PUNA ME GRUPE

Efekti i punës me grupe në orën e mësimit

Me mësimdhënie bashkëkohore duhet të kuptojmë atë lloj mësimdhënie, e cila lehtëson me forma, metoda, teknika dhe strategji të përshtatshme në procesin e të nxënit të nxënësve. Një ndër to është edhe puna me grupe...

Metodat dhe teknikat mësimore kanë evoluar, kanë ndryshuar e modernizuar në përputhje me zhvillimet shoqërore, ekonomike dhe politike. Sot, në të gjitha ciklet e arsimit parauniversitar, po zbatohet mësimdhënia bashkëkohore. Me mësimdhënie bashkëkohore duhet të kuptojmë atë lloj mësimdhënie, e cila lehtëson me forma, metoda, teknika dhe strategji të përshtatshme në procesin e të nxënit të nxënësve. 


Mësimdhënia dhe të nxënit janë procese mjaft komplekse, mirëpo për t’u realizuar në mënyrë sa më të suksesshme duhet që të zbatohen disa komponentë të cilët janë të një rëndësie të veçantë dhe janë çelësi i suksesit. Në mesin e komponentëve vend me rëndësi zënë metodat, teknikat dhe posaçërisht format e punës me grupe e cila është rruga përmes së cilës arrrijmë qëllimet tona në procesin e të nxënit. Puna me grupe nuk janë praktikat e vetme universale për të mësuar, ato janë thjeshtë një mënyrë në të cilën mund të angazhohen nxënësit për formimin e njohurive të reja


Puna me grupe nuk është e përshtatshme për të mësuar të gjitha aspektet. Mësuesi duhet të ketë të qartë se në cilën mësim përdoret kjo formë organizimi. Karakteristikat e tij thelbësore është se i ndihmon nxënësit që të shkëmbejnë pikëpamjet, shprehin ide, komunikojnë lirshëm dhe diskutojnë në njësi grupesh të vogla. Grupet tradicionale të të nxënit në bashkëpunim përmbajnë tre apo katër nxënës, të cilët punojnë për një detyrë së bashku, në mënyrë të tillë që çdo anëtar grupi arrin të kontribuojë në procesin e të nxënit dhe, më pas, mëson të gjitha konceptet bazë që janë shpjeguar. Në mënyrë që grupet e nxënësve të jenë të efektshme, duhet që anëtarët e tyre të mësojnë të nderojnë dhe të respektojnë dallimet e njëri-tjetrit, të mbështesin njëri-tjetrin nëpërmjet procesit të të nxënit, komunikojnë në mënyrë të efektshme me njëri-tjetrin dhe të arrijnë mirëkuptim kur kjo nevojitet. Është e rëndësishme që të kemi parasyshë:

1. Grupet të formohen sipas preferencave të nxënësve dhe të jetë heterogjene.

2. Detyra e grupit të përcaktohet qartë, nxënësit duhet të dinë se çfarë di të diskutojnë e për sa kohë.

3. Mësuesi ose grupi cakton drejtuesin, detyrën e tij, si dhe përgjegjësitë e pjesëmarrësve të tjerë  në grup.

4. Përcaktohet qartë mënyra e raportimit të rezultateve me gojë, me shkrim ose me ndonjë formë tjetër.

5. Ndërhyrjet e mësuesit të jenë nxitëse dhe jo për t’u prerë iniciativën nxënësve.


Efektet pozitive të përdorimit të punës me grupe:

1. Nxënësit kanë më shumë mundësi të komunikojnë me njëri-tjetrin.

2. Janë më të përqendruar në mësim, pasi secili ka detyrën dhe përgjegjësinë e tij, nga kryerja e së cilës përcaktohet edhe rezultati i grupit.

3. Ndihen më të sigurt dhe të çliruar sesa kur pyeten para gjithë klasës. 

4. Rritet bashkëpunimi i nxënësve me njëri-tjetrin nëpërmjet shkëmbimit të mendimeve e ideve dhe plotësimit të tyre.

5. Zhvillon qëndrimet pozitive ndaj përdorimit të materialëve të fundit të paraqitura në mësim.

6. Zhvillon aftësitë për të zgjidhur probleme, të cilat janë të veçanta për përmbajtjet e mësimit.


Ndonëse përfitimet nga organizimi i punës me grupe janë të mëdha se ato me të gjithë klasën, kjo punë shoqërohet edhe me efekte negative.

Efektet negative i përdorimit të punës me grupe:

1. Është e vështirë disa herë përcaktimi i grupeve sipas preferencave të nxënësve dhe niveleve të ndryshme të tyre.

2. Analiza e punës ose diskutimit i veprimtarisë disa herë shoqërohet me harxhim kohe, që është e padobishëm.

3. Krijohet zhurmë në klasë kur nxënësit nuk i kanë të qarta detyrat dhe kur nuk i respektojnë rregullat e punës në grup. 

4. Është i vështirë kontrolli i punës së grupeve. Me qëllim që veprimtaria të mos dalë jashtë kontrollit të mësuesit, ai duhet të japë udhëzime të qarta për çdo hap të veprimtarisë.

5. Nëse veprimtaria zgjatet përtej kohës së caktuar, atëherë ajo kthehet në qëllim në vetvete dhe vështirëson realizimin e objektivave mësimore që synon mësuesi.


Strukturat e punës me grupe

 

(Përgatiti për Portalin Shkollor Msc. Fatjon Bebja) 

13,211 Lexime
5 vjet më parë