Fiqiri Çifliku: Vetëmbrojtja fizike apo menaxhimi i zemërimit?
Shkrimi diskuton dilemat e vetëmbrojtjes fizike te fëmijët, duke theksuar rëndësinë e menaxhimit të zemërimit dhe komunikimit jo të dhunshëm. Eksperti sugjeron një qasje të mesme, ku shkolla dhe prindërit bashkëpunojnë për siguri, transparencë dhe edukim emocional.
Fiqiri Çifliku, ekspert arsimi
Debati nisi pas postimit në TikTok i Brittany Norris, një nënë 27-vjeçare, e cila e udhëzon fëmijën e saj të kundërpërgjigjet fizikisht nëse sulmohet, në vend që të kërkojnë ndihmën e mësuesve. Sipas saj, kjo i përgatit fëmijët për "botën reale" dhe parandalon që të bëhen viktima.
Siç e dini në rrjet kemi ndarje të mendimeve ku ata që e mbështetësit deklaratën, argumentojnë se institucionet shpesh dështojnë në mbrojtjen e nxënësve. E shohin vetëmbrojtjen si një aftësi të domosdoshme dhe besojnë se fëmija duhet "t'i dalë zot vetes" kur dhuna është e pranishme.
Ndërkohë kundërshtarët (mësuesit dhe ekspertët) mendojnë se kjo qasje e përshkallëzon dhunën dhe e bën të pamundur menaxhimin e konflikteve në shkollë. Ata mbrojnë idenë e komunikimit dhe vendosjes së kufijve verbal si hap të parë.
Në thelb ky diskutim vë përballë instinktin prindëror për mbrojtje të menjëhershme me nevojën shoqërore për zgjidhje jo të dhunshme të konflikteve.
Ndonëse vetëmbrojtja lidhet me vlerat familjare, prindërit duhet të jenë të vetëdijshëm për pasojat që fëmijët mund të kenë në shkollë dhe jashtë saj. Ngjarje ndodhin përditë dhe në në disa raste janë shumë të rënda. Zgjidhja me e mirë do të ishte një rrugë e mesme. Të edukojmë të nxënësit me reagime paqësore dhe largimin nga konfliktet përpara se të përdoret forca.
Përgatitja e fëmijëve me një "set" mjetesh komunikimi është thelbësore që ata të mos ndihen të pafuqishëm, por edhe të mos kalojnë menjëherë te dhuna.
Nga shërbimi psiko-social, oficeri i sigurisë drejtuesit e shkollës, duhet punuar fort në këtë drejtim, duke hartuar dhe zbatuar strategji në bashkëpunim me prindërit për komunikimin dhe vetëmbrojtjen jo të dhunshme. Mund të përmend disa strategji si: zërin e sigurt, gjuhën e trupit, mbrojta me humor, edukimi për të kuptuar dallimin midis spiunimit dhe raportimit dhe formulën universale ndalo-largohu-trego.
Është shumë e e rëndësishme t'u thuhet fëmijëve se vetëmbrojtja fizike është zgjidhja e fundit, vetëm kur integriteti i tyre fizik është në rrezik të menjëhershëm dhe nuk kanë rrugë tjetër daljeje.
Për të shmangur situatat ku prindërit ndjejnë se "vetëgjyqësia" është rruga e vetme, shkollat duhet të kalojnë nga një rol pasiv (reagues) në një rol proaktiv. Problemi shpesh nuk është mungesa e rregullave, por mungesa e besimit se ato rregulla funksionojnë.
Shumë shkolla ndjekin rregullin ku ndëshkohen të dy palët njëlloj, pavarësisht kush e nisi sherrin. Nëse një fëmijë ndëshkohet rëndë sepse thjesht bllokoi një goditje ose u vetëmbrojt pas një sulmi të vazhdueshëm, ai (dhe prindi) humbet besimin te drejtësia e shkollës.
Bullizmi më së shumti ndodh në korridore, tualete, oborr ose diku larg vëmendjes, rrallë ndodh në mes të klasës nën syrin e mësuesit apo stafit tjetër. Rritja e pranisë së stafit në këto pika kritike për të treguar se ka monitorim real, ul ndjeshëm mundësinë për konflikt fizik.
Përballja e palëve në një ambient të sigurt me një psikolog, ku agresori duhet të kuptojë pasojat e veprimeve të tij dhe të marrë përgjegjësi, parandalon hakmarrjen në të ardhmen.
Protokollet e qarta dhe të shpejta për komunikim me prindërit duhet jo vetëm të hartohen apo të përditësohen nëse egzistojnë por edhe duhet të zbatohen me rigorozitet. Kur një prind raporton një rast bullizmi, shkolla duhet të ketë një afat kohor (p.sh. 24 orë) për të kthyer një përgjigje me hapat konkretë që janë ndërmarrë pasi transparenca e vret pasigurinë.
Duhet të ngjitemi në një nivel tjetër që do të thotë se shkolla nuk duhet të jetë vetëm vendi ku mësohet matematika, gjuha apo muzika, por edhe vendi ku mësohet menaxhimi i zemërimit. Integrimi i orëve ku nxënësit mësojnë si të zgjidhin konfliktet me fjalë, si të jenë empatikë dhe si të reagojnë kur shohin një shok që po bullizohet.
Nëse shkolla nuk krijon një ambient ku fëmija të ndihet i mbrojtur nga sistemi, ai do të detyrohet të krijojë sistemin e tij të mbrojtjes (shpesh me forcë) dhe prindi pr fat të keq do e inkurajojë kët sjellje.
Një shkollë e sigurt nuk është ajo që s'ka konflikte, por ajo që di t'i trajtojë ato me drejtësi.
© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë
Labirintet e adoleshencës/ Intervistë me Evans Drishtin për sfidat që prindërit dhe mësuesit nuk duhet të anashkalojnë
Bota e fëmijëve është e mbushur plot me ngjyra
Promovimi i sjelljes pozitive të nxënësve në klasë