"Zanafilla", një udhëtim poetik dhe filozofik drejt pyetjeve të përjetshme
"'Zanafilla' i Suad Arillës është një udhëtim poetik e filozofik ku koha, kujtesa dhe ëndrra ndërthuren në një labirint që të shtyn të kërkosh veten. Një roman i thellë, i çuditshëm dhe dritëhijesh, që fton lexuesin të humbasë për të gjetur fillimet e veta."- Nga Xhoina Salaj.
Nga Xhoina Salaj
Pas romanit “Libri i kujtimeve dhe i harresës”, që shënoi një hyrje të veçantë në letërsinë bashkëkohore shqiptare përmes trajtimit të kujtesës dhe identitetit, Suad Arilla vjen me “Zanafillën”, një vepër që duket se zgjeron dhe thellon po të njëjtin univers krijues. Në këtë roman, kufiri midis realitetit dhe ëndrrës zbehet, koha përthyhet dhe personazhet enden në labirinte kujtese e ndërgjegjeje, në kërkim të një fillimi që shpesh mbetet i pakapshëm. “Zanafilla” është një roman që e fton lexuesin të humbet për të gjetur veten, një udhëtim poetik dhe filozofik drejt pyetjeve të përjetshme: kush jemi, nga vijmë, dhe a mund të ikim ndonjëherë prej vetes?
Nëse do të më bënin pyetjen tipike “Për çfarë flet ky libër?”, ndoshta do të gjendesha mes apokalipsit të Rexhit dhe do të më mblidhej një lëmsh në fyt. Nuk është roman që ndjek një ngjarje të vetme nga fillimi në fund, por një katrahurë që shpërndahet në shumë drejtime njëkohësisht. Një labirint që të përfshin pa të pyetur, ku çdo kthesë të çon drejt një kujtese dhe një plage tjetër, një drite që nuk di nëse vjen nga fundi apo nga fillimi i rrugës. Lexon e shfleton dhe ndihesh sikur po kërkon një rrugëdalje, por në të vërtetë, je duke kërkuar veten.
Suad Arilla është një nga zërat më origjinalë të prozës bashkëkohore shqipe. Në faqet e librit, koha përzihet me kujtesën: rrëfime të zakonshme të njerëzve të zakonshëm bëhen ura lidhëse me arkivat e së kaluarës, ku secili kërkon zanafillës e plagës së vet. Ngjarja shtrihet si një qilim i madh, i thurur me copëza detajesh familjare, sociale, tradhti, humbje, pendim dhe të gjitha bashkë i lidh zanafilla për vuajtjen dhe kujtesën.
Romani lëviz me hapa të qetë dhe të sigurt, në kohë dhe në hapësirë, midis realitetit social dhe çasteve që afrojnë të magjishmen; jo për të të zbavitur, por si njëfarë përsiatje për të tjerrë atë çka e përditshmja nuk e percepton dot. Stili është i vrullshëm, por në të njëjtën kohë çdo fjali zë rrënjë aty ku duhet. Nuk është as më shumë, e as më pak sesa vëzhgime sociologjike të jetës së përditshme, por i strukturuar në fragmente që shpesh duken sikur të përballin me qoftëlargun. Kur i shkon në fund gjendesh në teh të thikës; një lexim sa i veçantë edhe i qashtër, aq edhe i çuditshëm e krejt dritëhije ëndërrimtare.
Nuk është libër që e sugjeron kudo dhe te kushdo, sepse jo të gjithë do të arrijnë t’i ndjekin fijet e holla që thurin qilimin e madh. Pas çdo kapitulli mbetet një dritë e zbehtë që nuk shuhet lehtë, një pyetje që s’di kujt t’ia drejtohesh: autorit, vetes apo kujtesës kolektive që fshihet pas fjalëve. Është një rrugëtim që nuk të pyet nëse je gati, thjesht të rrëmben në rrjedhën e vet, për të të treguar se ndoshta zanafilla nuk është fillimi i historisë, por vetë ne, në të gjitha format tona të thyera e të ngjizura nga e para.
© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë
Shënohet 22 nëntori, dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe
Manushaqe Hoxha Laçi: Të jesh mësues/e, një sfidë mes detyrës dhe misionit
"Bëj gjëra të vogla me dashuri të madhe!"- Nga shfaqet teatrale në një mision solidariteti