Përforcim dhe zgjerim njohurish

Vlerat e artistëve shqiptarë dhe veprat e tyre në fund të shek. XIX

“Ne si mësues duhet që historinë ta ndërthurim me artin pamor. Të dyja këto lëndë ecin paralel sidomos te tematika ‘Historia, arti dhe shoqëria’. Kështu nxënësit përforcojnë dhe zgjerojnë njohuritë”- Iriana Papamihali, artiste, mësimdhënëse, autore e teksteve shkollore.

Gjatë lëvizjes së Rilindjes sonë Kombëtare, u zhvilluan kultura, arti, fotografia, por sidomos piktura. Artistët shqiptarë të kësaj periudhe sollën përvojat e veta nga akademitë e Evropës Perëndimore, duke bërë kështu shkëputjen nga arti ikonografik. Subjektet e pikturave të tyre ishin më patriotike, me tema historike dhe etnografike. 


Ne si mësues duhet që historinë ta ndërthurim me artin pamor. Të dyja këto lëndë ecin paralel sidomos te tematika “Historia, arti dhe shoqëria”. Kështu nxënësit përforcojnë dhe zgjerojnë njohuritë. Veprat e artistëve tanë përbëjnë një pasuri të madhe kombëtare. Nëpërmjet këtyre veprave ne kemi një tablo të qartë të asaj kohe.


Fotografia

Shumë shpejt fotografia, si një shpikje e re e kohës, erdhi edhe në Shqipëri nga artistët shkodranë. Si pasqyrë e realitetit të kohës dhe personazheve, vijnë imazhet nga studio e parë fotografike në Shkodër, “Marubi”, 1856. Studion e hapi Pjetër Marubi (1834-1903) që ishte një fotograf Italian. Më pas studion e tij e trashëgoi Kel Marubi (1870-1940) i cili u bë një nga fotografët më të njohur në Shqipëri. Traditën e vazhdoi Gegë Marubi, i biri i Kelit, i cili ndoqi shkollën e kinematografisë dhe të fotografisë të vëllezërve Lymjer, në Paris.

Nëpërmjet aparatit ata fiksuan njerëz të thjeshtë, personazhe të njohur të kohës, ngjarje, peizazhe, qytete, vende, etj. Vepra e Kel Marubit është trashëgimi kulturore jo vetëm për qytetin e Shkodrës, por për të gjithë Shqipërinë. 



KOLË IDROMENO (1860- 1939)

Artisti më i shquar i Rilindjes sonë kombëtare është Kolë Idromeno. Studimet e larta i kreu në Venecia të Italisë. Atje u njoh nga afër me veprat e rilindjes italiane. Krijimtaria e tij ka qenë e pasur dhe shquhet për një pasqyrim realist të personazheve, për një përshkrim të përpiktë të zakoneve, kostumeve dhe mjediseve karakteristike kombëtare. Kolë Idromeno ishte themelues i shkollës realiste shqiptare.

Kol Idromeno ishte një artist i shumë dimensioneve, piktor, arkitekt, urbanist, fotograf, skenograf, muzikant, e kompozitor këngësh shkodrane. Ai ishte nismëtari i shfaqjeve të para kinematografike në Shqipëri. 


Kolën, e tërhiqte edhe fotografia që e shihte me kënaqësi në studion e Marubit. 


 “Motra Tone”


Më 1883 Kolë Idromeno realizoi portretin e motrës së tij, Antonia, i cili është vlerësuar si portreti i parë psikologjik i pikturës realiste shqiptare. Është vepër shumë e njohur brenda dhe jashtë vendit tonë, sa krahasohet me “Mona Lizën” e L.d. Vinçit.


Nëpërmjet kësaj pikture, Kol Idromeno, paraqet një grua me veshje tradicionale shkodrane. Artisti është kujdesur që motra e tij të reflektojë delikatesën dhe bukurinë e saj, duke i dhënë psikologji portretit. Ky portret me duar, plotëson figurës e gruas, duke i dhënë një shprehje ndrojtjeje. Kjo duket te mënyra si gruaja mban shaminë e bardhë me duar dhe mbulon gjysmën e fytyrës. Artisti paraqet me mjeshtëri të detajuar veshjet e mëndafshta dhe stolitë e gruas që e pasurojnë portretin e saj. Piktura ka shkëlqimin e veshjeve në mëndafsh dhe të zbukurimeve të argjendta në filigran, të pikturuara me realizëm. Portreti përshkohet nga ngjyrat e ngrohta. Sfondi i errët bën që të bjerë më shumë në sy portreti duke na kujtuar artin barok.


