detare, lëkundjet ritmike e tmerruese të tokës të cilat të bëjnë të përjetosh një tërmet të pa zakonshëm, të bëjnë dëshmitar të një përmbysjeje me përvijim biblik. Dhe besoj se këtu është synimi i koduar autorial: fuqitë e mbinatyrshme diktuese ndaj jetës tokësore/ njerëzore si  mundësi e privilegj ekskluziv i forcave të natyrës. Përshkrimi piktoresk i shkundullimës të çon gati në joshje, në admirim të spektaklit të saj, pa rënë në miopi cinike, pa u dehumanizuar. 


Në novelën “Shkundullima” M. Camaj tregohet realist kur vendos në provë utopizimin e Vitoit, për ta ndrequr rrënjësisht gjendjen në katundin e tij të origjinës, duke e përplasur me faktorët socialë pengues; Camaj tregohet artist dhe vizionar kur e sheh të përmasave biblike nevojën për ndryshim, për transformim, për kapjen e ritmit bashkëkohor, për fitimin e kohës së humbur. Me këtë funksion realist dhe poetik, ideor e filozofik e përdor shkundullimën si gjetje letrare dhe si mundësi konkrete. Mjeshtëria/origjinaliteti artistik qëndron te maskimi  i skepticizmit vetjak, te gjetja e këtillë e një rrugëzgjidhjeje ribërëse si shkundullima.


I.3 “Rrungaja në mars”


“Rrungaja në mars” është novelë e dramës personale, dramë e njeriut që ka ecur më shpejt se abitati i tij natyror; dramatikja shikohet jo aq në vdekjen aksidentale të Dakut, mbartës vlerash të larta rinore, poetike e diturore, se sa në trajektoren jetësore të Jerës. Jera është epiqendra tematike-emocionale e veprës me një spektër të plotë ngjyrash shpirtërore: bukuri vajzërore, romantizëm, hijeshi, guxim ëndërrues e veprues, sfiduese e rrethanave dhe mendësisë tradicionale dhe miqësore/stoike në pranimin e fatkeqësisë së pandreqshme. E ndjeshme si ajo, por pa e pranuar patetikën si mënyrë shprehjeje e pozicionimi në vetmi e në shoqëri, e brishtë dhe e durueshme njëkohësisht, shkurt: simbiozë organike e bukurisë me virtytin. Historia nuk nis me të; për hir të plotësisë narrative: koha e vendi i ngjarjeve, autori e sjell në skenë Jerën kur skena është gati dhe e përcjell atë deri në grahmat e fundit të jetës.


Në galerinë e letërsisë shqipe, jo aq të pasur me personazhe domethënës e emocionues, Jera ka portretin e saj, punuar bukur nga autori, ekspozuar qartë, mes një sfondi natyror e social të përvetëm, po ashtu skalitur me ngjyra gjuhësore të gjalla, të përzgjedhura, të rralla.


I.4. “Katundi me gjuhë të fshehtë”


Në këtë novelë, ngjashëm me M. Kutelin kemi një shkëmbim e bashkekzistencë planesh, bota e të gjallëve/përditshmëria dhe ajo e të vdekurve/përjetësia. Kalimi në botën e të vdekurve ka origjinë edhe më të hershme, përrallat e baladat popullore. Një nyjë tjetër interesante për perceptimet e shkëmbyera të realiteteve gjendet te filozofia taoiste, nëpërmjet vargjeve aforistike: Zhuan Zhou ëndërroi se ishte flutur/ Kur u zgjua ishte përsëri Zhou./ por nuk e dinte më: ishte Zhou që kishte ëndërruar se ishte flutur/ Apo ishte flutur dhe kishte ëndërruar se sikur ishte Zhou.


M. Camaj e përdor të rinovuar sipas mënyrës së tij këtë truk. Tradicionalisht, qëllimi i artificeve të tilla ka qenë marrja e porosive nga të vdekurit ose çuarja e lajmeve, pjesëmarrja e tyre në gëzimet tokësore të bashkësisë, një amanet i pa përmbushur ose një qortim moral për një marrëveshje të shkelur, etj. Nuk mund ta zbulojmë bindshëm përse-në, qëllimin shkrimor të Camajt, por gjithsesi, në dallim nga interpretime të mëparshme të këtij tregimi, nuk mund të jemi në dramën e një njeriu/personazhi të traumatizuar, që shmang kujtimet, etj., sikurse është trajtuar nga studiues të tjerë. Jemi në një realizëm magjik të përmbysur, ku nuk vihen në funksione letrare mitet, legjendat, heronjtë a dukuritë e jashtëzakonshme, por kemi histori të zakonshme ku luhet me identitetet dhe realitetet, kemi ndryshime të paparalajmëruara të perspektivave të ndryshme rrëfimtare, njëjtësim i tyre, çrregullime të kamufluara të realitetit të përditshëm, deri në devijime logjike.


