Fenomen

A duhet mësimdhënësi “t'i lutet” nxënësit? - Nga Evans Drishti 

Nëse familja dhe mësimdhënësi tregohen bashkëpunëtorë dhe të kujdesshëm në konsolidimin e këtij identiteti, vetë fëmija reagon pozitivisht ndaj frazës “Të lutem!” duke konceptuar qartë atë “marrëveshje” që tenton të hyjë në botën e tij për një konfigurim sa më të mprehtë.

Ishte përgatitur mjaft mirë, natyrisht si përherë, për t’u dhënë nxënësve më të mirën e mundshme, njohuritë bazike, të thjeshtëzuara, të qartësuara, të kompletuara, të strukturuara mirëfilltazi… Seç kishte një parandjenjë se diçka do të çalonte, apo më mirë të themi do haste në një ngërç të padëshirueshëm!... 


Me të hyrë në laborator, dëshironte ta niste mbarë, e në fakt ashtu veproi, por ja që figura e djaloshit “të djallëzuar” do të spikaste duke krijuar një atmosferë, që natyrshëm askush s’e dëshironte. Iu drejtua menjëherë me një mirësjellje që shprehej qartë në minikën e tij, teksa fraza “Të lutem!” nisi të jehonte dukshëm. 

Djaloshi tregohej “mospërfillës” ndaj fjalëve këshilluese të mësimdhënësit, jo pse nuk i kuptonte, por s’i shkonte për shtat t’i pranonte. 

Mësimdhënësi kërkoi të ofrohej qetësia në laborator, teksa vijonte të përsëriste frazat e tij të vijueshme “Ju lutem, kini kujdes!” apo “Ju lutem i lëmë bisedat!” … E teksa djaloshi vazhdonte “argëtimin” në botën e tij “mashtruese” tentonte të kishte edhe shoqërues duke zënë pranë vetes edhe nga ato natyra që s’para ia thonin të tregoheshin të vëmendshëm, e kështu “harmonia e tyre” bëhej akoma më shqetësuese. 


Në ruajtje të etikës profesionale, mësimdhënësi tregohej i qetë dhe i durueshëm si dhe mundohej të zbriste në botën e tyre teksa sërish s’mungonte fraza e njohur “Të lutem!…” Proçesi vijonte më pas normalisht, teksa aty – këtu “zërat fëmijërore” të të rinjve të përfshirë në djallëzinë e lojës së pakuptimtë tentonin të tejçonin zërin e tyre, jo nga pavetëdija, por nga pakënaqësia që kërkonin të reflektonin për minutat që për ta s’kishin të mbaruar. E në fakt, fraza “Të lutem!” tingëllonte në atmosferën edukative sikurse tingujt e një zogu që kërkon të sjellë lumturinë dhe kënaqësinë e çastit. E më pas vinte momenti i shumëpritur i bindjes, e për rrjedhojë edhe i të kërkuarit “falje”. 


Mos vallë djaloshi e kuptoi se ç’peshë kishte fraza “Të lutem!”? 


Në brishtësinë që të sjellin realitetet e sotme raporti mësimdhënës – nxënës ka marrë një tjetër nuancë dhe ngjyrim. 

Kjo për disa arsye: 

- Në periudhën e demokracisë “liria” e shumëkërkuar është ofruar në mënyrë të menjëhershme dhe të pakontrollueshme nga familjarët e të rinjve në emër të një “çlirimi” të identitetit të fëmijës që në hapat e tij të parë.


 - Komunikimi prind – fëmijë ka marrë një trajtë përtej këtij raporti duke kapërcyer linjën e pozicioneve përkatëse në emër të të qenurit “shokë” - Fëmija ka krijuar një “pavarësi identitare” duke marrë një mbështetje dhe përkrahje të fuqishme në këtë drejtim si për të harmonizuar raportet brënda një komunikimi “të frytshëm”


 - Fëmijët e realitetit të sotëm u rritën me teknologjinë, që për ta erdhi si një armatë e qëndrueshme dhe e pashtershme, duke qëndruar inferiorë ndaj raporteve familjare dhe për rrjedhojë edhe atyre në shkollë dhe në jetë. 


- Të zhytur në këtë “burgim të pamëshirshëm” fëmija nuk arriti të konceptonte parimet bazë të etikës dhe të mirësjelljes në komunikim dhe në kërkim të formimit të identitetit dhe karakterit të vet si rrjedhojë e një distancimi të krijuar në mënyrë të vetëdijshme nga kjo relatë. 


- Ky lloj distancimi solli edhe ftohtësinë e fëmijës me “formimin e karakterit dhe identitetit të tij” pasi ajo me të cilën përballet në minutazhet e panumërta që sjell “burgimi” nuk ofron një rregullator që inkuadron këtë identitet dhe këtë karakter.