“Dasma shkodrane” 1924

Tema e pikturës është marrë nga një ditë e gëzueshme dhe me diell në qytetin e Shkodrës. Piktura paraqet një dasmë tradicionale në qytetin e Shkodrës. Njerëzit duken të lumtur dhe janë veshur si për ditë feste. Në çdo veshje të personazheve ka nga një element me ngjyrë të kuqe. 


Shoqërueset e nuses me të bardha, janë majtas në planin e parë dhe kanë kthyer kokën pas, duke nënkuptuar se pas tyre po vjen ajo, nusja. Pas shoqërueseve me të bardha dhe dimi blu marinë, një djalë i vogël është pas tyre me veshje të errët me një bokshe në dorë. Pas djalit janë tre gra me të bardha dhe me dimi blu marinë dhe në mes tyre e mbuluar dhe me jelek të kuq është nusja. 


Në krahun e djathë kemi gra me veshje ndryshe nga shoqërueset e nuses. Në veshjet e tyre dominon e kuqja dhe mbajnë përparëse. Ka edhe fëmijë pranë tyre. Ndoshta janë fqinjët e nuses të lagjes matanë, dhe kanë dalë ta përcjellin. Pas nuses ka burra me kostume blu dhe jeshile të errët dhe me kësula të kuqe në kokë. Shtëpia në planin e fundit i ka shkallët të mbushura me dasmorë. Në sfond duket minareja e xhamisë dhe kryqi i kishës duke dëshmuar për bashkëjetesën fetare në atë lagje. Artisti ka përdorur kontrastin e zonave në dritë dhe e zonave në hije të planit të parë. Paraqitja me vërtetësi e dasmës shkodrane dhe e zakoneve, përcjell emocion te shikuesi dhe duket sikur je aty duke festuar.



SIMON RROTA (1887-1961) 


Simon Rrota lindi në Shkodër dhe mësimet e para i mori në filloren e franceskanëve, në shkollën italiane të artizanatit. Ndërkohë ndoqi edhe rrethin e pikturës së Kol Idromenos. Ndonëse nuk ishte në nivelin e mësuesit të tij, përsëri artisti ka merita për pasqyrimin me vërtetësi të kostumeve popullore dhe peizazhit rural.


Më pas viziton Francën dhe Austrinë, dhe më 1914 kthehet në Shqipëri duke sjellë një frymë të re në pikturën e tij. Ai ishte një personalitet i thjeshtë me një dhunti natyrore për punë dhe krijimtari të pandërprerë. Simoni ngjallte ngado simpati dhe mirëkuptim. Pikturat e Simon Rrotës janë si një ekpozitë etnografike, sepse paraqesin me shumë vërtetësi larminë dhe bukurinë e kostumeve popullore. Pikturat e tij paraqesin jetën dhe peizazhin tipik rural dhe këtë peizazh e plotësojnë gratë te pusi, gratë në fushë, të veshura me kostumet popullore të kohës. 



SPIRO XEGA (1876-1953)

Lindi në Opar të Korçës. Spiro Xega është një nga figurat më të hershme të pikturës shqiptare. Vitet e para i kaloi në Turqi ku dhe mësoi të vizatonte dhe të pikturonte, ndonëse si autodidakt. Tabloja më e shquar e tij është “Çeta e Shahin Matrakut”. Vepër e trajtuar me një sinqeritet të ngjashëm me realizmin popullor dhe të përshkruara nga një frymë romantike. 

Ashtu si shumë piktorë dhe skulptorë që e kanë trajtuar figurën e Skënderbeut, si simbol i lavdisë dhe bashkimit të kombit shqiptar edhe Spiro Xega e ka pikturuar në tetë variante figurën e Skënderbeut. Në këtë pikturë, ndjehet ndikimi nga piktura me kalë e Napoleonit e piktorit Zhak Lui David, që i përket periudhës së neoklasicizmit (1760-1840).

Nga Iriana Papamihali

Artiste, mësimdhënëse, autore e teksteve shkollore



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

593 Lexime
6 muaj më parë