
Flori Kasaj: Çmimi Nobel në Fizikë 2025 dhe sfidat e arsimit shkencor në Shqipëri
Çmimi Nobel 2025 në Fizikë shkon te Clarke, Devoret e Martinis për tunelizimin kuantik makroskopik. Në Shqipëri, vetëm 5 studentë regjistrohen në fizikë, duke reflektuar krizë interesi. Nevojiten politika motivuese, laboratorë dhe lidhje ndërkombëtare për të rikthyer pasionin për shkencën.
Nga PhD (C) Flori Kasaj
Çmimi Nobel në Fizikë për vitin 2025 iu akordua shkencëtarëve John Clarke, Michel H. Devoret dhe John M. Martinis për zbulimin e tunelizimit kuantik makroskopik dhe kuantizimit të energjisë në qarqe elektrike superpërçuese. Një arritje madhore që dëshmon se fenomenet kuantike, të cilat për një kohë të gjatë konsideroheshin të kufizuara në botën mikroskopike, mund të manifestohen edhe në sisteme të mëdha dhe të prekshme.

Ky vërtetim shkencor i dha një shtysë të re zhvillimit të teknologjive kuantike, që tashmë përbëjnë themelin e kompjuterëve kuantikë, sensorëve të avancuar dhe sistemeve të sigurisë në komunikim, duke treguar se kërkimi i thellë dhe investimi në shkencë janë çelësi i përparimit njerëzor. Ndërsa realiteti shqiptar shfaqet kontrastues dhe shqetësues në vitet e fundit, në Departamentin e Fizikës në Universitetin e Tiranës edhe këtë vit akademik janë regjistruar vetëm pesë studentë të rinj. Shifër që flet për një krizë të thellë interesi dhe mbështetjeje për shkencat natyrore. Kjo rënie e interesit për fizikën është tregues i një boshllëku kulturor dhe institucional, ku shkenca nuk shihet më si një shtyllë e zhvillimit kombëtar, por si një degë e vështirë e pa perspektivë pune.
Në një kohë kur bota shpërblen me Çmime Nobel për arritje që ndryshojnë paradigmën e teknologjisë dhe energjisë, Shqipëria duhet të rishikojë me urgjencë politikat arsimore e shkencore, duke krijuar programe motivuese, laboratorë funksionalë, bursa për studentët e shkencave ekzakte dhe lidhje me universitete e qendra kërkimore ndërkombëtare. Vetëm përmes një vizioni të tillë, vendi mund të ringjallë pasionin për fizikën, të formojë breza të rinj kërkuesish dhe të sigurojë që Shqipëria të mos mbetet spektatore në garën globale të dijes, por pjesëmarrëse aktive në ndërtimin e së ardhmes shkencore të njerëzimit.
© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Muri i Madh Kinez, një nga mrekullitë moderne të botës
Forbes: "Nuk ka më mësues të rinj, kriza epike që po përballet e gjithë bota në vitin 2024"
Thënie rreth arsimit dhe edukimit