- I ftohur në marrëdhëniet familjare fëmija paraqet një ftohtësi edhe në marrëdhëniet edukative, pra në raportet e tij me mësimdhënësit, dhe jo vetëm, por edhe me spektrin e gjerë të njohurive për të cilat ka marrë mundimin të vijë në institucionin arsimor për t'i përftuar. 


- I përfshirë në lobin e një lumturie të shfrenuar dhe artificiale humbet reagimin e rregullt ndaj mësimdhënësit dhe për rrjedhojë ndaj njohurive shkencore dhe edukative.


- Në emër të lirisë së fjalës dhe të veprimit degradon në një komunikim jo të rregullt dhe joetik duke shfaqur pikërisht një mospërfillje të padëshirueshme.


Nisur nga këto, fraza “Të lutem!” ngelet “e tharë” duke mos marrë konutacionin dhe peshën që kërkon në të vërtetë, pasi konceptimi i fëmijës qëndron hermetik dhe i ngurtësuar. Prandaj është e domosdoshme që në të tilla raste fëmija të ndjehet që është pjesë e realitetit duke i ofruar një bashkëbisedim të ngrohtë që reflekton paqen dhe sigurinë se nuk do ndërshkohet nga një rrethanë e tillë e krijuar. Më pas profesionalizmi i mësimdhënësit është që të tilla mentaliteteve dhe natyrave fëmijërore t’u ofrojë “një koncentrat” bazik dhe themeltar” ku fëmija mund dhe duhet të gjejë vetveten. 


Ky koncentrat mund të jetë:

  • Fjalë kyçe të temës së ditës; 
  • Fraza të qarta dhe jo të gjata që vijnë të perceptushme në natyrën dhe mëndjen e fëmijës;
  • Ushtrim në formë loje duke forcuar botën kërkuese të fëmijës;
  • Një lidhje e ngushtë e çështjes me realitetin e kohës dhe momentet kyçe që mund të kalojë fëmija;
  • Një përshtatshmëri e mirëfilltë me natyrën e fëmijës duke patur në konsideratë që mësimdhënësi kupton më së miri psikologjinë dhe botëkuptimin e fëmijës…. 


Por çështja s’mund të shihet vetëm në raportin mësimdhënës – nxënës, pasi fëmija duhet vënë patjetër në vëzhgim të vazhdueshëm edhe nga ana e familjes së tij. 

Komunikimi me prindërit s’mund të kushtëzohet vetëm në rastet e “takimeve me prindër” apo në rastet e “vërejtjeve”, përkundrazi, një komunikim i përhershëm dhe korrekt do sillte një përmirësim të dukshëm në raportet në fjalë. 


  1. Ta vëmë fëmijën në dijeni se në botën e tij të magjishme ka pasione të shumta që presin të zhvillohen.
  2. Ta vëmë fëmijën në lëvizje të ushtrojë ato gjëra që pëlqen duke i ofruar edhe disa mundësi bazike si brënda ambientit të shkollës ashtu edhe përtej saj.
  3. Të komunikojmë me prindërit për një angazhim të përbashkët në zhvillimin e pasioneve dhe për rrjedhojë edhe të intelektit të fëmijës. 
  4. Të përgatisim mjete pune dhe rrethana që vënë në punë dhe e angazhojnë fëmijën dhe botën e tij të magjishme dhe këto rezultate t’ua paraqesim edhe familjarëve në mënyrë që të kuptojnë se angazhimi ka sjellë frytet e veta. 
  5. T’u ofrojmë fëmijëve ngjarje dhe ndodhi të shkurtra që kanë në thelb formimin intelektual të tyre dhe të tilla ndodhi t’ua reflektojmë edhe familjarëve.
  6. Të krijojmë bashkëveprime në grup duke mos anashkaluar edhe frytet që sjell teknologjia duke paralelizuar botën e teknologjisë me botën reale, dhe kështu fëmija do mund të krijojë një urë lidhëse mes dy botëve.

E nëse familja dhe mësimdhënësi tregohen bashkëpunëtorë dhe të kujdesshëm në konsolidimin e këtij identiteti, vetë fëmija reagon pozitivisht ndaj frazës “Të lutem!” duke konceptuar qartë atë “marrëveshje” që tenton të hyjë në botën e tij për një konfigurim sa më të mprehtë dhe të kthjelluar për krijimin e një karakteri sa më të qëndrueshëm. 



Diçka është e domosdoshme të mos anashkalojmë: Ashpërsia, egërsia, gjaknxehtësia s’janë dhe s’duhet të jenë asnjëherë çelësat e zgjidhjes së problematikës. Pasi mëndja e fëmijës kërkon të kuptojë vetëm atëherë kur shpirtin ta ketë të qetë dhe jo të trazuar.       



Nga Evans Drishtimësues i Gjuhës dhe Letërsisë pranë Medresesë së Shkodrës




©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

     

2,899 Lexime
3 vjet më parë