"Tri lëndë në gjashtë orë"

Ditari, gjuha shqipe VI

Kjo orë model është përgatitur nga mësuesja e gjuhës shqipe në shkollën 9-vjeçare "Nenshat", Shkodër, Drilona Jashari. Dy temat janë planifikuar sipas nismës së re të MASR “Tri lëndë në gjashtë orë”.

PLANIFIKIMI DITOR

Fusha: Gjuhët dhe komunikimi

Lënda: Gjuhë shqipe

Shkalla: III

Klasa: VI

Mësuese: DRILONA JASHARI

Shkolla 9-vjeçare "Nenshat", Shkodër


Rubrikat: Njohuri për gjuhën

Temat mësimore: 

Ora e parë: Lidhëzat bashkërenditëse e nënrenditëse.

Ora e dytë: Llojet e lidhëzave bashkërenditëse.

Situatat e të nxënit:

- Gishtëza 

- Si i duam mësuesit tanë?


Rezultatet e të nxënit sipas kompetenca kyç:

1. Kompetenca e komunikimit dhe e të shprehurit.

2. Kompetenca e të mësuarit për të nxënë.

3. Kompetenca personale.


Rezultatet e të nxënit për njësinë mësimore 1:

  Nxënësi:

- Identifikon lidhëzat

- Përcakton llojin e tyre sipas funksionit

- Përdor lidhëzat në fjali sipas kërkesës.


Rezultatet e të nxënit për njësinë mësimore 2

Nxënësi:

- Përcakton llojin e lidhëzave bashkërenditëse

- Përdor në fjali lidhëzat bashkërenditëse të të gjitha llojeve.


Fjalët kyç:

• Lidhëz bashkërenditëse, lidhëz nënrenditëse,

• Lidhëza veçuese, lidhëza kundërshtuese,  lidhëza shtuese, lidhëza përmbyllëse.

Burimet: teksti mësimor, e-libri, tabelë me lloje të ndryshme lidhëzash

Metodologjia dhe veprimtaritë e nxënësve:

Diktim me plotësim, di-dua të di-mësova, lojë, shënime mbi shënime të strukturuara, ushtrime

                                                    

                                                ORGANIZIMI I ORËS SË MËSIMIT

1. Diktim me plotësim. (koha 10 minuta)

Në dërrasë të zezë shkruhet nga një nxënës një fragment nga përralla “Gishtëza” e Andersenit, por pa lidhëza, duke vendosur në vend të tyre një trepikësh. U kërkohet nxënësve ta plotësojmë atë .

 

… mbaroi këto fjalë, Gishtëza shkoi me një frymë, mbushi me ujë një gjethe luleje… ia solli zogut. …piu, shpendi filloi t’i tregonte vajzës historinë … si ishte përplasur me një gëmushë të mbushur nga gjembat.


Pas plotësimit, nxënësit e lexojnë tekstin dhe kontrollojnë plotësimin, sipas modelit. Më pas u drejtohen nxënësve pyetjet:

- Cilës klasë i përkasin fjalët që plotësuat?

- Përse shërbejnë lidhëzat?


2. Di, dua të di, mësova.(koha 15 min)

Nxënësit punojnë me këtë metodë dhe pas leximit të materialit diskutohet informacioni në tekst.

 Di  Dua të di Mësova
Ç’janë lidhëzat? Përse shërbejnë lidhëzat? Si ndahen lidhëzat?


3. Ushtrime. (koha 20 minuta)

Punohet ushtrimi 1 , ku lidhëzat janë: megjithëse, edhe , sapo, kurse, megjithatë. Në ushtrimin 2 dallohen lidhëzat bashkërenditëse: po, dhe, por, as…as  dhe nënrenditëse: nëse, kështu që, nëse.

Punohen ushtrimet 3,4 sipas kërkesës.



                       PJESA E DYTË E ORËS SË MËSIMIT

1. Lojë. Si i duam mësuesit tanë?  (koha 15 minuta)

U drejtohen nxënësve pyetjet:

- Cili është mësuesi që ju doni më shumë?

- Çfarë ju pëlqen dhe nuk ju pëlqen tek ai?

U kërkohet atyre të përdorin lidhëzat dhe, edhe kur japin shumë cilësi që u pëlqejnë dhe lidhëzat por, ndërsa, kurse për gjëra që nuk u pëlqejnë tek ata. (Lidhëzat I shkruajmë në dërrasë të zezë, që nxënësit  t’i kenë parasysh.

Synojmë të arrijmë që te nxënësi të dalë në përfundimin se lidhëzat dhe, edhe shtojnë informacion; lidhëzat ndërsa, kurse, por përdoren për të kundërshtuar atë që është thënë më parë.


2. Shënime mbi shënime të strukturuara ( 10 minuta)

Nxënësit punojnë me tekstin , hedhin materialin teorik në një skemë duke iu përgjigjur pyetjeve;

 -Ç’janë lidhëzat?

- Si i klasifikojmë lidhëzat sipas funksionit?

3. Ushtrime  ( 20 minuta)

Punohen ushtrimet 1, 2, 3,4, sipas kërkesës. Tek ushtrimi 3 nxënësit argumentojnë lidhëzën e përdorur.


Vlerësimi 

-për identifikimin e e lidhëzave

-për përcaktimin e llojin e tyre sipas funksionit 

- për  përdorimin e tyre në fjali.


Detyrë shtëpie:  Ushtrimi 5. f. 216. Përshkruani personazhin që ju pëlqen më shumë nga filmat vizatimorë. Nënvizoni lidhëzat që keni përdorur.

(Portali Shkollor)

17,917 Lexime
6 vjet më parë