
Arti i mësuesit dhe metodat finlandeze për një klasë gjithëpërfshirëse dhe mendimtare
Pranvera Musta: “Ky artikull lindi nga përvoja ime në klasë, ku kam zbatuar qasjet finlandeze të të nxënit aktiv, bashkëpunues dhe gjithëpërfshirës. Synimi është të ndaj me kolegët ide konkrete, që kthejnë çdo orë mësimore në një hapësirë ku nxënësi mendon, pyet dhe krijon”.
Autore: Pranvera Musta
Mësuese e kimisë dhe biologjisë / Trajnuese për arsimin gjithëpërfshirës dhe mendimin kritik. Inspiruar nga qasja finlandeze e të nxënit aktiv
Kur nxënësi fillon të mendojë vetë - nga pyetjet te mendimi i pavarur
Ky artikull lindi nga përvoja ime në klasë, ku kam zbatuar qasjet finlandeze të të nxënit aktiv, bashkëpunues dhe gjithëpërfshirës. Synimi është të ndaj me kolegët ide konkrete, që kthejnë çdo orë mësimore në një hapësirë ku nxënësi mendon, pyet dhe krijon.
Arsimi në thelb nuk është thjesht përsëritje e dijes, por proces i zbulimit të saj.
Nga dëgjues pasivë në mendimtarë aktivë
Ky është thelbi i qasjes finlandeze ndaj të nxënit: mësuesi nuk është thjesht transmetues i dijes, por udhëheqës i procesit të të menduarit. Qëllimi nuk është që nxënësi të mësojë përmendësh, por të mendojë, të kërkojë, të kuptojë pse ndodh diçka dhe si mund të ndryshojë.
Në një orë mësimi, përpara se të jap përgjigjen, zgjedh të pyes:
“Pse ndodh ky ndryshim? Çfarë do të ndodhte nëse do ta ndryshonim një faktor?”
Në ato momente, klasa ndalet për një çast dhe më pas nis procesi i të menduarit.
Nxënësit fillojnë të debatojnë, të krahasojnë, të lidhin njohuritë me situata nga jeta e përditshme.
Nuk kam më një klasë që më dëgjon pasivisht, por një klasë që mendon, kërkon dhe pyet.
Aty lind mësimi i vërtetë, sepse nxënësi që pyet kupton dhe ai që mendon, nuk harron kurrë.
Arti i pyetjes, ura që lidh dijen me jetën
Një pyetje e mirë vlen më shumë se një orë shpjegimi.
Gjatë trajnimeve me profesorë finlandezë, kuptova se pyetja e hapur është zemra e çdo mësimdhënieje efektive. Ajo nuk kërkon thjesht një përgjigje, por nxit mendimin, debatimin dhe kuptimin e thellë.
Në vend që të pyes “Cili është përkufizimi?”, zgjedh të them: “Si do ta përshkruanim këtë me fjalët tona?”
Në vend që të kërkoj “Cila është përgjigjja e saktë?”, pyes: “Pse mendon se është kështu?”
Këto pyetje hapin rrugë drejt arsyetimit, krahasimit dhe reflektimit, që janë tre shtyllat mbi të cilat ndërtohet mendimi i pavarur.
Në këtë mënyrë, nxënësi nuk ndjek më thjesht një udhëzim, por bëhet bashkautor i të nxënit të tij.
Zbatimi i metodave finlandeze në praktikën e përditshme
Në përvojën time të përditshme në klasë, kam vërejtur se metodat finlandeze funksionojnë me sukses të menjëhershëm, kur përshtaten me kontekstin dhe kulturën tonë shkollore.
Ato nuk kërkojnë një ndryshim rrënjësor të mënyrës së mësimdhënies, por një ndryshim këndvështrimi - nga mësimi i udhëhequr nga mësuesi drejt të nxënit të udhëhequr nga nxënësi.
Në praktikë, kjo merr formë përmes disa qasjeve konkrete:
• Nxënësit punojnë në grupe bashkëpunuese, ku secili ka një rol të qartë - hulumtues, raportues, përmbledhës - duke ndërtuar aftësi përgjegjësie dhe bashkëpunimi.
• Çdo temë fillon me një situatë jetësore që kërkon zgjidhje përmes dijes, duke i bërë konceptet shkencore të prekshme dhe kuptimplota.
• Eksperimentet, projektet dhe debatet nuk përdoren thjesht për të testuar kujtesën, por për të ushtruar mendimin kritik, arsyetimin dhe komunikimin.
• Reflektimi pas çdo ore është pjesë thelbësore e procesit, ku nxënësit analizojnë çfarë kanë mësuar, si e kanë mësuar dhe pse është e rëndësishme për ta personalisht.
