FENOMENI

A janë të dëmshme për shkollat grupet e prindërve që komunikojnë në WhatsApp?

Në shumë shkolla të huaja, por edhe mbarë shqiptare është përhapur tendenca e krijimit dhe e përdorimit të grupeve në WhatsApp për të komunikuar me prindërit. Por kjo gjë mund të jetë e dëmshme për institucionet arsimore në mënyra të ndryshme!

Shumë mësues/edukatorë e kanë më të lehtë që të komunikojnë me prindërit e nxënësve të tyre duke hapur grupe në WhatsApp. Kjo gjë duket se është kthyer në tendencë në shumë shkolla, qofshin ato private ose shtetërore, të huaja apo shqiptare. Por së fundi, nga specialistët që merren me studimin e këtij lloj komunikimi është deklaruar se kjo mënyrë është e dëmshme për vetë institucionet arsimore. Prandaj, drejtoritë e shkollave duhet të marrin parasysh implikimet e mëposhtme përpara se të përkrahin këtë prirje teknologjike.  


MUNGESA E KONTROLLIT

Drejtoria e shkollës ka pak ose aspak kontroll mbi atë që ndodh në grupet e krijuara nga mësuesit kujdestar në WhatsApp për të komunikuar me prindërit e nxënësve. Është shumë e vështirë që kjo gjë të monitorohet dhe të mbahet kontroll mbi llojin e përmbajtjes që shpërndahet.


MUNGESA E PRIVATËSISË 

Pjesa më e madhe e prindërve nuk duan që fotot dhe videot e fëmijëve të tyre të shpërndahen e të shihen nga të panjohur dhe kur bie fjala për këtë, drejtuesit e shkollave kanë një përgjegjësi të madhe ndaj fëmijëve dhe prindërve të tyre.


ËSHTË I PAMUNDUR MIRATIMI I PËRMBAJTJES 

Përmbajtja nuk mund të miratohet përpara se ajo të shpërndahet. Cilësia e përmbajtjes varet ekskluzivisht nga vlerësimi individual dhe nga qëllimet e secilit prind ose mësues. 


NUMRAT E TELEFONAVE CELULARË NUK JANË MË PRIVATË 

Dihet, numrat e celularit të të gjithë pjesëtarëve të grupeve në WhatsApp janë të dukshëm për të gjithë, gjë që i lejon ata lehtësisht që të kryejnë telefonata apo të dërgojnë mesazhe. Mësuesit shpesh herë shqetësohen në orë të papërshtatshme. Madje ka pasur raste “komploti” të prindërve ndaj tyre. 


STRES I SHTUAR PËR NXËNËSIT 

Kur prindërit shohin fotot dhe videot e veprimtarive të nxënësve të tjerë, kanë tendencë t'i krahasojnë fëmijët e tyre me ta, duke u shkaktuar atyre direk ose indirekt stres. Përpjekjet e mësuesve janë të kota për këtë rast. Mësuesit shpesh herë janë shënjestra e gjykimit prindëror, veçanërisht kur njëri prind përpiqet të ndikojë tek të tjerët duke i kthyer ata kundër mësuesit.


NJË ZGJIDHJE E MESME 

Ndalimi i grupeve në WhatsApp nuk është zgjidhje, pasi prindërit i krijojnë ato pa dijeni të shkollës. Ndaj, ajo që kanë nevojë shkollat është një alternativë e përshtatshme për prindërit, si nevojë për të krijuar komunikim me mësuesit për fëmijët e tyre. Drejtuesit e shkollave duhet të marrin në konsideratë aplikacione të tjera celulare në treg që kanë një zgjidhje për këto probleme që u paraqitën më sipër, pra për një platformë ku përparimi i nxënësve mund të ndahet lehtësisht, por duke u ruajtur privatësia. 



(Burimi lernio.in, Portali Shkollor) 

4,768 Lexime
4 vjet më parë