Debati

Algjebra, pengesë e panevojshme për nxënësit?!

“Kush ka nevojë për algjebrën?” – kjo pyetje është ngritur dhe ngrihet çdo ditë në bankat e shkollës nga nxënësit e zemëruar dhe më së fundmi është bërë çështje e një debati madhor mes arsimtarëve amerikanë

Një debat i fortë ka shpërthyer në SHBA nëse algjebra duhet të hiqet nga programet e shkollave të mesme dhe universiteteve, pasi rreth 60-80 për qind e studentëve nuk e kalojnë dot si lëndë dhe lënë shkollën. Një libër i ri provokues argumenton se algjebra e përfshirë në shkolla ka qenë një pengesë e panevojshme për nxënësit.

“Kush ka nevojë për algjebrën?” – kjo pyetje është ngritur dhe ngrihet çdo ditë në bankat e shkollës nga nxënësit e zemëruar dhe më së fundmi është bërë çështje e një debati madhor mes arsimtarëve amerikanë.

Një libër i ri provokues argumenton se algjebra e përfshirë në shkolla ka qenë një pengesë e panevojshme, që detyron miliona nxënës amerikanë të lënë shkollën e mesme apo studentët të lënë universitetin.

Një nga pesë amerikanë të rinj nuk diplomohet nga gjimnazi. Kjo është një nga të dhënat më të këqija në botën e zhvilluar. Përse? Arsyeja kryesore akademike është ngelja në algjebrën e klasës së nëntë”, tha për “AP”, shkencëtari politik, Andrew Hacker, autor i librit “Miti i matematikës dhe iluzione të tjera të shkencaveteknologjike, inxhinierike dhe matematikore”.

Hacker, një profesor në Kolegjin Queens, argumenton se maksimumi vetëm pesë për qind e punëve arrijnë ta përdorin algjebrën dhe kurse të tjera matematikore të avancuara. Ai favorizon një kurrikulum që bazohet më tepër te statistikat dhe më pak tek ekuacioni (y – 3)2 = 4y – 12.

“A ndihmon algjebra të kuptojmë buxhetin federal?” pyeti ai. Shumë ekspertë të arsimit në SHBA, përfshirë arkitektët e Standardit të Përbashkët Thelbësor, nuk bien dakord me këtë ide dhe thonë se matematika duhet mësuar më me saktësi. Sipas tyre, është mirë që nxënësit të kenë aftësi kuantitative, por algjebra është gjithashtu e rëndësishme.

“Çdo studim që kam parë te punonjësit në shumë fusha tregon se ne duhet të kuptojmë formulat, duhet të kuptojmë marrëdhëniet”, tha Philip Uri Treisman, një profesor i matematikës dhe i çështjeve publike në Universitetin e Teksasit. “Algjebra është një mjet i konsolidimit të dijeve në aritmetikë.”

Bill McCallum, një profesor i Universitetit të Arizonës, që ka luajtur një rol kryesor në zhvillimin e standardeve thelbësore të matematikës, tha se ai ishte kundër çdo ndarjeje të klasave të studentëve në ata që ndjekin algjebrën dhe ata që nuk e duan.

“Ju mund të thoni se vetëm një përqindje e vogël e fëmijëve e përdorin algjebrën, por ne nuk e dimë se cilët fëmijë janë ata”, tha ai.

Në qytetin e Nju Jorkut, shtëpi e sistemit shkollor publik më të madh në vend, me 1.1 milionë nxënës, vetëm 52 për qind e nxënësve që i janë nënshtruar testit vjetor të algjebrës e kanë kaluar. Kjo pasqyron statistikat që gjenden edhe në shtete të tjetra të SHBA-së.

Në vend që të pakësojnë sasinë e algjebrës të përfshirë në arsim, specialistët e arsimit në Nju Jork kanë lajmëruar iniciativën “Algjebër për të gjithë”, që synon t’imbajë fëmijët të lidhur me algjebrën, duke ofruar mësues të specializuar matematike në klasë të pestë përpara se të prezantohet algjebra.

“Ne besojmë në standarde të larta”, tha Carol Mosesson-Teig, drejtore e matematikës për zhvillimin e arsimit. “Dhe ne besojmë se mënyra më e mirë për t’u shërbyer studentëve është të forcohet mësimdhënia.”

18-vjeçari Isaiah Aristy e ka bërë dy herë testin kombëtar të algjebrës dhe ka dështuar në të dyja herët.

Aristy, tani një student i vitit të parë në një kolegj në Manhatan që shpreson të arrijë në karrierë si avokat, u shpreh se ishte i mirë në matematikë derisa u has me algjebrën.

“Kur u futën në program x dhe y dhe grafikët, atëherë filluan të më binin notat dhe të mos isha shumë i interesuar”, tha ai. “Por ne nuk na duhet të mësojmë se çfarë është x dhe y. Kur do të vijë ai çast në jetë që të na duhet ta përdorim x dhe y?”

Ashtu si miliona studentë kudo në SHBA, Aristy duhet të marrë me sukses një lëndë matematike pa kredite kolegji dhe pastaj të kalojë të paktën një nivel kolegji të matematikës, nëse synon të diplomohet.

Por Aristy nuk po përsërit vetëm Algjebrën I sërish. Kolegji i tij është një nga 50 kolegjet në14 shtete që ofrojnë një mënyrë alternative, krijuar për të ofruar disa lehtësira sasiore.

“Përfshin disa koncepte bazë të algjebrës, por nuk mëson gjithçka të ngatërruar”, tha kryetari i departamentit të matematikës, Fred Peskoff.

Drejtoresha e projektit, Karon Klipple, tha se ky projekt është krijuar në vitin 2011, për shkak se shumë studentë po e linin universitetin prej algjebrës. Rreth 60 deri në 80 për qind e studentëve që kryejnë testimin e matematikës nuk e kalojnë atë.

“Këtu shpresat dhe aspiratat e tyre vdesin”, sqaroi Klipple. “Ata hyjnë në kolegj për të krijuar një jetë më të mirë për veten dhe nuk arrijnë ta bëjnë këtë, për shkak të matematikës.”

Nxënësit dhe studentët kanë shprehur vazhdimisht dëshirën që të çlirohen nga programet mësimore që nuk do t’i duhen më vonë, ku përfshihet matematika e veçanërisht algjebra.

Me ndryshimet e mëdha teknologjike, në shumë vende të botës teknologjia e informacionit po merr zhvillim të madh dhe përherë e më shumë nxënës po mësojnë që herët të programojnë.

5,732 Lexime
8 vjet më parë