
"Dita e Gjyshërve dhe vjeshta" projekt mësimor për nxënësit e diasporës nga Anglia, përgatitur nga mësuesja Anila Kadija
Në programin mësimor për nxënësit e diasporës në Angli, mësuesja Anila Kadija organizoi "Ditën e Gjyshërve dhe Vjeshtën", një e shtunë e ngrohtë familjare me biseda shqip, këngë, kujtime e vizatime në gjethe vjeshte, që kultivuan dashurinë për gjyshërit dhe gjuhën shqipe.
Në muajin tetor, në programin didaktik me nxënësit e shkollave shqipe Ardhmëria Westminster & Chiswick u zhvillua një e shtunë e këndshme familjare dhe natyrore
Dy temat e ndërthurura në një të shtunë mësimi: "Dita e gjyshërve" & "Peizazh gjuhësor në një gjethe vjeshte".
Biseda shqip në klasë përfshiu disa elementë të rëndësishëm:
- Vizita e gjyshërve në Angli;
- Fotografitë kujtime me vlera;
- Dreka më e shijshme nga duart e gjyshes;
- Kujtimi i një shëtitje me gjyshërit;
- Kur gjyshërit më flasim shqip;
- Në shtëpinë e tyre, në Shqipëri dhe Kosovë, ndihemi të përkëdhelur.
Në shkollën Westminster kjo traditë me mësuese Anila Kadija vazhdon prej gati një dekade.
Për çdo vit ftohen gjyshërit në klasë.
Kësaj here gjyshe Zina ishte e ftuar nderi midis nxënësve.

Ata jo vetëm u gëzuan shumë por edhe biseduan në shqip, e përshëndetën dhe kënduan së bashku këngën e bukur "Kënga e gjyshes" në sfond të shoqëruar nga zëri i Vaçe Zelës!
Nëpërmjet projektorit u treguan foto kujtim ku nxënësit me emocion, dashuri dhe respekt treguan për gjyshërit e tyre.
Gjyshe Zina përshëndeti me një përrallë të cilën ajo gjithmonë ua kishte treguar mbesave dhe nipërve të saj në shqip.
Kjo ditë, dedikuar gjyshërve, mbarti jo vetëm vlerën e gjuhës shqipe por edhe vlera historike sepse u tregua për histori familjare, njohje gjeografike shqiptare duke përmendur qytete dhe fshatra shqiptare, vlera tradite sepse u fol për traditën e gatimit, vlera shoqërore sepse nëpërmjet kujtesës u rrënjoset brezave dashuria për gjyshërit.
Gjyshërit janë pasuria e familjeve tona!
Në vazhdim, për t’i dedikuar edhe një dhuratë të veçantë vjeshte gjyshërve, nxënësit së bashku me mësuesen krijuan një vizatim peizazh brenda konturit të një gjetheje. Këto gjethe vjeshte ishin mbledhur nga vet nxënësit nëpër parqet pranë shtëpive të tyre.
Peizazh jete me dorë të lirë. I cili u interpretua me të gjithë ngjyrat e vjeshtës në gjuhën shqipe.

Një nxënëse preferoi të shkruante brenda vizatimit të gjethes poezinë për gjyshërit.
TREGOMË, GJYSH!
Gjysh, të lutem, më trego,
gjumi natën nuk më zë,
kam dëshirë të di më shumë,
për një det apo një lumë.
Për një trim nga Kosova,
që me jetë e mbrojti vendin,
për një trime nga Shqipëria,
që Labëria shumë e deshi.
Dhe për bjeshkët me shumë liqene,
ku natyra të fton në prag,
dhe për fushat me grurë të artë,
ku ti, gjysh, punove gjatë.
Më trego, gjysh, çdo gjë,
mua gjumi nuk po më zë,
se kështu rritem i mbarë,
mësoj gjëra si në përrallë!
Poezi e marrë nga libri “Ninulla e zemrës”.
Kjo është një mënyrë krijuese e cila tregon që në shkollë jo vetëm mësohet gjuha shqipe, ushqehet fantazia por edukohen edhe brezat.
© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Teste të integruara për arsimin fillor dhe modele VANAF, viti shkollor 2024-2025
Modele Testesh për Arsimin Fillor për të tria periudhat, viti shkollor 2024-2025
Objektet e trashëgimisë kulturore, veshja popullore shqiptare