Fiqiri Çifliku: Nga urdhrat te dialogu, si ta kthejmë shkollën në një vend "të gjallë"

Eksperti i arsimit Fiqiri Çifliku reflekton mbi domosdoshmërinë për ta kthyer shkollën në një vend dialogu, jo heshtjeje të imponuar. Ai kërkon që mësuesi të jetë frymëzues e jo roje i rregullave, nxënësit të mësojnë duke pyetur e gabuar, dhe marrëdhënia njerëzore të mbizotërojë mbi urdhrat.

Nga Fiqiri Çifliku 


A mundet të mos themi më “ule zërin”?


A mundemi ta bëjmë shkollën vendin ku s’kemi më nevojë t’u themi nxënësve, “ule zërin”, “rri urtë”, “mos përdor celularin”, “mos ngacmo shokun”?


A mund ta kthejmë mësuesin në një figurë që ngjall dëshirë dhe jo plogështi, që frymëzohet edhe në majë të malit, edhe në periferi, në shkolla të reja, të vogla, me pak fëmijë, por me plot jetë?


Apo do vijojmë me rregulla “strikte”, urdhra të prerë, udhëzime pa thelb, e ligje që vetëm letra i mban?


Nëse shkolla konsiderohet laborator shoqëror, atëherë ajo nuk mund të mbështetet mbi heshtjen e imponuar, por mbi dialogun e kulturur. “Mos fol!” është rrënimi i pyetjes. “Rri urtë!” është heqja e kuriozitetit; “Mos e përdor telefonin!” është shpesh një shmangie nga përpjekja për të kuptuar si mësojnë fëmijët sot.


Një shkollë që nuk ka nevojë për këto urdhra është një mjedis ku dëgjohet zëri i nxënësit përpara se të gjykohet. Mësuesi vlerësohet si model i përkushtimit dhe jo si zbatues i verbër rregulloresh. Hapësira fizike mban brenda kujdes, ngrohtësi dhe dinjitet. Marrëdhënia njerëzore është përmbajtja kryesore, jo vetëm teksti i Kodit të Etikës, rregulloreve të brendshme apo manualeve të disiplinës.


Problemi nuk është nxënësi që flet shumë, por është shoqëria që nuk ka mësuar ende të dëgjojë me durim. Dhe mësuesi nuk duhet të jetë roje i heshtjes, por kopshtar i kureshtjes. Një klasë e heshtur ngjan si një klasë e vdekur.


Në vend të një edukimi të ndërtuar mbi “mos”-et, le të provojmë të modelojmë një shkollë të guximit, ku fëmijët mësojnë të pyesin, të gabojnë, të ndihen të sigurt duke folur, jo duke heshtur.




© Portali Shkollor Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

318 Lexime
3 orë më parë