Edi Gogu: Respekti nuk ecën vetëm në një kah
Respekti në shkollë nuk mund të jetë i njëanshëm. Mësuesi meriton autoritet dhe vlerësim, ndërsa nxënësi ka të drejtë të ruajë dinjitetin. Si mund të ndërtohet një marrëdhënie e shëndetshme mes prindërve, mësuesve dhe fëmijëve? Një reflektim mbi përgjegjësinë e përbashkët në arsim.
Nga Edi Gogu, shkrimtare për fëmijë dhe drejtuese e lëvizjes “Pro Familja”
Nga përvoja ime në arsim, fillimisht si mësuese dhe më pas në drejtimin e një institucioni arsimor, kam mësuar se shkolla është shumë më tepër sesa mësimi që zhvillohet brenda një klase. Ajo është një botë marrëdhëniesh njerëzore, ku rrallëherë gjërat janë vetëm bardhë e zi. Ka disa gjëra që, me kalimin e viteve, i kam parë të përsëriten dhe që më kanë krijuar disa bindje të forta për marrëdhënien mes mësuesit, nxënësit dhe prindit.
Kam njohur mësues që kanë lënë gjurmë te nxënësit shumë më gjatë se një vit shkollor. Mësues që ndoshta nuk mbahen mend për një orë të veçantë mësimi apo për një notë, por për një fjalë të thënë në momentin e duhur, për durimin, për besimin që i kanë dhënë një fëmije.
Kam parë edhe sa e vështirë bëhet puna në një klasë kur mësuesi nuk respektohet, kam parë, po ashtu, se sa gjatë mund ta mbajë me vete një fëmijë ndjesinë se është fyer, nënvlerësuar apo turpëruar nga një mësues.
Ndoshta pikërisht nga këto dy pamje më është krijuar një bindje që sot më duket edhe më e rëndësishme se më parë: respekti në shkollë nuk mund të ecë vetëm në një kah.
Brezi im është rritur me një porosi shumë të qartë: mësuesi duhet respektuar dhe mendoj se kemi bërë mirë që jemi rritur me të.
Mësuesi duhet respektuar jo vetëm nga nxënësi, por edhe nga prindi. Autoriteti i tij nuk është diçka e vjetëruar që i përket shkollës së dikurshme. Respekti është i nevojshëm që mësuesi ta bëjë punën e vet më së miri si edhe që klasa të funksionojë.
Është shumë e vështirë t’i kërkosh një mësuesi të edukojë një fëmijë, ndërsa në shtëpi gjithkush tjetër ia dobëson autoritetin mësuesit/edukatorit. Një fëmijë që dëgjon vazhdimisht prindërit të flasin me përçmim për mësuesin, herët a vonë edhe ai do ta çojë atë qëndrim të formës së prerë prej më të rriturve që ai i do dhe i beson, edhe në klasë.
Kjo, natyrisht, nuk do të thotë se mësuesi ka gjithmonë të drejtë. Prindi duhet të pyesë kur diçka nuk i duket e drejtë. Duhet të kërkojë shpjegime. Mund të mos pajtohet me një notë, me një vendim apo me mënyrën se si është trajtuar një situatë dhe, kur është e nevojshme, duhet edhe të ankohet.
Mund të mos pajtohesh me një mësues fare mirë pa e zhvlerësuar atë përpara fëmijës. Ka një ndryshim të madh mes të thënit “mendoj se mësuesja gaboi në këtë rast” dhe t’i mësosh fëmijës se fjala e mësuesit nuk ka asnjë peshë.
Edhe të dhënat statistikore na japin arsye për të bazuar për këtë. Në PISA 2022¹, 28 për qind e 15-vjeçarëve shqiptarë të pyetur thanë se, në shumicën ose në të gjitha orët e matematikës, nxënësit nuk dëgjojnë atë që thotë mësuesi. Rreth një në katër prej tyre raportoi se nuk mund të punonte mirë gjatë orës së mësimit.
Nuk dua të nxjerr nga një statistikë më shumë informacion apo përfundime sesa ajo mund të na thotë, por kush ka qëndruar përpara një klase me nxënës e di sesa shumë ndikon klima e saj në mundësinë që ju krijohet fëmijëve/nxënësve për të mësuar.
