Vaksinimi i popullatës

16 Marsi, Dita Ndërkombëtare e Vaksinimit. Çfarë duhet të dini?

Sot në Ditën Ndërkombëtare të Vaksinimit, 16 mars, sensibilizimi i luftës me virusin vazhdon ende. UNICEF u ka dhënë përgjigje disa prej pyetjeve më të shpeshta nga njerëzit, duke bërë një ndarje nga mitet e pavërteta dhe burimet keqinformuese.

Sot në Ditën Ndërkombëtare të Vaksinimit, 16 mars, sensibilizimi i luftës me virusin vazhdon ende. Këtë muaj mbushen dy vjet që nga fillimi i pandemisë dhe ndryshimi i kursit të jetesës. Nga raportimet e Ministrisë së Shëndetësisë, në vendin tonë raportohen: 2 723 146 vaksinime anti COVID, megjithatë vaksinimi masiv vijon çdo ditë të ndodhë. Në mediet sociale shpesh qarkullojnë informacione të pasakta, duke e bërë një pjesë të popullsisë skeptike ndaj mjekësisë dhe shërbimeve të ofruara. UNICEF u ka dhënë përgjigje disa prej pyetjeve më të shpeshta nga njerëzit, duke bërë një ndarje nga mitet e pavërteta dhe burimet keqinformuese. 


Çfarë duhet të dimë për vaksinimin? A janë të sigurta vaksinat kundër COVID-19?


Vaksina është produkt që shërben për të mbrojtur fëmijët dhe të rriturit nga sëmundje vdekjeprurëse, duke stimuluar imunitetin natyral të trupit për të luftuar sëmundjen. Shkenca i klasifikon vaksinat të sigurta, duke theksuar argumentin se efektet anësore me pasojë vdekje janë të rralla. UNICEF i aprovon vaksinat si të sigurta, duke u mbështetur mbi kriteret e vendosura nga OBSH-ja dhe çdo element sigurie të vendosur nga organizatat mjekësore. 


Si u bë e mundur që vaksinat të prodhoheshin në kohë kaq të shpejtë?


Shkencëtarët ia dolën mbanë të zhvillonin vaksina të sigurta dhe efektive falë përparësisë së disa faktorëve. Pandemia, duke qenë se u shtri në masë globale, krijoi mostra më të mëdha për t’u studiuar. Kështu, me mijëra vullnetarë pranuan të studiohen dhe të japin ndihmesë në gjetjen e një vaksine. Gjithashtu, zhvillimi i teknologjisë ishte një përparësi për prodhimin e vaksinave. Qeveritë dhe organizata të mëdha u bënë bashkë duke hequr pengesat e financimit për kërkimin dhe zhvillimin e vaksinave. 


A dëmtojnë vaksinat kundër COVID-19 materialin gjenetik ADN te njerëzit?


Asnjë nga vaksinat kundër COVID-19 nuk ndikon në ADN-në njerëzore. mRNA ndryshon nga materiali gjenetik ADN. Virusi qëndron brenda qelizës vetëm për 72 orë përpara se të shpërbëhet. Virusi e ndihmon qelizën të imunizojë trupin, por pa u takuar me ADN-në e njeriut. 


Kam lexuar në internet informacione mbi vaksinat kundër COVID-19. Çfarë duhet të di?


Fatkeqësisht, qarkullojnë plot informacione të pasakta në internet mbi virusin dhe vaksinën kundër COVID-19. Keqinformimi në një krizë shëndetësore mund të përhapë paranojë, frikë dhe stigmatizim. Mund të rezultojë gjithashtu që njerëzit të mbeten të pambrojtur ose më të prekshëm ndaj virusit. Merrni fakte dhe këshilla të verifikuara nga burime të besuara, si autoriteti juaj lokal shëndetësor, ose nga OKB, UNICEF, OBSH. 


A duhet të jetë vaksinimi kusht për të ushtruar profesionin?


“Ndërsa varianti Omicron i COVID-19 vazhdon të përhapet në të gjithë botën, ne u bëjmë thirrje qeverive të bëjnë gjithçka, për ta frenuar atë, me qëllim që të mos pengojë më tej arsimimin e fëmijëve. Vaksinoni mësuesit dhe stafin shkollor menjëherë!”- UNICEF, 27 janar 2022. 


Në disa shtete, vaksinimi është bërë i detyrueshëm si kusht për të ushtruar profesionin, veçanërisht për mësuesit dhe lektorët. Shtetet, si Zelanda e Re, Emiratet e Bashkuara Arabe, Uzbekistani etj., e kanë kthyer në detyrim vaksinimin e stafit shkollor. Edhe në vendin tonë, stafi shkollor u udhëzua të vaksinohej për të pasur mundësi të ushtronte profesionin. Mësuesit, të cilët kishin dhënë mësim përmes portaleve online, u vaksinuan duke u rikthyer në klasa. 


Mësuesit duhet të jenë të vaksinuar përpara fillimit të procesit mësimor. Në vijim të vendimit të Komitetit të Ekspertëve, brenda datës 30 shtator 2021, çdo mësues duhet të vaksinohet. Në rast se mësuesi nuk është i vaksinuar, duhet të dorëzojë dokumentin e mjekut të familjes ku të specifikohet arsyeja e mosvaksinimit. – Për miratimin e udhëzimit mbi kujdesin dhe masat kundër COVID-19 në strukturat arsimore parauniversitare për vitin shkollor 2021-2022, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. 


Si duhet të flasim me fëmijët për vaksinën kundër COVID-19?


Tematika delikate e virusit dhe e pasojave mbi shëndetin i ka vendosur shpeshherë në dilemë prindërit dhe mësuesit sesi duhet të qasen. Marrja e njohurive të duhura është çelësi për të shmangur frikërat. UNICEF bën thirrje të mos përqendrohemi tek informacionet nga mediet online, pra të dalim jashtë atyre që thuhen e të bazoheni te faktet e provuara shkencore. Ndihmojini nxënësit duke i inkurajuar se vaksinimi shpëton jetë njerëzore. Si mësues, bëni krahasime mes miteve dhe fakteve. Dëgjoni shqetësimet dhe paqartësitë, duke i udhëhequr në rrugën e së vërtetës. Promovoni vlerat më të forta te nxënësit dhe nxisni guximin për një të ardhme më të mirë. 


Burimi: https://www.unicef.org/coronavirus/what-you-need-to-know-covid-vaccine

https://www.unesco.org/en/articles/monitoring-teacher-vaccination-against-covid-19


Përgatiti: Xhoana Jaku

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

754 Lexime
2 vjet më parë