"Fastfood" dhe "Fastvideo", rreziku i dietave moderne për fëmijët tanë

Fiqiri Çifliku paralajmëron për dy "dieta" moderne: ushqimin e shpejtë që dëmton trupin dhe trurin, dhe videot e shkurtra që fragmentojnë mendimin dhe sjelljen. Të dy këto ofrojnë kënaqësi të menjëhershme, por rrezikojnë shëndetin, inteligjencën dhe të ardhmen e fëmijëve.

Tashmë janë bërë dy “dietat” që po dominojnë kohën tonë, njëra për trupin me efekt në tru, tjetra për trurin me efekt në trup. Të dyja bashkë me efekte të padiskutueshme në shoqëri. Ofrojnë kënaqësi të menjëhershme, por pasojat janë shumë të rrezikshme dhe afatgjata. Për fat të keq shpesh neglizhohen. Neglizhohen nga prindi, nga shkolla, nga shoqëria, nga individi. Askush nuk është imun ndaj tyre, por më të rrezikuarit janë fëmijët. Edhe ata më të vegjlit -1 vjeç që nuk e hapin gojën  të hanë ushqim po nuk u vure një video në telefon.


Fastfood-i lidhet ngushtë me obezitetit dhe pasojat fizike dhe mendore të njeriu. Dietat e pasura me sheqer, yndyrna të ngopura dhe karbohidrate të rafinuara shkaktojnë inflamacion kronik në tru, duke dëmtuar zonat përgjegjëse për kujtesën dhe përqendrimin. Konsumi i shpeshtë i ushqimit të shpejtë sjell obeziteti dhe lidhet me rrezikun e shtuar për depresion, ankth dhe sëmundje të tjera pasi ndikon në strukturën e trurit, veçanërisht në zonat që kontrollojnë vetëkontrollin dhe vendimmarrjen.


Ndërkohë nga ana tjetër si të mos mjaftojnë ushqimet janë rrjetet sociale dhe videot e shkurtra si “fastfood” i trurit, me ndikim të padiskutueshëm në inteligjencën dhe sjelljen sociale. Sot kemi gjithmonë gati një lugë nga TikTok që ushqen trurin me video të shkurtra, një pirun nga Instagrami që nxjerr imazhe perfekte dhe kapakun e librit të hapur si karrige bosh, me fletët që shkojnë drejt një koshi me mbishkrimin “Aksesor i padobishëm”. Konsumi i vazhdueshëm i përmbajtjes së shpejtë (TikTok, Reels, Shorts) ul përqendrimin dhe tolerancën ndaj përmbajtjes komplekse. Aktivizimi i vazhdueshëm i sistemit të shpërblimit në tru (dopamina), krijon varësi dhe fragmentim të mendimit, duke e bërë të vështirë reflektimin. Kjo sjellje shoqërohet me agresivitet, mungesë respekti dhe empatie, si pasojë e zbehjes emocionale dhe lodhjes mendore.


Deformimi i mënyrës së të menduarit mendoj se po rrezikon seriozisht të ardhmen. Nëse trendet aktuale vazhdojnë, rrezikojmë të krijojmë breza me inteligjencë të fragmentuar, të paaftë për të përballuar sfida komplekse shoqërore. Shkolla, media dhe familja po humbasin terren përballë algoritmeve që shpërblejnë sipërfaqësoren. Sigurisht të gjithë kemi përgjegjësi në mbrojtjen e shëndetit mendor e ca më shumë shërbimet publike. Shteti duhet të investojë në fushata edukimi për ushqimin dhe higjienën digjitale, duke e trajtuar trurin si një organ që ka nevojë për “dietë të shëndetshme”. 


Në këtë aspekt shkollat mund të integrojnë edukimin emocional dhe mediatik si pjesë të kurrikulës bazë.


Shërbimet e shëndetit mendor nga ana tjetër duhet të përfshijnë trajtime për varësinë digjitale, jo vetëm për depresionin klasik, për të mos u ndodhur para faktit të trurit që nuk “gatuan” më, apo me një tru të vogël, me rrudha të rralla, si një mikrovalë, ku përmbajtja e mendimit shfaqet si një hamburger me ekran LED. 

Nëse nuk ndalemi, mund të përfundojmë të konsumojmë mendime të parashikuara nga algoritmi, më shpejt se sa një klick.



© Portali Shkollor Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

728 Lexime
3 orë më parë