
“Gjuha shqipe, e ëmbël si fllad i verës”, projekt nga Lindita Gera Rushiti
Projekti “Gjuha shqipe, e ëmbël si flladi i verës” nga Lindita Gera Rushiti, zhvilluar në klasën e 3-A të shkollës “Abedin Dino” në Durrës, promovoi dashurinë për gjuhën shqipe përmes aktiviteteve kreative që forcuan identitetin kombëtar dhe pasuruan kompetencat gjuhësore të nxënësve.
Projekti “Gjuha shqipe, e ëmbël si flladi i verës” u realizua nga mësuesja Lindita Rushiti në klasën e 3-A, në shkollën “Abedin Dino” në Durrës, në kuadër të kualifikimit për titullin "Mësues Mjeshtër".
Gjuha shqipe është pjesa më e rëndësishme e thesarit të kulturës së një populli. Prandaj mësimi i gjuhës shqipe dhe leximi me kuptim janë hapa të rëndësishme për ta ruajtur gjuhën dhe identitetin kombëtar.
Projekti synoi të ngjallë tek nxënësit ndjenjën e krenarisë për gjuhën shqipe, duke e sjellë atë si një mjet të gjallë komunikimi, ndjeshmërie dhe bukurie, nxiti zgjimin e ndërgjegjes tek fëmijët për t’u afruar më shumë me librat, për ta dashur gjuhën shqipe, për ta folur e shkruar bukur e saktë atë, kudo që të ndodhen.
U realizuan veprimtari të ndryshme ku u përfshinë fëmijët dhe u ndërtuan ura lidhëse mes dijes dhe emocioneve. Projekti jo vetëm që përforcoi kompetencat gjuhësore, por gjithashtu nxiti dashurinë për leximin, të folurën dhe krijimtarinë, duke e kthyer mësimin në një përvojë të këndshme dhe frymëzuese.
Fëmijët shpalosën dijet e tyre sipas grupeve përkatëse:
1 - Grupi i “Historianëve të vegjël” – Historiku i Kongresit të Manastirit
2 - Grupi i “Delegatëve të Kongresit” – Paraqitja e disa delegatëve të Kongresit të Manastirit
3 - Grupi i “Mendimtarëve të ndritur” – Paraqitja e disa thënieve për gjuhën shqipe
4 - Grupi i “Recituesve të vegjël” – Recitimi i poezive të Rilindësve tanë
5 - Grupi i “Aktorëve të famshëm” – Dramatizimi i disa pjesëve të filmave shqiptarë “Udha e shkronjave” dhe “Mësonjëtorja”, si dhe kënduan këngën e “Alfabetit” dhe “Gjuha jonë”.
6 - Grupi i “Duarartët e talentuar”- Punime për shtëpinë muze ku u mbajt Kongresi.
E ftuar në këtë orë projekti ishte e ftuar zonjushë Ermira Selimi, ideatore, nismëtare dhe realizuese e hapjes së bibliotekës “Linkest” në qytetin e Manastirit, qytet simbol i “Alfabetit të gjuhës shqipe”, sepse nxënësit, mësuesit dhe drejtuesit e shkollës “Abedin Dino” kanë dhënë ndihmën e tyre në hapjen e bibliotekës së Manastirit, duke dhuruar libra shqip. Emira u dha mesazhin për gjuhën shqipe fëmijëve që ta duan e ta mbrojnë atë.

I ftuar ishte edhe historiani e shkrimtari Kadri Tarelli, i cili ka dhuruar libra nga krijimtaria e tij për bibliotekën e qytetit të Manastirit.
Fëmijët morën certifikata vlerësimi për realizimin e këtij projekti. Gjithashtu, ata shkruan letra për bashkëmoshatarët e tyre në Manastir dhe morën ftesë nga Emira për të vizituar bibliotekën “Linkest”.
Në përfundim të orës së mësimit, fëmijët dhuruan libra me poezi të Gjergj Fishtës, Ndre Mjedës e Naim Frashërit për bibliotekën e shkollës “Abedin Dino” dhe për bibliotekën ”Linkest” të Manastirit, si dhe një stendë me poezinë e Gjergj Fishtës “Gjuha shqipe” për klasën e tyre.
Në fund të projektit, zemrat e dëlira të fëmijëve ishin mbushur plot me dashuri për gjuhën shqipe dhe sytë e tyre shkëlqenin nga krenaria.
Reportazhi:
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Teste për klasën V, gjuhë shqipe, matematikë dhe dituri natyre, periudha I
Tremujori tretë/ Testime dhe detyra përmbledhëse për klasat 1-5
QSHA: Testime dhe modele testesh në Vlerësimin e Arritjeve të Nxënësve në Arsimin Fillor