NOTAT

Entela Binjaku: Nota si instrument vlerësimi dhe jo pak herë burim ankthi

Kur flasim për notën, mendja na shkon tek procesi i vlerësimit që gjatë të mësuarit është veprim i domosdoshëm. Si ndikon presioni i të rriturve tek fëmijët?

Kur flasim për notën, mendja na shkon tek procesi i vlerësimit që gjatë të mësuarit është veprim i domosdoshëm. Falë vlerësimit mësuesi grumbullon informacion për mënyrën sesi po përparon një nxënës. Nota është instrument vlerësimi dhe falë saj mësuesi krijon bindje mbi çfarë ka mësuar nxënësi, cilat janë pikat e forta dhe të dobta, falë saj parashikohet edhe se si do të jetë ky nxnënës në të ardhmen e të tjera si këto. Në pedagogji vlerësimi i lidhur me notën është një çast me autoritet të lartë. 


Së pari, sepse edhe vetë njeriu është i ndjeshëm kur i bëjnë vlerësimin. 

Së dyti, edhe sepse shkolla është institucioni ku mësohet dhe ndaj shkolla përdor vlerësimin. Pra, para se të kuptojmë ndikimin që ka nota, le të kuptojmë rëndësinë e vlerësimit dhe autoritetin e saj. Duhet kuptuar se nota ka fuqi vepruese individuale, pra vlerësimi që merr nxënësi ose mund ta nxisë të mësojë më shumë, ose mund ta frenojë përfundimisht, ose mund t’ia zbehë dëshirën për mësuesin, parapëlqimin për lëndën, ndonjëherë edhe për shkollën vetë. Fakti është që në shkollën tonë vlerësimi me notë lihet në dëshirën e mësuesit, pra ai vendos atë notë që mendon se meritohet dhe kjo lë shpesh hapur idenë edhe tek nxënënësi se ai mund të mos e meritojë atë notë. Pra krijon një situatë dyzimi tek objektiviteti. Fëmijëve gjithmonë u thuhet se duhet të kenë nota të larta (vetëm 10-a është nota që prindërit dëshirojnë) dhe hera-herës prindërit nuk e kuptojnë që fëmija i tyre mund të shkëlqejë vetëm në matematikë përshembull, në letërsi jo edhe aq. 


Si ndikon ky presion i të rriturve tek fëmijët? 

Kur flasim për vlerësimin, fjalën e kemi për atë instrument që i vjen në ndihmë si nxënësit ashtu edhe mësuesit se çfarë është mësuar dhe çfarë mbetet për tu mësuar. Por këtë informacion kanë nevojë ta kenë edhe prindërit sepse edhe ata duhet të marrin vendime mbi çfarë përparimi ka fëmija, ku qëndrojnë dobësitë e tij etj. Është e vërtetë që thuajse të gjithë prindërit i këshillojnë thuajse njëlloj fëmijët ditën e parë të shkollës dhe dëshirat e tyre janë që fëmija të shkëlqejë. Por ata duhet ta kuptojnë që nota 10 në një lëndë nuk tregon domosdoshmërisht shkëlqimin e fëmijës në atë lëndë. Nota maksimale tregon se fëmija i tyre shfaq shkallën më të lartë të përshtatshmërisë me një tërësi njohurish të standardizuara që ka vendosur shkolla, në lëndën në fjalë. Për të vlerësuar nxënësin aktiviteti arsimor-edukativ përdor testimin që është dy llojesh: testimi i diturive dhe testimi psikologjik. Por nëse në të parin nxënësi mund të shkëlqejë, pra ka njohuri dhe shkathtësi të larta në një lëndë, në të dytin mund të mos jetë kështu. Disa prej dimensioneve të personalitetit të tij siç janë: predispozita, interesat, inteligjenca, përshtatshmëria shoqërore etj., mund të tregojnë një drejtim të ndryshëm që fëmija duhet të marrë, nga ai që prindi pëlqen. Prindërit duhet të kuptojnë se falë notave tek fëmija zbulohen edhe talente në drejtime të caktuara, kultivohet tek fëmija vetëvlerësim objektiv, parashikohen rezultatet që priten të merren nga ai fëmijë në të ardhmen etj. Ndodh që prindërit nuk e kuptojnë fëmijën, por e ‘dënojnë’ për shkak të notës. 


Si duhet të sillen prindërit? 