Këto metoda e kthejnë orën e mësimit në një hapësirë bashkëkrijimi, ku çdo nxënës ndjehet i dëgjuar, i përfshirë dhe i motivuar në përputhje me parimet e arsimit gjithëpërfshirës dhe qasjes finlandeze moderne.
Aktivitetet e shkurtra fizike: çelësi për rikthimin e përqëndrimit gjatë orës së mësimit
Një nga elementet më efektive të metodës finlandeze është përfshirja aktive e nxënësve gjatë gjithë orës, jo vetëm mendërisht, por edhe fizikisht.
Studimet pedagogjike finlandeze tregojnë se lëvizja e lehtë ndihmon trurin të rifreskojë energjinë dhe përqëndrimin, duke përmirësuar aftësinë për të menduar dhe për të kujtuar.
Në praktikë, kjo realizohet përmes “aktiviteteve të shkurtra për rikthimin e fokusit” (2–3 minuta), ku mësuesi udhëheq nxënësit në lëvizje të thjeshta si ecje në vend, aktivitete fizike të lehta ose lojëra të shkurtra që kërkojnë bashkëpunim dhe vëmendje.
Këto pauza janë veçanërisht të dobishme pas aktiviteteve që kërkojnë mendim të thellë ose kur vërehet ulje e energjisë në klasë.
Mësuesi mund t’i shfrytëzojë këto momente edhe si strategji reflektuese, duke i ftuar nxënësit të ndajnë një ide të re që kanë kuptuar, ose të parashikojnë rezultatet e një eksperimentimi që do të zhvillohet më vonë.
Në këtë mënyrë, ora e mësimit mbetet dinamike, e ekuilibruar dhe gjithëpërfshirëse - nxënësit janë më të përqëndruar, më të motivuar dhe më të gatshëm për të menduar në mënyrë aktive.
Kultura e gabimit, rruga drejt mendimit të pavarur
Në shumë klasa, frika nga gabimi është ende një nga pengesat më të mëdha për të nxënit e vërtetë.
Në qasjen finlandeze dhe në një “thinking classroom”, gabimi nuk shihet si dështim, por si dëshmi e përpjekjes për të menduar dhe për të kërkuar zgjidhje.
U them shpesh nxënësve të mi: “Nëse nuk gabon, do të thotë që nuk po provon.”
Ky mesazh u jep atyre lejen për të eksperimentuar, për të pyetur dhe për të dalë nga zona e rehatisë.
Kur një nxënës ndjehet i sigurt të gabojë, ai ndjehet edhe i lirë të mendojë.
Dhe vetëm mendimi i lirë, pa frikë e pa gjykim, mund të çojë në krijim, inovacion dhe ide të reja.
Kjo është arsyeja pse ndërtimi i një kulture të sigurtë emocionale në klasë është po aq i rëndësishëm sa përmbajtja e mësimit vetë.
Roli i mësuesit në epokën digjitale
Në epokën digjitale, roli i mësuesit po transformohet. Ai nuk është më vetëm udhëheqës i mendimit, por udhërrëfyes që ndihmon nxënësit të përdorin teknologjinë me qëllimzhvillimin e mendimit kritik dhe krijues.
Digjitalizimi nuk është qëllim në vetvete, por është mjet që e bën mësimin më tërheqës, bashkëpunues dhe të personalizuar.
Detyra jonë është të ndihmojmë nxënësit të shfrytëzojnë teknologjinë për të ndërtuar dije, jo vetëm për ta konsumuar atë.
Në orën e mësimit kjo merr formë përmes:
• përdorimit të mjeteve digjitale për kërkim, krahasim dhe reflektim të burimeve;
• platformave bashkëpunuese si Jamboard, Padlet, Mentimeter, Kahoot etj.që e bëjnë orën ndërvepruese dhe gjithëpërfshirëse;
• simulimeve dhe eksperimenteve virtuale, që ndihmojnë në vizualizimin e koncepteve të thjeshta apo të vështira;
• projekteve digjitale (postera, video, prezantime) që nxisin kreativitetin, vetëvlerësimin dhe punën në grup.
Teknologjia nuk e zëvendëson mësuesin, por ajo e fuqizon atë. Mësuesi mbetet zemra e procesit mësimor, sepse vetëm ai mund t’i japë teknologjisë kuptim njerëzor, duke e kthyer në një urë që lidh dijen me realitetin, idetë me krijimtarinë dhe mësimin me jetën.
Si të rrisim menaxhimin e orës dhe angazhimin e nxënësve
Sfidat e motivimit janë të dukshme në shumë klasa. Interesi i nxënësve për të nxënë ka rënë, dhe shpesh mësuesit ndihen të pafuqishëm për ta rikthyer.
Një qasje e frymëzuar nga arsimi finlandez mund të ndihmojë që ora e mësimit të kthehet në një hapësirë dinamike ku nxënësi është i angazhuar, bashkëpunues dhe i motivuar.
