Fenomeni i "Baby Gangs" dhe dhuna sociale – Analizë nga eksperti i arsimit Fiqiri Çifliku
Video e fundit ku mësuesi dhe nxënësi sulmohen reciprokisht nxjerr në pah rritjen e “Baby Gangs” dhe dhunës në shkolla. Edukimi, mbështetja komunitare dhe kufizimi i ndikimit të rrjeteve sociale janë çelësi për t’i dhënë të rinjve alternativa dhe shanse për të ardhmen.
Videoja e konfliktit midis mësuesit dhe nxënësve në shkollën “Pavarësia”, në Prishtinë apo video të tjera ku nxënësit shkatërrojnë mjediset e klasave/shkollave e sjellin në vëmendje rritjen alarmante të dhunës mes të rinjve dhe ndikimin e rrjeteve sociale në këtë fenomen. Sipas hulumtimeve një në dy adoleshentë ka frikë se do të bjerë viktimë e dhunës ose bullizmit kur del nga shtëpia. Grupet e të rinjve (baby gangs) janë një fenomen në rritje në të gjitha qytetet. Këto grupe janë të larmishme dhe përfshijnë të mitur apo të rinj nga lagje të pasura, si dhe ata nga periferitë e varfra. Tashmë në Shqipëri, termi "Baby Gang" po përdoret gjithnjë e më shpesh për të përshkruar grupet e adoleshentëve që operojnë kryesisht në zonat urbane.
Të rinjtë organizohen dhe lënë takime përmes rrjeteve sociale. Vjedhjet, sherret dhe aktet e dhunës kryhen me qëllim që të filmohen dhe të postohen online. Kjo sjellje shihet si "fuqi", “shkëlqim” dhe "pushtet" mes bashkëmoshatarëve të tyre. Statistikat janë vërtete shqetësuese krahasuar me 2019. Sherret, zënkat, grabitjet, lëndimet, bullizmi deri tek dhuna seksuale janë rritur ndjeshëm.
Të dhënat për rajonin tonë (Shqipëri, Kosovë dhe vendet fqinje) tregojnë se fenomeni i krimit dhe dhunës mes të miturve është në një fazë "alarmi të kuq", shumë i ngjashëm me atë që po ndodh edhe në vende të zhvilluara si Italia, Franca SHBA apo Angli, por me specifika vendase.
Sipas raporteve më të fundit, duke referuar Tiranën si pikë e nxehtë rezulton e se vetëm në 6-mujorin e parë të vitit 2025, mbi 1,100 të mitur u përfshinë në vepra penale. Prej tyre, rreth 390 ishin nën moshën 14 vjeç (mosha kur nuk mbajnë përgjegjësi penale). Vetëm në kryeqytet janë proceduar rreth 870 të mitur gjatë periudhës së fundit. Krimet kryesore përfshijnë dhunën fizike, plagosjet me thika, grabitjet dhe shpërndarjen e drogës. Një fenomen shqetësues në Tiranë është nxitja e fëmijëve (shpesh 13-vjeçarë) nga të rriturit për të kryer vjedhje, pasi të miturit nuk dënohen me burg.
Në Kosovë, problemi nuk shfaqet vetëm si dhunë rruge, por si një krizë e thellë sociale e të rinjve që nuk janë as në shkollë, as në punë. Mbi 78,000 të rinj në Kosovë (statistika të 2025) llogariten si "joaktivë". Ky grup është më i rrezikuari për t'u bërë pjesë e grupeve të dhunshme apo aktiviteteve ilegale për shkak të mungesës së perspektivës. Dhuna në shkolla ka pësuar një rritje të raportimeve për përdorimin e armëve të ftohta (thikave) dhe rritje të rasteve të bullizmit që përshkallëzohet në përleshje në grup. Rasti i fundit me mësuesin që filmohet pasi është sulmuar nga një grup nxënësish tregon qartë se situata nuk paraqitet aspak e mirë.
Edhe në Serbi, Mal të Zi apo Maqedoninë e Veriut fenomeni i njohur si "Urban Tribes" (fise urbane), ku të rinjtë bashkohen në grupe për të krijuar një identitet që shteti dhe familja nuk ua ofrojnë dot. Sidomos në Serbi raportet e fundit tregojnë një rritje të radikalizmit online dhe përdorimit të rrjeteve sociale për të glorifikuar kriminelët e njohur. Ndërkohë Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, konsiderohen më paqësore, por raportet e "Balkan Peace Index 2024" tregojnë një rritje të lehtë të dhunës mes grupeve të të rinjve.
Shpesh përgjigjja e qeverive është rritja e arrestimeve dhe dënimeve më të ashpra, duke u rritur prania e të miturve në burgje pa mundur ta ulë fenomenin negativ.
Ndërkohë për të zbutur efektin e rrjeteve sociale, si faktor i zgjerimit të sjelljeve të dhunshme, Australia ka ndaluar përdorimin e rrjeteve sociale për të miturit nën 16 vjeç. Franca po ndjek një rrugë të ngjashme. Edhe vende të tjera janë duke e parë si mundësi kufizimin e përdorimit të rrjeteve sociale për fëmijët. Një masë ekstreme u mor në Shqipëri me mbylljen e TikTok për një vit, por në gjykimin tim, pati efektin e kundërt të kufizimit.