Novela “Katundi me gjuhë të fshehtë”, i konceptuar si lojë e autorit me pritshmërinë e lexuesit, të jep dorë të mendosh se M. Camaj shkruan në mënyrën e tij origjinale, për topikë të qenësishëm si vdekjet e parakohshme, si shkas i fortë meditimi për fatalitetin njerëzor, për kalueshmërinë e rrufeshme të rinisë, të bukurisë së moshës, të jetës tokësore e në radhë të parë, për dashuritë e pa kurorëzuara me martesë – i huaji dhe Flora. ‘e dija që ishe martuar por nuk e dija se banoje këtu’. Gjuha e fshehtë që flet i huaji dhe fshati i huaj ku, sipas tekstit, ‘të gjithë flenë shumë, zgjohen vonë’, kjo është gjuha e amshimit: ta gjykosh/shijosh/konceptosh e perceptosh të tashmen nga kategori të epërme, përmbi normat dhe caqet e përditshmërisë. Në tekst, autori na i ka dhënë të qarta shenjat se po dialogon një i gjallë me një të vdekur, sikurse dhe mos përputhjet kohore, relativiteti i kohës astronomike, për njërin, e njëjta prerje kohore është tre vjet, për tjetrin 10, pra, sisteme të ndryshme të qenies, të ekzistencës e vetëdijes për të.   Njëri quhet i Huaji, tjetri mbiquhet Shtrigani. Ka elementë të qartë se kemi të bëjmë me të vdekur, jo vetëm në fshatin e gjuhës së huaj, por dhe në bregdetin ku vijnë pushuesit janë tiparet: je si hije, i zbehtë si i vdekur, ose, je ti apo hija jote, të vendosura me kujdes në tekst, jo pa qëllim, besoj. Lojë e bukur narrative, sikurse përmendëm në fillim natyrën e procedimit artistik, e njëjta pamje, i huaji, i vendosur para disa ‘pasqyrave’ duke e lënë lexuesin të zgjedhë cili fragment i historisë së pasqyruar është i kryer/real dhe cili është përfytyrim/jo real, imagjinatë e kulluar e personazhit kryesor.


 II.Në tërësi, promovimi i letërsisë artistike të Martin Camajt në Shqipëri ka pamjen e fushatave periodike; studiuesit kanë gjetur rastin e përshtatshëm të ushtrojë njohuritë për teoritë letrare: modernet dhe post-modernet; letërsia e M. Camajt, për tu arsyetuar si cilësore, origjinale, sikurse në të vërtetë është, u ka lënë dorë të lirë citimeve nga filozofia, psikologjia, sociologjia dhe disiplina të tjera të shkencave humane. Studimet/tubimet shkencore dhe ato me karakter të mirëfilltë nderues/festiv, fushë e një grupi të specializuar njerëzish të botës universitare e akademike, kanë ecur më shpejt se sa ka ecur letërsia e M. Camajt në publik. Por, vërejmë se personazhet, tematikat, veshjet materiale/gjuhësore të historive të tij njerëzore në novela, nuk trajtohen në vetvete, në jetën e tyre të pavarur artistike, me detyrat përkatëse, në funksion të rrëfimit, për hir të historisë së rrëfyer, për ta mishëruar gjetjen e rrallë, origjinale, por i shkëpusin si prova biografike për autorin: malli për atdheun, për arbëreshët, për trevën e origjinës, krijimi i një atdheu të munguar, (?!)  duke lënë mënjanë biografitë e krijesave të tij letrare, personazhet Rëndom, ç’do prozator i lokalizon ngjarjet në mjedise e rrethe njerëzore që i njeh më së miri si psikologji, si mendësi, si konstrukt shpirtëror e fizionomi, duke siguruar ngjyrat e tij të veçanta për historinë e radhës.


Novelat e M. Camajt, artistikisht të arrira, mund e duhej të ishin botuar të pavarura, përderisa nuk kanë vijimësi e varësi fabule e personazhesh me njëra tjetrën; po ashtu, për herë të parë këtu, ato mund të ishin botuar me distance kohore; pasi secila ta kish kryer një farë jete në qarkullim, mund të ishte ofruar tjetra. Receptimi i tyre nga publiku, horizonti i pritjes, do të kishte qenë më i natyrshëm, gradual dhe në rendin e zakonshëm të gjërave të këtij lloji. Narrativa fiksionale e autorit duhej ti printe narrativës shkencore e jo e ndërsjella.


Novelat e Martin Camajt, më qartë se romanet e tij, dëshmojnë më së miri sa përsosmëri letrare e bukuri estetike fiton vepra kur prurjet jetësore, ndodhitë njerëzore, dëshmitë emocionuese nga ekzistenca e njerëzve të periudhave e viseve të ndryshme nuk u nënshtrohen deformimeve varfëruese, skematizuese të eksperimenteve e sofistikimeve formale, të tepruara.



© Portali Shkollor Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë

146 Lexime
7 orë më parë