Si mund ta arrijmë këtë në praktikë:
- Planifikim fleksibël i orës - ndërthurja e diskutimeve, eksperimenteve, projekteve dhe reflektimeve që i japin nxënësit role aktive.
- Përdorimi i pyetjeve të hapura- inkurajon mendimin kritik, krahasimin e ideve dhe zgjidhjen e problemeve reale.
- Mësimi bashkëpunues- puna në grupe të vogla me role të qarta krijon ndjesinë e suksesit personal dhe të përbashkët.
- Teknologjia si mbështetje, jo si qëllim -përdorimi i platformave digjitale u jep nxënësve mundësinë të marrin kontroll mbi procesin e të nxënit.
- Kultura e gabimit -nxënësit ndihen të sigurt të provojnë, të gabojnë dhe të reflektojnë, duke nxitur kuriozitetin dhe ndërtuar vetëbesimin në mendim deri në mendimin kritik dhe krijues.
Në këtë mënyrë, mësuesi bëhet menaxher i orës së mësimit, që di si të ndërthurë aktivitete, të ruajë ritmin dhe të krijojë një atmosferë gjithëpërfshirëse, ku çdo nxënës gjen hapësirën e tij për të menduar, pavarësisht nivelit të përgatitjes fillestare të tij.
Roli i mësuesit në epokën e mendimit kritik
Në një kohë kur informacioni është vetëm një klik larg, sfida e vërtetë e arsimit nuk është më të dish sa më shumë, por të mendosh më thellë.
Në këtë realitet digjital, asnjë algoritëm nuk mund të zëvendësojë mendimin njerëzor, kureshtjen apo ndjeshmërinë. Vetëm mësuesi mund të ndezë shkëndijën e brendshme të të nxënit - atë dëshirë për të kuptuar, për të pyetur dhe për të gjetur kuptim në dije.
Ai është udhëheqësi i mendimit kritik, që me dashuri, durim dhe besim, e shndërron çdo orë mësimi në një hapësirë ku dija merr frymë dhe mendimi bëhet i gjallë.
Këshilla praktike për kolegët
1. Pyet për të menduar, jo për të përgjigjur
Zgjidh pyetje të hapura që nxisin arsyetim: “Pse?”, “Si?”, “Çfarë ndodh nëse…?”
2. Jepi rol çdo nxënësi
Në grupet bashkëpunuese, secili nxënës të ketë një detyrë konkrete (hulumtues, raportues, përmbledhës, etj) për të ndjerë përgjegjësinë e pjesëmarrjes.
3. Prano gabimin si pjesë të mësimit
Krijo një mjedis ku gabimi analizohet, jo ndëshkohet. Nxënësit ndihen të lirë të provojë, të gabojnë dhe të reflektojnë.
4. Reflekto me klasën
Në fund të orës, pyet: “Çfarë menduat ndryshe sot?” ose “Cila ishte pjesa më e dobishme për ju?” pyetje të vogla, me efekt të madh.
5. Aktivitetet fizike të shkurtra
Vendos pauza 2-3’ me ecje në vend ose lojëra të shkurtra për të rikthyer energjinë dhe përqëndrimin.
6. Përdor teknologjinë si mjet mësimi
Shfrytëzo platforma bashkëpunuese (Jamboard, Padlet, Kahoot, Mentimeter etj.) dhe simulime virtuale për të bërë mësimin interaktiv dhe gjithëpërfshirës.
7. Ndërthur diskutimin me eksperimentet
Kërko që nxënësit të parashikojnë rezultatet, të krahasojnë dhe të argumentojnë, duke zhvilluar mendimin kritik.
8. Zhvillo menaxhimin e orës si art
Ndërthur aktivitetet: diskutime, reflektime, eksperimente, projekte dhe pauza fizike. Kjo ruan ritmin dhe fokusin gjatë gjithë orës.
9. Inkurajo bashkëpunimin dhe respektin
Nxënësit mësojnë të dëgjojnë njëri-tjetrin, të ndajnë ide dhe të pranojnë mendime të ndryshme, duke krijuar një atmosferë gjithëpërfshirëse.
10. Përdor reflektime të shkurtra gjatë orës
Pas çdo aktiviteti, pyet: “Çfarë kuptove?” ose “Si do ta përdorësh këtë njohuri?” - kjo i ndihmon të lidhin të mësuarit me jetën reale.
11. Mbaje entuziazmin dhe kureshtjen gjallë
Trego shembuj nga jeta reale, eksperimente të pazakonta ose pyetje sfiduese që ndezin dëshirën për të zbuluar më shumë.
12. Monitoro progresin individual
Vëzhgo çdo nxënës dhe përshtat aktivitetet sipas nevojave të tij, duke krijuar një mësim të personalizuar dhe gjithëpërfshirës.

