DITË NDËRGJEGJËSUESE

Dita Botërore e Ndërgjegjësimit mbi Autizmin: Bota nuk do kishte gjallëri pa ngjyra

Qëllimi i kësaj dite është kthimi i vëmendjes së shoqërisë ndaj nevojës për trajtim që kanë personat e prekur nga autizmi. Të qëndrojmë larg diskriminimit e paragjykimeve për personat autik. T'u tregojmë se edhe ata janë njësoj si ne. Janë ngjyra që i dhuron më shumë gjallëri kësaj bote.

Në këtë ditë në të gjithë botën zhvillohen aktivitete ndërgjegjësuese dhe edukuese në mbështetje të personave të prekur nga çrregullimet e spektrit autik.

Diskriminimi është një nga barrierat më të mëdha me të cilat përballen personat me çrregullime të spektrit autik. Stereotipet, paragjykimet dhe stigmatizimi e vështirëson pjesëmarrjen e personave autikë në shoqëri.



Çfarë është autizmi?


Autizmi është një çrregullim neurobiologjik që karakterizohet nga vështirësitë në komunikim, ndërveprim shoqëror, sjellje të përsëritura dhe rreze të kufizuar interesash. Simptomat e autizmit fillojnë të shfaqen para moshës tre vjeçare dhe shkalla e dëmtimit të këtyre tri fushave dallon nga individi në individ.


Autizimi shfaqet me tri simptoma të ndara. Këto tre simptoma përfshinë vështirësi në socializim, probleme komunikimi dhe një numër të kufizuar interesash kombinuar me sjellje përsëritëse.


Një nga simptomat e para të autizmit është shmangia e kontaktit me sy, ku fëmija i largohet çdo lloji kontakti me sy, si me fëmijët e tjerë po ashtu edhe me prindërit. Shpeshherë kjo shpjegohet në mënyrë të gabuar se “fëmija ka turp”, ku në vend që t’i përgjigjet kontaktit me sy, shikon anash, apo në shumicën e rasteve lart mbi kokën e personit kontaktues. Përgjithësisht, fëmijët me çrregullime të spektrit autik, shfaqen me nivel të lartë të inteligjencës në fusha të caktuara.


Eksperienca ka treguar se trajtimi më i mirë i personave me autizëm është edukimi i hershëm dhe i specializuar, i cili synon përshtatjen e ambientit rrethues me nevojat e këtyre individëve.


Për fat të keq, ende në shumë vende, fëmijët autik nuk marrin kujdesin e duhur shëndetësor dhe social, për shkak të mungesës së shërbimeve të përshtatshme, por edhe për diagnostikimin jo të saktë dhe të vonë të këtyre fëmijëve.


Të qëndrojmë larg diskriminimit e paragjykimeve për personat autik. T'u tregojmë se edhe ata janë njësoj si ne. Janë ngjyra që i dhuron më shumë gjallëri kësaj bote.



©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.  

232 Lexime
1 javë më parë