Për rolin e prindit është folur shumë por nuk duhet të harrojmë se edhe tipet e prindërve ndahen në bazë të karakterit dhe të temperamentit të tyre. Nisur nga tiparet mbizotëruese ata ndahen në pozitivë dhe negativë edhe pse kjo ndarje sërish është relative se jo të gjithë janë tërësisht pozitivë dhe tërësisht negativë. Kur prindërit janë të aftë të zotërojnë temperamentin dhe qëndrimet e reagimet e tyre emocionale ata janë pozitivë (pedagog, demokrat, prindi patriarkal i matur ose i moderuar) ndërsa kur prindërit janë indiferentë apo tërësisht ekstremistë ata janë negativë (prindi autoritar i egër, prindi i butë, prindi perfeksionist, prindi i mërzitshëm). Mendoj se ka një sërë shprehjesh që prindi duhet të dijë të përdorë me fëmijën dhe kjo ka në qendër komunikimin. Në dialogun prindër-fëmijë mund të dallojmë edhe mënyrën se si është rritur fëmija dhe si kanë qenë fazat e zhvillimit të tij si: foshnjëria, fëmijëria, adoleshenca. Autorë të mëdhenj e vënë theksin tek raportet e mira nënë-fëmijë sidomos në vitet e para të jetës dhe sipas tyre tek ky raport qëndron kushti për marrëdhënie pozitive me të tjerët në adoleshencë dhe në rini. Pra prindërit duhet te kuptojnë se komunikimi me fëmijën është vendimtar në raportin mes tyre dhe mosha e fëmijërisë e shton bashkëbisedimin prindër-fëmijë dhe fuqizon edhe gjithë komunikimin familjar. 


Në vend të dënimit do të ishte mirë të përdoreshin shprehje të tilla si:

1. Ja del mbanë për bukuri!

2. Ke bërë një punë të mrekullueshme

3. Mezi po pres të shoh çfarë ke për të bërë 

4. E dija që do ja dilje! 

5. Ke punuar shumë për të arritur këtë 

6. Thuaj atë që ndjen se kjo është një gjë shumë e mirë 

7. Asgjë nuk të ndalon të ecësh! 

8. E gjete zgjidhjen shumë shpejt! 


Sipas jush, a tregon nota nivelin e formimit të një nxënësi? 

Notat nuk janë treguesit më të mirë të potencialit që ka një nxënës, ato e shtrëngojnë ose e nxisin atë të mbesë brenda disa kufijve të një sistemi vlerësimi që ka vendosur institucioni më i lartë i arsimit në vend. Shpesh mund të ndodhë që ky lloj shtrëngimi të ndalojë kreativitetin, shkëndijën apo shpirtin e lirë. Më shumë sesa për notën nxënënsit kanë nevojë të mësojnë se si të mësojnë. Kanë nevojë të ndihmohen të mbesin brenda dëshirës për lojë dhe brenda fëmijërisë. Dimë mjaft raste kur fëmijët në shkollë kanë qenë me nota të ulta por pas mbarimit të shkollës kanë treguar se mund te jenë mjaft të zotë edhe në fusha të tjera. Zotësia e tyre ka dalë në pah sidomos sapo kanë braktisur kufijtë apo standardet që ka vendosur mjedisi akademik sepse kanë nisur të mendojnë vetë dhe kanë pasur mundësinë e të qenët krijues. Ka shumë mësues që nuk merren fare pershembull me shkëndijat e disave nxënësve madje jua presin hovin menjëhëerë nëse nuk shihin se respektojnë kufijtë e të mësuarit. Siç ka edhe mësues që nuk respektojnë jokonformistët, ata që janë më të zhdërvjellët në një drejtim të caktuar dhe vlerësojnë ata që respektojnë si robotë njohuritë standard. Ndaj dhe ky sistem që kemi aktualisht është i diskutueshëm sepse përlavdëron konformizmin dhe dënon jokonformizmin. 


A duhet patjetër një nxënës që të ketë nota të mira, ndryshe cilësi si vetëbesimi, vlerësimi apo të tjera të spikaten tek ai? 

Natyrisht që shkolla synon të edukojë dhe të përgatisë një individë me shkathtësitë e duhura për jetën dhe tregun e punës. Sot më shumë se nota synohet testimi i njohurive, falë testimit përcaktohet më i miri, bëhet përzgjedhja e shkollës apo e një profesioni në përputhje me përshtatshmëritë etj. Kur notat e mira përkojnë edhe me kultivimin e cilësive të dimensioneve të tjera të personalitetit ato tregojnë se edhe shkolla ka bërë mirë detyrën e saj. Por pas notave të mira jo gjithmonë qëndron një vlerësim real. Kjo për shkak se shkolla jonë nuk i ka shpëtuar dot edhe faktorëve parazitarë të tilla si: pozita shoqërore e prindërve, gjëndja shpirtërore e mësuesit kur bëhet vlerësimi, ecuria e përgjitshme e nëbësit, sjellja e mirë në klasë, notat e mëparshme etj. Këto bëjnë që vlerësimi të mos jetë i saktë dhe të ketë pasoja pedagogjike dhe sociale e psikologjike. Kur notat kanë ndikuar në këtë mënyrë ato ulin mendimin që nxënësit kanë për veten, në vend që të nisen drejt të mësuarit nxënësi motivohet drejt notës, vlerësimet jo objektive nxisin dallime shoqërore, nota kthehet në burim ankthi etj.



(Entela Binjaku për Portalin Shkollor)

6,539 Lexime
5 vjet më parë