Eralda Cuko: Mësuesi, një dritë në errësirë...
“Mësuesi, një dritë në errësirë” është një reflektim poetik mbi rolin e mësuesit si udhërrëfyes i shpirtit dhe mendjes. Teksti e paraqet dijen si mënyrë jetese dhe mësuesin si njeriun që ndez dritën e kuptimit dhe shpresës tek çdo nxënës.
Nga Eralda Cuko
Në thelbin e ekzistencës njerëzore, njeriu lind i rrethuar nga errësira e padijes. Ai ecën në kërkim të kuptimit, i etur për dritë, për të gjetur arsye pse gjërat janë ashtu siç janë. Në këtë udhëtim, mësuesi është ai që e shoqëron shpirtin e njeriut drejt zgjimit, drejt dritës së dijes dhe vetëdijes. Mësuesi nuk është thjesht një bartës faktesh apo rregullash, por një filozof i heshtur që zgjon pyetjen, që ndez dyshimin e shëndetshëm në mendjen e nxënësit. Ai nuk kërkon të krijojë kopje të vetvetes, por të hapë horizonte të reja për secilin. Në këtë mënyrë, ai shndërrohet në një dritë që ndriçon jo vetëm mendjen, por edhe shpirtin e gjithkujt.
Errësira nuk është mungesë drite por mungesë kuptimi jetësor dhe mësuesi është ai që i jep kuptim çdo përpjekjeje njerëzore për të njohur botën e gjithçka rreth saj. Ai na mëson se dija nuk është thjesht një grumbull njohurish, por një mënyrë të menduari e një mënyrë të jetuari gjithashtu. Në botën moderne, ku dritat janë të shumta, por dritat e brendshme të pakta, mësuesi mbetet simboli i dritës së vërtetë, simbol i asaj drite që vjen nga thellësia e shpirtit dhe përhapet në mendjet e të tjerëve.
Ai është kujtesa se drita nuk lind vetvetiu, por ndizet nga një zemër që beson në fuqinë e dijes. Jo më kot kam përdorur termin “Mësuesi është një dritë në errësirë,”sepse në çdo njeri që mëson, ai rilind jetën, ringjall shpresën dhe e bën botën më të ndritshme e më me shumë ngjyra seç ishte dje...
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
OECD: Mësuesit po braktisin profesionin para pensionit, alarm për sistemin arsimor
Dy udhëzues praktikë për mësuesit: Google Forms dhe Kahoot
Kur mësuesia hesht, një klasë bosh flet më shumë se çdo statistikë