Detyra kryesore e njeriut: të ndërtojë “fytyrën” e tij!

Në themel të kësaj marrëdhënie qëndron binomi femër- mashkull, që në natyrë është mardhënia që siguron vazhdimësinë e species

Marrëdhënia baba-vajzë është një marrëdhënie komplekse sa edhe marrdhënia baba- djalë. Është kjo marrdhënie që e drejton babain drejt përgjegjësisë dhe kontrollit të ndjesive, cilën do të “ushqejë” dhe cilën do të mënjanojë. Në themel të kësaj marrëdhënie qëndron binomi femër- mashkull, që në natyrë është mardhënia që siguron vazhdimësinë e species. Për këtë arsye kjo mardhënie, baba-vajzë, merr një vlerë të veçantë. Ajo bazohet vetëm në njerzoren e cila përjashton sferën instiktive, që e ka origjinën te natyra dhe riprodhimi.

Marrëdhënia baba-vajzë është marrdhënie e bazuar në vetëdijen, përgjegjsinë, përkujdesin dhe vetkontrollin, pra në sistemin e vlerave të shoqërisë njerzore. Është pikërisht ky raport që e vendos burrin në një pozicion sa delikat aq edhe njerzor. Ai e do vajzën e tij nëpërmjet sitës dhe kontrollit të mendjes.

Burri-baba bëhet i vëmëndshëm ndaj vetes dhe shmang çdo ndjesi, që vjen nga sfera instiktive. Ai vepron dhe sillet në këtë raport nëpërmjet përgjegjsisë dhe përkujdesit, që janë në themel të vlerave njerzore. Është pikërisht kjo mënyrë, që shmang fiksimin. Babai, në çdo fazë të jetës së vajzës, duhet të jetë prezent me auteritetin e fjalës dhe tolerancën e te rriturit, që shmang ndrojtjen dhe frikën.

Babai i mëson vajzës se pasi mbaron rritja fizike, rritja psikoemocionale mer përparësi dhe do ta shoqërojë njeriun gjithë jetën. Njeriu kalon nga një nivel i caktur në atë më të avancuar. Këtë të vërtetë të njeriut babai ja demostron fëmijëve të tij me sjelljen e tij. Ai e nxit vajzën të ketë besim te vetja dhe kurajë për të thënë mendimin e saj, por duke përzgjedhur fjalën, pasi fjala është vetëm e njeriut dhe urë për njerzoren. Ai i mëson vajzës se respekti për jetën fillon nga vetja. Se detyra kryesore e njeriut është të ndërtojë “fytyrën” e tij, nga e cila dhe do të njihet. Dhe kjo punë kërkon shumë përgjegjësi dhe vetëdije.

Një baba, që nuk arrin të ndërtojë këto mënyra të sjelluri dhe të menduari, tregon se nuk është i rritur si person. Ky njeri nuk është i rritur vetë në njerëzore dhe nuk arrin të njohë veten e tij. Kështu fshihet pas paragjykimeve apo faktit që është babai dhe mund të bëjë ç’të dojë me fëmijët e tij, apo me familjen e tij dhe, se ata duhet t’i nështrohen. Ky baba sillet e vepron nëpërmjet pushtetit mbi tjetrin, që nuk ka asnjë lidhje me dashurinë prindërore.

Babai, që justifikon sjelljen e tij konfuze dhe të ashpër duke u fshehur pas akuzës për të bijën, pasi ajo mund të marrë rrugë të keqe apo sillet keq, është vetëm një njeri i paaftë për të qenë konstant me detyrën e tij si prind. Ai është i paaftë të përdorë fjalën dhe nuk e njeh fuqinë e saj. Ai nuk di të ndërtojë dialog, që është dhe një nga detyrat e tij. Për fat të keq, te ky njeri mbizotëron instiktivja dhe ai është i paaftë ta menaxhojë gjendjen. Kështu, ose shpërthen në dhunë ose hesht dhe bëhet jo prezent edhe pse është aty fizikisht.

Nëse raporti baba-vajzë nuk bazohet në respektin e njeriut ndaj njeriut, ku të dy dëgjojnë njëri-tjetrin dhe krijojnë mundësi të flasin dhe të shpreh mendimin e vet secili, pa u paragjykuar apo duke humbur durimin, nuk ndërtohet marrëdhënie! Mbizotëron frika, e cila nuk lejon të flitet me kurajo. Të dy i shmangen njëri-tjetrit, ose flasin në kulm të nervozizmit, kur situata precipiton në dhunë verbale dhe fizike. Pra këta dy njerëz, baba dhe vajzë, dashur pa dashur bëhen të huaj me njëri-tjetrin.

Një baba duhet të dijë ta ndërtojë dhe udhëheqë një proces të tillë, madje kjo është detyra e tij si i rritur. Është e vërtetë, që të bërit prind është detyra më e vështirë, që njeriu përballet, por jo e pa realizueshme. Natyrisht që kërkohet shumë vullnet dhe përgjegjsi, por njeriu i ka potencialët, mjafton t’i verë në veprim.

Mendoj se, kur shikon vajzën që është rritur dhe është e integruar mirë në njerëzore, edhe babai ndihet i përkëdhelur në veten e tij pasi e ka udhëhequr mirë në këtë proces. Ai ka qënë prezent pa zënë vend, duke e lënë atë protagoniste të jetës së saj.

(Nga Lira Gjika, pediatre)

1,573 Lexime
8 vjet më parë