Dedikim për maturantët

Alma Mara: Mesazh për ju që finalizoni maturimin tuaj!

Unë besoj tek forca juaj! Tek ajo që mposhti çdo pengesë që u shfaq si grumbull gurësh në rrugën e jetës tuaj. Unë ju kam parë vetë se si rrokullisët gurët dhe ndërtuat me to optimizmin për vete dhe për mua.

Vit i vështirë për të gjithë ju! 

Sfida që si kishit njohur, ju lëkundën ca si shumë, ditë e netë me radhë. Ngrysët netë të vështira dhe pritët mëngjese të ftohta plot ankth si asnjëherë në jetën tuaj. Ju kam ndjekur me vëmendjen e një prindi dhe mësuesi çdo ditë. Ju shihja tek rriteshit me një shpejtësi pemësh alpine,që edhe pse me dëborë mbi kurriz shtojnë degë e lëkurë. Kishit një forcë që ua kisha zili, por që e shfrytëzova vjedhurazi për të mbetur e re pranë jush. Ndatë me mua frikën e të panjohurave, lotët e mbajtura fort gjatë natës, pakënaqësitë e të rriturve që se pranonin "maturimin" tuaj...Ndatë me mua dhe mllefin e një kohe që asnjëherë su tregoi fytyrën e vërtetë të njerëzve...Tek dëgjova jetën tuaj prej fëmije të "plakur" me sfida, mësova të jem si ju. Natyrshëm më bëtë si veten; me 1000 defekte, por me dëshirën për të ndryshuar. ...dhe ja pikërisht sot, ndjej që jam një me ju; në ankthin e provimit të fundit.Zgjodhët lëndët që ju mësova unë ose lëndët që mësuat me mua. Pranoj pa turp që shpesh ju kisha mësues. 

Teoritë psikologjike ju mi shndërruat në përvoja personale dhe unë thoja me vete shpesh, sa të zgjuar që janë! Sa të fortë! Ato supe të brishta që edhe një çantë shpine i tërhiqte, mbanin probleme që në rininë time as i konceptoja. Unë shpjegoja stresin, adoleshencën, motivimin, inteligjencën, ju shpejt e shpejt përvojën tuaj mbi to ma jepnit si enciklopedi shumëfletëshe. Kaloja në ekonomi ku zbatimet më konkrete i gjeja në mençurinë tuaj për të zbërthyer realitetin.

Keni ankth sot?

Unë kam dyfishin tuaj! Nesër do të flisni me zërin dhe punën time. Duart tuaja prej nga pashë të zgjateshin vijat e stërmundimshme të jetës, nesër "vulosin" edhe për mua. Sot ankthin ma lini mua!Jo sepse unë jam më e fortë se ju! Se kam pretenduar kurrë këtë, por sepse ankthi nuk duhet të jetë më pjesë juaja.Nesër ju i jepni fund mundimeve dhe sprovave të këtij viti të mbrapshtë. Nesër ju jeni vetja juaj e të nesërmes...Unë ju shoh që tani në profesionin tuaj; të zgjuar, të matur, të qeshur, siç ju njoha unë. Harrojeni këtë vit të mbrapshtë dhe të gjitha shqetësimet që ju solli ai! Harrojini dhe dyshimet që keni që nuk jeni në formë për nesër...Unë besoj tek forca juaj! Tek ajo që mposhti çdo pengesë që u shfaq si grumbull gurësh në rrugën e jetës tuaj. Unë ju kam parë vetë se si rrokullisët gurët dhe ndërtuat me to optimizmin për vete dhe për mua. Edhe në gabofshi nesër, edhe në keni harruar ç'keni mësuar prej meje, ju mbeteni nxënësit e mi! Unë jam krenare që isha mësuese juaja!


Nga Alma Mara


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,047 Lexime
3 vjet më parë