Alma Dema: 7 Marsi mes mirënjohjes dhe konsumizmit

7 Marsi, Dita e Mësuesit, lindi si simbol mirënjohjeje për misionin e mësuesit, por sot shpesh shoqërohet me garë dhuratash dhe presion social për familjet. Alma Dema ngre një reflektim mbi këtë fenomen, duke theksuar se vlera e kësaj dite duhet të mbetet mirënjohja e sinqertë dhe dashuria pedagogjike.

Nga Alma Dema


Në Shqipëri, 7 Marsi, ose ndryshe Dita e Mësuesit, lidhet simbolikisht me hapjen e Mësonjëtorja e Parë Shqipe në Korçë në vitin 1887, një ngjarje themelore për arsimin kombëtar. Kjo datë është menduar si ditë falënderimi dhe respekti për mësuesit, për misionin e tyre edukues dhe formues të brezit të ri dhe për rolin që kanë në ndërtimin e parimeve të qytetarisë dhe bashkëjetesës në komunitet. Megjithatë, në praktikë, në shumë shkolla kjo festë është zhvendosur nga kuptimi simbolik drejt një gare të heshtur dhuratash.


Nga mirënjohja te presioni social


Nuk janë të pakta rastet kur nxënësit, shpesh përmes prindërve, ndihen të detyruar të kontribuojnë financiarisht për dhurata “dinjitoze” që duhet t’u bëjnë mësuesve të tyre në këtë ditë, ti tilla si buqeta të kushtueshme, parfume, bizhuteri, veshje apo edhe shuma parash të mbledhura në grup. Në disa klasa krijohet një standard i pashkruar:, pra sa më e shtrenjtë dhurata, aq më i madh “respekti”. Ky standard prodhon disa pasoja problematike!


Së pari, thellon pabarazitë ekonomike mes fëmijëve. Jo të gjitha familjet kanë të njëjtat mundësi financiare. Fëmijët nga familje me të ardhura më të ulëta mund të përjetojnë ndjenjë turpi ose përjashtimi.


Së dyti, vendos presion psikologjik mbi nxënësit dhe prindërit, duke e kthyer një festë simbolike në detyrim financiar, duke rrezikuar bindshëm etikën profesionale, sidomos kur dhuratat priten apo kërkohen në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë.


Së treti, në rastet më problematike, krijohet një klimë konkurrimi mes klasave ose mes prindërve, ku vlera monetare e dhuratës bëhet matës i “mirënjohjes”. Kjo bie ndesh me parimet e barazisë dhe edukimit qytetar dhe aftësimin me kompetencën qytetare, që vetë shkolla synon të kultivojë.


7 Marsi si festë dashurie pedagogjike


Nga ana tjetër, ka shumë mësuese e mësues që e shohin 7 Marsin si një ditë simbolike, ku mjafton një kartolinë e punuar me dorë, një poezi, një lule e thjeshtë apo një fjalë falënderimi. Për ta, vlera qëndron në emocionin dhe kujtesën, jo në çmimin. Disa madje e kthejnë ditën në një festë për nxënësit: organizojnë aktivitete, lojëra, lexime, apo reflektime mbi figurën e mësuesit në histori, duke e zhvendosur fokusin nga “çfarë marr” te “çfarë jap”.


Ky qëndrim është më pranë frymës së 7 Marsit, pra, Mësuesi si figurë e përkushtimit dhe e shërbimit publik, jo si përfitues i privilegjeve materiale.


Një çështje etike dhe kulturore


Debati për dhuratat nuk është thjesht çështje shijeje personale; ai prek etikën e profesionit dhe kulturën e shkollës. Kur dhurata bëhet normë e nënkuptuar, ajo mund të deformojë marrëdhënien pedagogjike, duke e zhvendosur nga dimensioni edukativ në një marrëdhënie simbolike borxhi.

Shkolla është hapësirë formimi qytetar. Nëse në këtë hapësirë normalizohet ideja se respekti (apo kujdesi) matet me vlerë monetare, atëherë mesazhi edukativ bëhet kontradiktor.

Ndaj, do të ishte e udhës që të normalizohej  një kulturë më të shëndetshme falënderimi, një qasje më e drejtë dhe edukativ, e cila  do të ishte:


  • Nxitja e dhuratave simbolike dhe kreative (kartolina, mesazhe, aktivitete artistike).
  • Vendosja e rregullave të brendshme nga shkollat për të shmangur dhuratat me vlerë monetare.
  • Theksimi i dimensionit historik dhe kulturor të 7 Marsit, përmes aktiviteteve reflektuese.


Është e domosdoshme që 7 Marsi duhet të mbetet një ditë mirënjohjeje e sinqertë dhe jo një provë e aftësisë ekonomike të familjeve. Mësuesi, si figurë publike e formimit, fiton më shumë respekt nga integriteti dhe dashuria për nxënësit sesa nga çdo dhuratë e kushtueshme. 


Dhe ndoshta mënyra më e bukur për ta festuar këtë ditë është pikërisht ajo që disa mësuese tashmë e bëjnë: ta kthejnë në një festë të dijes, të kujtesës dhe të dashurisë pedagogjike.




©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë  

273 Lexime
4 orë më parë