Nga ana tjetër, vitet në arsim më kanë mësuar me po aq forcë edhe diçka tjetër: që respekti për mësuesin nuk mund të kërkohet duke cenuar dinjitetin e nxënësit.
Një fëmijë nuk e humbet dinjitetin sepse ka gabuar, apo sepse nuk ka mësuar, as sepse ka marrë një notë të dobët. Madje as kur është sjellë keq dhe duhet korrigjuar.
Mund ta qortosh një nxënës pa e poshtëruar. Mund t’i thuash se ka gabuar pa e bërë të ndihet se ai vetë është gabimi. Mund të kërkosh disiplinë pa mbjellë aspak frikë. Këtë gjë e kam menduar shpesh gjatë viteve të punës.
Ne të rriturit ndonjëherë nuk e kuptojmë sa peshë kanë fjalët tona për një fëmijë. Një mësues mund ta harrojë deri në fund të ditës një fjali që e ka thënë në nerva e sipër, ndërsa nxënësi mund ta mbajë mend madje për vite me rradhë. Fatmirësisht, funksionon edhe e kundërta. Inkurajimet si; “Ti mundesh.” “Provoje edhe një herë.”
“E di që je i aftë për më shumë”, anë fjali fare të zakonshme, por ndonjëherë një fëmije aq i mjafton, që një i rritur të besojë tek ai pak më shumë sesa vetë fëmija beson në aftësitë e tij.
Kjo është një ndër gjërat më të bukura të profesionit të mësuesit, por njëkohësisht edhe një nga përgjegjësitë e tij më të mëdha: fjala e mësuesit që peshon.
Nëse flasim për problemet, duhet të kemi ndershmërinë të shohim edhe atë që funksionon. Në PISA 2022, 75 për qind e nxënësve shqiptarë të pyetur, thanë se mësuesi tregon interes për të nxënit e secilit prej tyre në shumicën e orëve të matematikës, ndërsa 76 për qind thanë se mësuesi u jep ndihmë shtesë kur ata kanë nevojë. Në të dyja rastet, përqindjet ishin më të larta se mesatarja e OECD-së.
Më duket me vend ta themi edhe këtë, pasi shkolla shqiptare nuk është vetëm historia e problemeve të saj. Ka shumë mësues që e bëjnë punën e tyre me përkushtim, që shqetësohen për nxënësin që po mbetet pas, që gëzohen kur një fëmijë më në fund kupton diçka me të cilën është përleshur për disa kohë, që marrin me vete në shtëpi edhe shqetësime që nuk shkruhen në asnjë përshkrim pune.
Të gjithë këta mësues meritojnë respektin tonë, por gjatë kohës që kam qenë edhe në drejtim kam vënë re edhe një dukuri tjetër: prindi dhe mësuesi shpesh afrohen më shumë pikërisht kur atëherë kur diçka ka shkuar keq.
Prindi e kërkon mësuesin kur fëmija ka marrë një notë që e shqetëson. Mësuesi e kërkon prindin kur nxënësi ka një problem me sjelljen. Pra, biseda fillon kur palët vijnë për tu takuar mes tyre tashmë për një shqetësim.
Do të doja që të dy palët të flisnin më shumë për fëmijën edhe atëherë kur në mes nuk ka një problem apo një shqetësim, pasi prindi dhe mësuesi, në fund të fundit, nuk janë dy palë kundër njëra-tjetrës. Ata kanë interesin më të lartë të të njëjtit njeri në mes, atë të fëmijës.
Kur të dyja palët e të rriturve, fillojnë ta shohin njëri-tjetrin si kundërshtarë, nga përvoja ime, rrezikon shumë që të humbasë pikërisht ai që ata mendojnë se po mbrojnë.
Është edhe një e dhënë tjetër e *PISA-s që më bëri të ndalem. Në vitin 2022, 56 për qind e nxënësve shqiptarë ishin në shkolla ku drejtuesit raportuan se të paktën gjysma e familjeve kishin diskutuar me mësuesit për ecurinë e fëmijëve me nismën e tyre. Në vitin 2018 kjo shifër ishte 70 për qind.