Disa metoda të arsimit finlandez të praktikuara në klasat ku unë jap mësim
Boshtet, një metodë për shqyrtimin e pikëpamjeve dhe perspektivave të ndryshme.
- Boshtet mund të përdoren për të vënë në dukje pikëpamjet dhe mendimet e ndryshme në klasë dhe për të rritur tolerëncën ndaj diversitetit.
- Mësuesi krijon një bosht me dy skaje. Njëri skaj i boshtit mund të jetë ”Plotësisht dakort”, ndërsa tjetri ”Aspak dakort”.
Më pas, mësuesi paraqet argumentetë ndryshme të cilave nxënësit duhet t’u përgjigjen nëse janë ose jo dakord, ose nëse janë disi ndërmjet të dyjave, dhe të pozicionohen në bosht sipas rastit. Për pozicionimin në bosht nxënësit mund të japin shpjegimin dhe argumentin e tyre.
3 - 2 -1 - Kjo metodë përdoret në fund të orës së mësimit. Kjo mundëson vlerësimin e të kuptuarit të nxënësve, shkrimin e mendimeve të tyre dhe përsëritjen e njohurive që mësuan. Kjo metodë i jep mësuesit mundësi të identifikojë çfarë mund të rishikoj për orën mësimore të ardhshme, apo çfarë ka interes nxënësi të mësojë orën e ardhshme.
Nxënësi shkruan tri gjëra që ka nxënë nga mësimi.
Më pas, nxënësit shkruajnë dy gjëra që i konsideruan interesante dhe për të cilat do të dëshironin të mësonin më shumë.
Së fundi, nxënësit shkruajnë një pyetje që kanë për temën e mësimit.

Karamelet e përshëndetjes - Në përfundim të orës së mësimit, ju kërkohet nxënësve që të mendojnë se cili prej shokëvë apo shoqeve të klasës ju ka dhënë sot ndonjë ide apo mendim apo që ju ka ndihmuar të mësoni diçka të re dhe ta falenderoni duke i dhënë një karamele dhe duke i treguar se si ju ka ndihmuar.

Aftësitë emocionale. Çfarë lloj ndjenjash keni këtë orë mësimi?
Në fillim të orës së mësimit nxënësit zgjedhin etiketat (gëzim, trishtim, mirësi, zili, lumturi, frikë, entuziazëm, inat, habi, siguri) se çfarë lloj ndjenjash kanë sot në klasëduke u drejtuar pyetjet: Çfarë ndjenje mund t’ju ndihmojë për të mësuar diçka të re?Çfarë ndjenje mund t’ju pengojë për të mësuar diçka të re?
Rrathët e brendshëm dhe të jashtëm
Metodë bashkëpunuese që rrit ndërveprimin e përgjithshëm të grupit, mundëson ndarjen e njohurive, përvojave dhe mendimeve, si dhe të nxënët nga të tjerët.
Mund të përdoret për:
- Matjen e nocioneve dhe njohurive të mëparshme: Për çfarë keni njohuri?
- Ndarjen e njohurive, mendimeve dhe përvojave: Çfarë keni mësuar sot?
- Rishikimin dhe testimin e koncepteve të njohura: Çfarë mbani mend?
Nxënësit ndahen në dy grupe të barabarta. Njëri grup formon rrethin e brendshëm dhe tjetri rrethin e jashtëm.Nxënësit në rrethin e brendshëm, qëndrojnë me fytyrë nga jashtë, dhe ata në rrethin e jashtëm, me fytyrë nga brenda. Secili nxënës vendoset përballë njëri-tjetrit. U jepen nxënësve udhëzime të qarta për atë që do të flasin.Pas pak, i kërkohet secilit rreth, që të kalojë një nxënës në të djathtë ose në të majtë, në mënyrë që gjthsecili të ketë përballë një nxënës tjetër.

Veprimtaria dhe rotacioni mund të përsëritet aq herë sa është e nevojshme.

Përfundimi
Kur një nxënës thotë:“Mësuese, nuk jam i sigurt, por po mendoj kështu…”unë e di që ai ka filluar udhëtimin drejt dijes së vërtetë. Arsimi nuk është thjesht të mbushësh enën me njohuri, por të ndezësh zjarrin e mendimit dhe të inkurajosh kërkimin e përgjigjeve.
Sot, më shumë se kurrë, mësuesi mbetet ai që ndez dhe mban gjallë këtë zjarr në çdo orë, në çdo klasë, për çdo nxënës që dëshiron të mësojë dhe të zhvillojë mendimin kritik dhe krijues.

© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Teste të integruara për arsimin fillor dhe modele VANAF, viti shkollor 2024-2025
Projekte për lëndë të ndryshme në arsimin fillor (Klasa 1-5)
Modele Testesh për Arsimin Fillor për të tria periudhat, viti shkollor 2024-2025