Edukimi seksual në klasën e tetë, qasje praktike dhe ndërgjegjësim i nxënësve përtej teorisë
Edukimi seksual në shkollë, sfidat dhe rëndësia e komunikimit të hapur, përvoja e mësuesit Ermal Lala me nxënësit e klasës së tetë. Nga hezitimi fillestar te ndërgjegjësimi, nxënësit kthehen në promotorë aktivë përmes metodave bashkëkohore të të nxënit.
Nga Ermal Lala
Edukimi seksual, ai mbi pubertetin dhe Sëmundjet Seksualisht të Transmetueshme (SST), luan një rol vendimtar në ndërgjegjësimin e adoleshentëve.
Ky edukim është vital për të ardhmen e tyre dhe për vetëdijen që fitojnë mbi sjelljen që vjen duke u maturuar. Në pozicionin e mësuesit, këtë e kam zbatuar në koherencë me temat e përfshira në kurrikulën e biologjisë për klasat e teta.
Në fillim të kësaj tematike, nxënësit e kanë të vështirë të shprehen; përdorin nënkuptime, refuzojnë t'u përgjigjen pyetjeve, shkëmbejnë buzëqeshje me njëri-tjetrin dhe shmangin shikimin me mësuesin. Detyra e vërtetë nis pikërisht këtu!
Prindërit shpesh i kanë edukuar me metoda të kombinuara, sa irracionale aq edhe racionale, por pa e prekur thelbin e çështjes. Është tejet e rëndësishme që nxënësit e kësaj moshe, veçanërisht vajzat, të kuptojnë dhe të pranojnë ndryshimet që pësojnë gjatë kalimit nga fëmijëria e vonshme në adoleshencën e hershme. Ky tranzicion ndodh në një kohë aq të shkurtër, sa duket befasues për vëzhguesit e jashtëm, por mbetet i vështirë për t'u diktuar menjëherë nga prindërit.
Ajo që mungon përgjithësisht në prindërim gjatë kësaj faze është parapërgatitja. Shpesh, prindërit zgjedhin t'i edukojnë fëmijët mbi pubertetin apo riprodhimin përmes zhargonit ose dialektit. Kjo është e gabuar. Detyra e mësuesit është t’u bëjë të qartë nxënësve se një komunikim korrekt dhe i qytetëruar nis me një bashkëbisedim standard dhe terminologji të pranuar mjekësore. Kjo e shndërron orën e mësimit jo vetëm në një forum të hapur, por edhe argëtues, që ka si produkt ndërgjegjësimin e fëmijëve dhe pajisjen e tyre me njohuri që i bëjnë më skeptikë e të vëmendshëm ndaj mjedisit rrethues – si ndaj bashkëmoshatarëve, ashtu edhe ndaj të rriturve. Për të garantuar suksesin, nxënësit janë inkurajuar përmes vlerësimit dhe nxitjes për të ndarë informacionin e marrë nga teksti dhe burime të tjera të besueshme.
Nxënësit e shkollës "Murat Toptani" janë shndërruar në promotorë të vërtetë të kësaj tematike, falë angazhimit të vazhdueshëm brenda dhe jashtë klasës. Ata kanë realizuar përmbledhje mbi pubertetin, riprodhimin dhe SST-të përmes platformave digjitale si Canva, Tome, Beautiful.ai dhe Prezi, duke zgjuar kureshtjen edhe te nxënësit më pak aktivë.
Mësimdhënia është një territor ku mëson vazhdimisht. Edhe vetë mësuesi përfiton nga angazhimi i nxënësve; për shembull, falë tyre unë fillova përdorimin e platformave interaktive të prezantimit, duke u shkëputur përfundimisht nga programet klasike. Trajtimi i temave si riprodhimi, puberteti dhe SST-të mbetet një përvojë e frytshme, pasi kupton se ky brez po ndërgjegjësohet për të shmangur përvojat negative që vijnë nga mungesa e informacionit.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Teste të integruara për arsimin fillor dhe modele VANAF, viti shkollor 2024-2025
Modele Testesh për Arsimin Fillor për të tria periudhat
Modele testesh VANAF për vitin shkollor 2025-2026