LETËR

Falënderime dhe mirënjohje për mësuesen më të mirë kujdestare...

Kjo është letra që gjimnazistja Jesmina Muhaj ja dedikon mësueses së saj kujdestare në emër të të gjithë klasës, për ta falënderuar për mbështetjen që u ka dhënë. Letra emocionuese le të kuptojmë se mësuesja që do ta marrë këtë letër sot, ka mundur të nxjerrë në pah cilësitë më të mira të nxënësve të saj.

Një nxënës kur ulet për herë të parë në bankat e shkollës do të mësojë nga mësues të shumtë, të cilët me kalimin e viteve do të ndryshojë, por mësuesja më e dashur për çdo nxënës është pikërisht ajo, mësuesja kujdestare. Ajo konsiderohet si një nënë e dytë për çdo nxënës pasi i jep atyre dije dhe i edukon e mëson për çfarë i pret në të ardhmen, në mënyrë që ato të jenë sa më të suksesshëm.         

                                                                                                   

Të njëjtat vlera ka edhe mësuesja ime kujdestare tek unë. Si një nxënëse unë kam ndërruar shumë mësues e mësuese dhe të gjithë kanë dhënë kontributin e tyre në zhvillimin e mëtejshëm shkollor timin, por mësuesja kujdestare jo vetëm që na ka mësuar të gjithëve si nxënës, por edhe na ka këshilluar dhe ndihmuar. Sa herë që ne kemi pasur nevojë për ndihmën e saj ajo na është gjendur pranë. Kemi debatuar me mijëra here, por sërish ajo ka dhënë më të mirën e mundshme për ne. Këtë mendim e ndajmë të gjithë si klasë.     


Në të vërtetë të shkruash për mësuesen kujdestare është po aq e pamundur sa ç’është e pamundur ta falënderosh atë për çdo gjë që ka bërë për nxënësit . Pavarësisht se ka pasur raste të shumta kur ne nxënësit i kemi krijuar probleme me sjelljet tona ajo sërish është treguar e arsyetueshme dhe nuk na ka bërë që të ndihemi keq, përkundrazi është munduar të na këshillojë e konfrontojë në mënyrë që ta kuptojmë gabimin dhe të përmirësojmë sjelljen.   

   

Por ka pasur edhe raste të kundërta, kur ka ngritur zërin ndaj një nxënësi/nxënëseje vetëm sepse ai/ajo nuk ka pranuar gabimin e bërë. Por kur i këshillonte dhe u fliste, këtë gjë e bënte veçmas klasës dhe nuk i përfshinte të gjithë nxënësit e tjerë në bashkëbisedim.  Për ne ky është besim dhe mbështetje! 


Ka dhënë më të mirën e saj në mënyrë që të mos ketë hatër-mbetje  mes nxënësve në klasë, duke zgjidhur problemet e tyre dhe me shakatë që shpesh herë bënte ka arritur të sjellë buzëqeshje shumicën e kohës tek fytyrat tona. Pikërisht kjo e bën mësuesen kujdestare të dashur për ne nxënësit. Në këto dy vitet e fundit na ka treguar se do të na përkrahë gjithmonë dhe se do të jetë për ne aty sa herë të jetë e nevojshme . Mjafton mendimi që dikush na beson dhe na mbështet që ne të ndihemi edhe më të përkrahur, na jep idenë që mësuesja kujdestare me të vërtetë është si një nënë e dytë për ne.        


Ndonëse nuk ia kemi shprehur shpesh më përpara këtë gjë, e gjithë klasa jonë ndihet shumë e lumtur e krenare që ka një mësuese  të tillë kujdestare që na mbështet e na ndihmon sa herë që ne kemi nevojë për të dhe për çdo gjë që ajo bën për ne. Falënderimet janë të pamjaftueshme, por shpresojmë që një ditë në një të ardhme të afërt edhe ajo do të ndihet po aq krenare për nxënësit e saj sa ndihemi ne për të.                                                                                                 


Këto dy vite kanë qenë të paharrueshme për të gjithë nxënësit e klasës së mësuese Emirjetës. Kemi qeshur, kemi qarë, jemi grindur e kemi pasur momente zemërimi, por në të gjithë këto momente ka qenë një person që nuk na ka lënë as edhe një moment të ndihemi vetëm. Nuk pretendojmë të jemi klasa më e mire, pasi çdo kush ka gabimet e veta (po ashtu kemi edhe ne), por mësuese Emirjeta na ka mbështetur dhe kjo ide na ka dhënë forcë që të gjithëve. Shpesh na është thënë që jemi të papjekur dhe që nuk do të mund të bëhemi nxënës të rregullt, por mësuese Emirjeta ka besuar te ne dhe gjithmonë është munduar të nxjerrë në pah cilësitë tona të mira.


Sa herë që kemi marrë pjesë në aktivitete të ndryshme shkollore na ka përkrahur, dhe kur kemi arritur fitore të ndryshme është kënaqur e ka festuar me ne, siç është rasti kur në klasën e 10-të fituam konkursin e Gjuhës Shqipe;  apo në klasën e 11-të kur grupi i volejbollit të vajzave, gjatë lojërave Olimpike të organizuara në shkollë fitoi kundër klasave të tjera të pranishme në lojërat Olimpike dhe zuri vendin e parë. Përveç kësaj ajo shpeshherë ka treguar se është e kënaqur me klasën e saj pavarësisht problemeve që ne shpeshherë pa dashur krijojmë.      


Shpesh edhe ne nxënësit kemi ngritur zërin kundrejt mësueses kujdestare, unë personalisht kam bërë diçka të tillë gjithashtu dhe për këtë i kërkoj falje përzemërsisht, por ajo nuk e ka keqkuptuar, pasi ishte në dijeni të situatës në të cilën unë ndodhesha dhe thjesht e ka kaluar me sportivitet, duke u bazuar në mendimin që ne jemi akoma adoleshentë. 


Këto të gjitha kanë bërë që mësuese Emirjeta të zërë një vend të veçantë në zemrat tona.    

                                                                                                                                     

Na mërzit shpesh mendimi që shumë shpejt nuk do të jetë më mësuesja jonë kujdestare, por e një klase tjetër. Gjithsesi të gjithë nxënësit e klasës do të bëjnë më të mirën e mundshme në mënyrë që mësuese Emirjeta të kalojë momente të paharrueshme me ne dhe të na konsiderojë si një ndër klasat më të mira që ka pasur ndonjëherë në kujdestari, sepse ajo për ne është mësuesja më e mirë kujdestare e mundshme.


Letër nga nxënësja e klasës XI-A, Jesmina Muhaj, për mësuesen e saj kujdestare Emirjeta! 


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,481 Lexime
3 muaj më parë