“Bam”, roboti që rrëfen historinë e gjimnazit "Qemal Stafa" në 100-vjetorin e tij
Në kuadër të 100-vjetorit të gjimnazit “Qemal Stafa”, nxënësit prezantuan një robot-ciceron që rrëfen historinë e shkollës. Projekti “Bam” ndërthur traditën me teknologjinë, duke shfaqur foto, fakte dhe rrëfime përmes zërit, si shembull i inovacionit në arsim
Në prag të 100-vjetorit të gjimnazit “Qemal Stafa”, nxënësit e këtij institucioni kanë sjellë një projekt novator që bashkon traditën me teknologjinë: një robot-ciceron që rrëfen historinë e shkollës. Roboti, i quajtur “Bam”, është ideuar dhe ndërtuar nga një grup nxënësish të apasionuar pas teknologjisë dhe inteligjencës artificiale, në bashkëpunim me mësuesit e informatikës.
Ky projekt inovativ ka për qëllim të prezantojë rrugëtimin 100-vjeçar të gjimnazit përmes një forme të re komunikimi me publikun. Roboti “Bam” shfaq në ekran fotografi dhe fakte historike mbi shkollën, ndërsa me anë të zërit rrëfen ngjarje e kujtime që kanë shënjuar breza të tërë nxënësish. Në fazën e ardhshme, synohet që ai të lëvizë dhe të ndërveprojë me vizitorët, duke ofruar një përvojë interaktive që i afron të rinjtë me historinë e institucionit.
Drejtoresha e shkollës, Klotilda Jaupi, theksoi se ideja lindi nga dëshira për të sjellë gjimnazin “Qemal Stafa” në një mënyrë më moderne dhe afër brezit të sotëm, duke e paraqitur traditën përmes mjeteve bashkëkohore. “Ky është një shembull i bukur se si e shkuara dhe e ardhmja mund të bashkëjetojnë në një projekt arsimor”, u shpreh ajo.
Projekti i robotit “Bam” vjen si pjesë e aktiviteteve të shumta që po zhvillohen në kuadër të 100-vjetorit të gjimnazit, një prej institucioneve më të vjetra dhe më prestigjioze të arsimit në vend. Përveçse një arritje teknologjike, ai është edhe një simbol i përkushtimit, kreativitetit dhe bashkëpunimit të nxënësve, që dëshmojnë se shkolla mund të jetë një hapësirë ku lindin ide që ndërthurin kulturën, dijen dhe inovacionin.
© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Forbes: "Nuk ka më mësues të rinj, kriza epike që po përballet e gjithë bota në vitin 2024"
Historia e shkrimit
Forbes: "Nuk ka më mësues të rinj, kriza epike që po përballet e gjithë bota në vitin 2024"