Lufta ndaj këtij fenomeni nuk mund të bëhet me mbyllje masive të dhunshme apo me pranga dhe qeli burgu, sepse sistemi shpesh i kthen këta të rinj në kriminelë më të "specializuar".
Zgjidhja kërkon një ndërhyrje që kombinon teknologjinë, edukimin dhe komunitetin.
Nëse rrjetet sociale janë "karburanti" i kësaj dhune, ne duhet të punojmë me burimin, duke kufizuar moshën e përdorimit të rrjeteve sociale ose të paktën rregulla të forta për përdorimin e telefonave në shkolla, jo thjesht për letër e për postim në rrjetet sociale nga politika. (përdorimi i "kutive të telefonave" gjatë mësimit).
"Higjiena Digjitale" duhet të jetë pjesë e programit ku të rinjtë të kuptojnë se një video 15-sekondëshe, ku bëjnë "të fortin", mund t'u shkatërrojë karrierën dhe jetën më vonë. Ata duhet të kuptojnë mekanizmin e algoritmit që i shtyn drejt dhunës për klikime. (Kjo vlen edhe për të rriturit në disa raste).
Detyrimi i të rinjve që kryejnë akte vandalizmi të punojnë për të rregulluar atë që kanë prishur, ose të shërbejnë në qendra për të moshuarit apo personat me aftësi të kufizuara, në vend që t'i mbyllim në burgje të tejmbushura ku mësojnë "zanate" të reja kriminale e shoqëruar me programe ku të rritur që kanë dalë nga bota e krimit flasin me të miturit për realitetin e dhimbshëm të asaj jete, duke thyer mitin e "shkëlqimit" të gangsterit.
Zgjatja e kohës së qëndrimit të nxënësve në mjediset shkollore duke e fuqizuar vërtetë programin e shkollave si Qendër Komunitare. Kjo nuk duhet të promovohet si spektakël klikimesh, por shkolla duhet të mbështeten realisht me fonde për të ofruar aktivitete, art, sport apo mbështetje psikologjike, duke sfiduar qartësisht telefonin dhe rrjetet sociale që rëndom po bëhen "edukatori" i vetëm, ku dhuna shitet si modeli i vetëm i suksesit. Shkolla duhet të jetë vendi ku të rinjtë qëndrojnë për të bërë sport, muzikë, kodim apo art deri në mbrëmje. Një i ri që është i zënë me një pasion, ka më pak gjasa të kërkojë "adrenalinë" përmes dhunës në rrugë. Shtimi i fondeve për qendrat rinore dhe aktivitetet jashtëshkollore, hapja e laboratorëve dhe palestrave, kërkon sforco ekonomike nga qeveria, por vetëm kështu mbrojmë të rinjtë të mos jenë "pre" e rrjeteve sociale dhe rrugës.
Roli i psikologut, punonjësit social dhe oficerit të sigurisë nuk duhet të shihet si "zyrtar", por si mik i të rinjve, si aktivist që lëvizin në terren, jo që rrinë vetëm në zyrë duke pritur që nxënësi të bëjë gabimin e radhës.
Krijimi i platformave ku nxënësit mund të denoncojnë në mënyrë anonime nëse shohin dikë me thikë ose nëse po planifikohet një sherr. Kjo i jep mësuesve dhe prindërve mundësinë të ndërhyjnë para se gjërat të bëhen virale. Platformat për denoncime anonime duhet të jenë praktikë normale pasi shumë nxënës nuk flasin sepse kanë frikë nga hakmarrja apo pasi jemi bindur se kjo është një formë "spiunllëku" e cila shihet si dobësi.
Më vjen keq, por ka edhe një të vërtetë të hidhur. Derisa prindërit dhe shoqëria të pushojnë së glorifikuar pasurinë e shpejtë dhe "të fortët" si modele suksesi, asnjë ligj nuk do të mjaftojë. Edukimi fillon që në familje duke i treguar fëmijës dhe të riut se vlera e tij nuk matet me numrin e ndjekësve, por me integritetin e tij.
Dhuna në shkolla dhe në rrjete sociale nuk është një "sëmundje" e fëmijëve, por një simptomë e një shoqërie që ka humbur rrugën. Nëse familja edukon, shkolla frymëzon dhe qeveria mbështet, "Baby Gangs" nuk kanë më terren ku të veprojnë. Nuk na duhen më shumë burgje për të mitur, na duhen më shumë arsye që ata të mos duan të shkojnë kurrë atje.
© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë
Prindër, ja se si të përdorni Platformën digjitale SMIP, për të parë notat e fëmijës tuaj, mungesat por dhe sjelljen në shkollë
Labirintet e adoleshencës/ Intervistë me Evans Drishtin për sfidat që prindërit dhe mësuesit nuk duhet të anashkalojnë
M.A.Gladiola Busulla: Përse është efektiv përdorimi i kompjuterit në shkollë?