Nuk e di nëse vetëm kjo shifër mund të na tregojë se marrëdhënia prind–shkollë është dobësuar, por më duket se na jep të paktën një pyetje të vlefshme për të konsideruar:
A flasim mjaftueshëm me njëri-tjetrin përpara se të lindë problemi?
Në fund, shkolla nuk është vetëm vendi ku mësohet matematikë, gjuhë, histori apo shkencë. Shkolla është një nga vendet e para ku fëmija mëson të jetojë mes të tjerëve, ku mëson të dëgjojë, të presë radhën, të pranojë se mund të ketë gabuar, të kundërshtojë pa fyer të tjerët, të kërkojë falje, tëmbrojë mendimin e vet pa poshtëruar tjetrin.
Padyshim të gjitha sa më sipër këto nuk mësohen vetëm duke ua kërkuar fëmijëve. Fëmijët i mësojnë pikë së pari duke na parë ne, ndaj është një përgjegjësi e madhe se çfarë modelojmë përpara tyre:
- Kur një prind nuk pajtohet me mësuesin, ama flet me respekt për të, fëmija po mëson diçka.
- Kur një mësues korrigjon një nxënës, por kujdeset qe të mos e poshtërojë, e gjithë klasa po mëson diçka dhe, kur një drejtues mbron mësuesin kur i bëhet një padrejtësi, por mbron me të njëjtën bindje edhe nxënësin kur i cenohet dinjiteti, shkolla po jep një mësim që nuk gjendet në asnjë tekst shkollor.
Prandaj nuk mendoj se duhet të zgjedhim mes autoritetit të mësuesit dhe dinjitetit të nxënësit, pasi a duhen të dyja.
Na duhet mësuesi që hyn në klasë dhe e di se do të respektohet prej nxënësve dhe na duhet nxënësi që hyn në të njëjtën klasë dhe e di se do të respektohet nga mësuesi.
Na duhet prindi që nuk nxiton të fajësojë shkollën sa herë qe femija gabon, por na duhet edhe shkolla që nuk nxiton të mbrojë çdo gabim të një mësuesi vetëm sepse është mësues.
Nëse ka diçka që vitet në arsim ma kanë përforcuar, është kjo: respekti nuk e dobëson autoritetin. E bën atë më të fortë dhe autoriteti i drejtë nuk e zvogëlon fëmijën. E ndihmon të rritet.
Ndoshta këtë do të doja t’ua thosha më shumë prindërve dhe mësuesve:
Në shtëpi, të mos ia rrëzojmë figurën e mësuesit, fëmijës!
Në shkollë, të mos i largojmë fëmijët nga vetja!
Një shkollë e mirë nuk është ajo ku fëmijët kanë frikë nga mësuesi, as ajo ku mësuesi ka frikë nga nxënësi apo prindi.
Një shkollë e mirë është ajo ku secili e njeh vendin dhe përgjegjësinë e vet, por askush nuk harron dinjitetin e tjetrit.
¹* PISA (Programme for International Student Assessment) është vlerësimi ndërkombëtar i OECD-së për njohuritë dhe aftësitë e 15-vjeçarëve. Në PISA 2022 morën pjesë 81 vende dhe ekonomi; në Shqipëri u përfshinë 6,129 nxënës nga 274 shkolla. Shifrat e përdorura në këtë shkrim bazohen në përgjigjet e nxënësve dhe drejtuesve të shkollave në pyetësorët e PISA-s. OECD këshillon kujdes në interpretimin e të dhënave të Shqipërisë për vitin 2022 për shkak të treguesve të angazhimit më të ulët të një pjese të nxënësve gjatë testimit dhe plotësimit të pyetësorit.
© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Labirintet e adoleshencës/ Intervistë me Evans Drishtin për sfidat që prindërit dhe mësuesit nuk duhet të anashkalojnë
Prindër, ja se si të përdorni Platformën digjitale SMIP, për të parë notat e fëmijës tuaj, mungesat por dhe sjelljen në shkollë
Pas operacionit "Shkolla të Pastra": Sa vigjilente duhet të jetë shkolla për sigurinë e nxënësve?