Çfarë duhet të konsumojnë fëmijët në shkollë?

Përpara nisjes së vitit të ri shkollor prindërit dhe fëmijët bëjnë shumë përgatitje, që nga librat dhe mjetet mësimore, rinovimi i gardërobës, çantës etj.

Të gjitha këto pothuajse kanë përfunduar në ditën e parë të shkollës, e nëse jo, në javën e parë të shkollës me siguri përfundojnë.


Ajo çka mbetet një “punë” që duhet bërë çdo ditë, është ushqimi që i përgatisim fëmijës dhe i japim me vete në shkollë. Edhe kjo kërkon kohën e saj. Në nxitim e sipër, duke mos gjetur kohë për të përgatitur diçka, nënat e zgjidhin duke vënë në çantën e fëmijë, ndonjë molto, patatinë apo diçka të ngjashme. Por është shumë e rëndësishme që ushqimi i fëmijës të jetë i lehtë, i shëndetshëm, i shijshëm dhe i ndryshëm nga dita në ditë. 


Më poshtë ne po ju japim disa ide se çfarë mund t’i jepni fëmijës me vete në shkollë


Fruta

Fëmijës mund t’i jepni fruta me vete. Jo vetëm fruta të gatshme, si: mollë, dardhë, kumbull..., por edhe mund të përgatisni një miks frutash në shtëpi dhe fëmija të ketë mundësi të hajë pak nga të gjitha. Frutat janë të shëndetshme, të pasura me vitamina dhe minerale dhe nuk i largojnë oreksin fëmijës.


Ëmbëlsira

Fëmijët i duan ëmbëlsirat dhe nuk do të refuzonin ngrënien e një cope keku të bërë në shtëpi. Keku mund të përgatitet në darkë, nuk kërkon shumë kohë për t’u përgatitur dhe është një ushqim i shëndetshëm për fëmijët.


Të kripura, por jo me yndyrë

Por jo të gjithë fëmijëve u pëlqejnë të ëmblat. Ka fëmijë që u shijojnë më shumë të kripurat. Zgjidhja nuk është një copë pice. Bukë me djathë, të llojeve të ndryshme, do ishte një vakt i shëndetshëm për fëmijët në shkollë.


Buka duhet vlerësuar

Buka është një ushqim përherë i mirë. Fëmijët që në vegjëli e shijojnë atë pa e shoqëruar me asgjë, e pasi rriten pak, e marrin në dorë një fetë bukë më marmelatë. Kështu që edhe, nëna, kujdesuni që fëmijët të vijojnë të shijojnë këtë ushqim edhe në shkollë. 

3,497 Lexime
8 vjet më parë